leoni

Zana Bytyqi diplomatit Amerikan: Ligji për Gjykatën Speciale DUHET që të plotësohet për krimet serbe

Zana Bytyçi: Zotërinjë: Mustafa, Veseli, Ymeri, Haradinaj Limaj, s’ pajtohemi me heshtjen tuaj kundër krimeve serbe

Në letrën drjetuar kreut të shtetit dhe partive politike nga, Zana Bytyqi, përfaqësuese e Shoqatës-OJQ “Familja dhe Shpresa”, në Klinë, thuhet:  Zotërinjë: Mustafa, Veseli, Ymeri, Haradinaj dhe Limaj, para një jave, unë Zana Bytyqi, përfaqësuese e shoqatës “Familja dhe Shpresa” nga Klina iu jam drejtuar partive tuaja politike dhe deputetëve tuaj në parlamentin e Kosovës me një letër publike lidhur me Gjykatën Speciale për Kosovën duke kërkuar që të ndryshoni ligjin për këtë gjykatë dhe të hapni rrugë për gjykimin e kriminelëve serbë atje. Por kot, edhe pas një jave ende jam duke pritur përgjigje. Përpos deputetit të AAK-së Pal Lekaj, askush tjetër nuk na është përgjigjur në kërkesën tonë për plotësimin e ligjit për këtë gjykatë selektive, ligj me të cilin janë injoruar krimet e ushtrisë dhe policisë së Serbisë ndaj 86 më të dashurve tanë të ekzekutuar me 4 Prill 1999.

Zotëri Pal Lekaj na është përgjigjur negativisht. Mbetet e panjohur nëse zotëri Lekaj, është përgjigjur në emrin e tij personal si deputetë apo në emër të AAK-së. Në letër-emailin e tij ai shkruan : (E nderuar Znj. Bytyqi!

Ju faleminderit per kerkesen tuaj te drejt dhe shqetsiminë e shumë Familjareve qe eshte edhe shqetsim i imi dhe deputeteve tjerë,

Por se pari dua te ju is mformoj qe ne si opozit nuk e kemi votuar ligjin per dhomat e specializuara qe janë jashtë juridiksionit të RK.

Me keqardhje ju informojë qe nuk mundemi te bejm diçka në ketë drejtim, por ju garantoj qe nuk ndalemi qe te denohen ata qe ben krime ne Kosovë duke perfeshi edhe krimin ne Kralan te Gjakoves,

Rrespekt, PL.)

 Ne familjarët e viktimave të Kralanit assesi nuk mund të pajtohemi me një përgjigje të këtillë të zotëri Pal Lekaj.

 Para se të bënim kërkesën e para një jave, ne nuk e injoruam faktin se partitë opozitare VV, AAK dhe NISMA ishin kundër kësaj gjykate. Por nisur nga fakti se kjo gjykatë me apo pa pëlqimin e tyre, me apo pa votën e tyre, u formua dhe mori dritën e gjelbër nga parlamenti i Kosovës vitin e kaluar, përmes votave të PDK-së dhe LDK-së dhe partive të pakicave, situata nuk është e njëjtë, sikur para aprovimit të këtij ligji vitin e kaluar.

 Situata e krijuar është kjo : Kjo gjykatë tash ekziston, me apo pa pëlqimin e partive në pushtet dhe opozitare. Kjo gjykatë tash ekziston, me apo pa votën tuaj. Individë të UÇK-së do të paditen e gjykohen me apo pa votën tuaj, por jo edhe vrasësit serbë e më të dashurve tanë.

 Ne e kuptojmë qëndrimin politik të partive opozitare kundër kësaj gjykate, por realiteti i krijuar mund të ndryshohet. Qëndrimet politike tuaja do të duhej t’i adaptohen situatës së krijuar, sepse mbi të gjitha kjo gjykatë mbetet adresa e vetme e mundshme që atje të gjykohen krimet e Serbisë.

 Prandaj, zotërinjë  Mustafa, Veseli, Ymeri, Haradinaj dhe Limaj, ne nuk mund të pajtohemi me heshtjen tuaj ndaj krimeve serbe. Nuk mund të pajtohemi me injorimin 17 vjeçar që jeni duke iu bërë krimeve të Serbisë ndaj më të dashurve tanë.

 Kjo gjykatë u formua nga parlamenti i Kosovës, edhe përkundër dëshirës suaj. Me votat e deputetëve të PDK-së dhe LDK-së, e pa votat e deputetëve të VV-së, AAK-së, e Nisma-s, në këtë gjykatë, sipas ligjit në fuqi, nuk do të gjykohen kriminelët e Serbisë, por vetëm individët e UÇK-së për krimet e pretenduara.

 Nëse ju nuk ndërroni qëndrimet tuaja, e nëse nuk e plotësoni këtë ligj, atëherë jemi të bindur se faji është i përbashkët i të gjithë juve pse në këtë gjykatë nuk do të gjykohen kriminelët e Serbisë.

 Ne familjarët e viktimave të Kralanit duam drejtësi. Kush mund të na ofrojë drejtësi tjetër, nëse ju kryetar të partive dhe deputetë nuk jeni në gjendje që të ndryshoni kokëfortësitë tuaja politike në të mirë të drejtësisë dhe thirrjeve tona 17 vjeçare për gjykimin e kriminelëve serbë ?

 Drejtësia për krimet ndaj më të dashurve tanë është në duart tuaja, sepse Serbia nuk po i dërgon dhe nuk do t’i dërgojë kriminelët serbë në gjykatat e Kosovës. Puna e prokurorive të Kosovës dhe EULEX-it vazhdon që të jetë e kotë. T’ju përkujtojmë përsëri të akuzuarit serbë për krimin masiv në Krushë të Madhe. Tash po bëhen afro 2 vite që Gjenerali Momir Stojanoviç dhe 16 të tjerë janë të lirë në Serbi. Pra, kjo aktakuzë e bërë në gjykatën e Gjakovës po dëshmohet se është e kot.

 Gjykata Speciale në Hagë për Kosovën mori jetë nga Parlamenti i Kosovës. Prandaj qëndrimet dhe votat tuaja dhe të partive e deputetëve tuaj duhet të adaptohen sipas realitetit të krijuar.

 Prandaj u thërrasim përsëri dhe nuk do të ndalemi me thirrjet tona që ta plotësoni këtë ligj sepse e keni përkrahjen tonë të plotë për të ndërruar qëndrimet tuaja politike për këtë gjykatë.

 Ndryshojeni këtë ligj dhe mundësoni që kriminelët e Serbisë të gjykohen atje, pra në Hagë. Ne po ju presim që të arsyetoni votat e mbledhura tash e 17 vite tek qytetarët e komunës së Klinës.

 Kjo është thirrje e vjetër dhe e re e jona. Vota e jonë e dhënë juve po kërkon nga ju kësaj radhe që të bëheni të lakueshëm në emër të drejtësisë. Drejtësia është e shenjtë. Mjaft na keni zhgënjyer deri më tash të gjithë ju së bashku. Neve po ju presim….

Zana Bytyqi,

Përfaqësuese, Shoqata-OJQ, ” Familja dhe Shpresa”, Klinë

Tel: 044 777 596 ,  e-mail: [email protected]

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …