Në një shoqëri jo fort të zhvilluar si e jona, në një shoqëri ku niveli i aftësive personale përthithëse nuk është në lartësinë e duhur, roli i Televizionit merr një ngarkesë të madhe sociale. Në këto shoqëri, që e shikojnë programin televiziv si të vërtetën më të madhe të njerëzimit, që besojnë çdo frazë e video të shfaqur në të, televizioni ka në dorë të luajë rolin historik: ose të ndikojë vrullshëm në modelin e zhvillimit tërësor social ose të realizojë një “vrasje” masive, me përmasa gati “shfarosëse”. Televizioni në Shqipëri, megjithëse ende në formimin e tij të plotë, ka luajtur rolin e madh në ndryshimin e mentaliteteve të vjetra sociale, ka ndihmuar të ecë përpara shoqërinë shqiptare, ka sjellë modele të një jete bashkëkohore. Momenti që po jetojmë, na jep të drejtën të analizojmë me më shumë përgjegjësi, këtë rol e ndikim të madh të televizionit. Momentet ku ndodhemi sot, na detyrojnë të rishikojmë gjithçka ka të bëjë me ne. Le ta nisim nga produkti:
Së pari- Të gjithë jemi të ndërgjegjshëm se televizioni nuk i bën njerëzit më të mençur, por as më të paditur. Ama mund t’i orientojë sjelljet e tyre, pozitivisht apo negativisht. Mjafton të shikosh sot një model sundues në shoqërinë shqiptare, për të kuptuar se si ka ndikuar televizioni:
Shoqëria shqiptare është thelbësisht e politizuar. Dhe unë mendoj se edhe televizioni ka luajtur rolin e vet negativ. Të gjitha televizionet, sipas krahëve mbështetës të politikës, e kanë “mbytur” shikuesin me debate politike, jo rrallë të acarueshme e të kalueshme deri në dhunë verbale e fizike. Sikur televizioni ta konsideronte politikën si aktivitet të shumicës, emisionet politike nuk do ishin thjesht debate mes individëve të politikës, por debate me objektiv të caktuar për të ndihmuar politikën dhe jo individin. Sot mund të themi se shoqëria shqiptare është ndoshta, më e lodhura në Europë nga politika. Faji pa dyshim bie dhe mbi televizionin. Në rrjetet sociale, kam vënë re se, kohët e fundit, ndihet një “çlirim” te njerëzit, çlirim që vjen dhe nga një fakt kuptimplotë: televizionet nuk janë më, shumë të ngarkuara me programe politike, me lajme se ku shkoi X politikan, kë takoi, me kë drekoi dhe kë përqafoi… Televizioni shqiptar në përgjithësi, ka nevojë të ndryshojë filozofinë e të bërit politikë për politikë. Në të kundërt, shoqëria shqiptare do të thellojë ndasitë politike që kanë çuar deri në ndasi sociale. Dhe ky është një krim i rëndë i politikës, por dhe i televizionit.
Së dyti: Karakteri komercial i televizioneve shqiptare, natyrisht ndikon në ekzistencën edhe të programeve “skarco” që i përshtaten një kategorie të caktuar shikuesish. Askush nuk ka të drejtën t’u kërkojë këtyre televizioneve më shumë programe kulturore, shkencore, edukative etj. Por ama, si konsumues të tyre, kemi të drejtën t’u kërkojmë më shumë kulturë brenda atyre emisioneve që janë “skarco” për nga përmbajtja. Të sillesh si qytetar në një emision, është minimalja që i kërkohet këtij mjeti me rezonancë masive! Pavarësisht natyrës personale që marrin emisionet, në varësi të produksionit, ka ardhur koha të kuptohet roli kompletues edukativ, që ka një televizion. Nga ana tjetër, në epokën e sotme, televizionet mund dhe duhet t’i hapin rrugë programeve që paraprijnë përgatitjen e shoqërisë për të ardhmen. Me fjalë të tjera, mendoj se dhe kur programet duhen bërë “të thjeshta”, për të tërhequr një audiencë të madhe, nuk kanë nevojë për t’i shtuar “seksin”, vulgaritetin, dhunën për t’u bërë më të shikueshëm. Sigurisht që në këto raste shikueshmëria mund të rritet, pasi kuptimi i këtyre gjërave nuk ka nevojë as për inteligjencë e as për “lodhje” mendje. Por pasoja është e pashmangshme: krijimi i modeleve banale, madje shpesh, më se vulgare mes njerëzve! Dhe ky nuk mund të jetë misioni i një televizioni! Më shumë se 50% e njerëzve mbajnë si model, modelin e fituar nga televizioni. Kështu ndodh kudo në botë. Përjashtim nuk bën as Shqipëria. Nuk ka si të mendosh ndryshe, kur adoleshenca shqiptare priret të ketë sjellje seksuale shumë herë më të lira (mendoni se kemi vetëm 23 vjet që kemi dalë nga shoqëria e ndrydhur) sesa bashkëmoshatarët e tyre në Europë! Problemet që hasim sot me dhunën brenda familjes, me dhunën seksuale të rrugës, me vrasje e vetëvrasje, na tregojnë se dhe Televizioni ka rolin e vet negativ në këtë drejtim.
Së treti: Dritan Hoxha, në një bisedë me punonjësit e tij të televizionit, kur ishte ende në hapat e para, ka thënë: “Televizioni, duhet ta dini të gjithë, nuk është më i Tanit, por është i njerëzve, ndaj nuk ka vend për personalizime”. Mendoj se kjo është filozofia që duhet të udhëheqë televizionin. Në të duhet të ketë vend opinioni kolektiv dhe jo personal. Janë kthyer jo vetëm në të padurueshëm, por gati dhe qesharakë, emisionet “qoka”, ku “opinionistët” e emisioneve të ndryshme ndërrojnë karrigen, një herë si drejtues, e një herë si opinionistë, duke ndikuar në krijimin e një lloj opinioni publik, personal. Natyrisht që kjo dukuri është shprehje, sa e “foshnjërisë së televizioneve” aq edhe e frikës nga hapja e mendimit të lirë në televizion. Profesionalizmi dhe shpirti i lirë janë dy elementë që mundësojnë një televizion sa komercial aq edhe “kombëtar”!
Së katërti: Televizioni ushtron pafund një ndikim të jashtëzakonshëm te fëmijët dhe të rinjtë. Modeli që kemi përpara syve sot, lë shumë për të dëshiruar. Nuk gjej dot asnjë justifikim që një televizion, orë e pa orë, jo vetëm që jep emisione banale me një humor vrastar, që të bën të vjellësh, por në këtë humor aktrojnë fëmijët!!!!! Kjo, mendoj se është një fatkeqësi shumë e madhe për çdo shoqëri dhe jo më për shoqërinë tonë ende të papjekur kulturalisht.
Së fundmi: Për ndonjë lexues që do më thotë “epo njeriu është i lirë të zgjedhë kanalin që dëshiron apo programin që dëshiron, sepse ka pultin në dorën e tij”, unë kam këtë përgjigje: Kjo është plotësisht e drejtë në një vend ku mbisundon kultura, arsimi dhe sjellja qytetare. Por te ne, ku në shumë zona të vendit, i vetmi argëtim janë emisionet televizive dhe ku prindërit nuk arrijnë të dallojnë se çfarë duhet apo çfarë nuk duhet parë, në programet televizive, kjo liria televizive e shndërron televizionin në bombë të shkatërrimit në masë. N. Postman shkruan: “Asnjë mjet nuk mund të jetë i rrezikshëm nëse përdoruesit i njohin rreziqet”. Por nëse nuk i njohin…shoqëria vjen drejt shkatërrimit të vlerave të veta.