Zbatimi i masave të efiçiencës përfshin edhe shkollën në Irzniq të Deçanit

Shkolla Fillore “Avni Rrustemi” në Irzniq të Komunës së Deçani nga e premta është bërë me ngrohje qendrore falë investimit të Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik, në kuadër të projekteve për zbatimin e masave efiçiente në ndërtesa publike. Në inaugurimin e këtij projekti të pranishëm ishin Ministri Blerand Stavileci me bashkëpunëtorë, përfaqësues të pushtetit lokal të Deçanit dhe punonjës të shkollës.

Me këtë rast Ministri Stavileci tha se ky projekt ndihmon shkollën që të kursejë energjinë dhe në anën tjetër hyn në kuadër të shëndetit publik, sepse për të gjithë  këta nxënës që vijojnë këtë shkollë, përmirëson kushtet e mësimit, ndërsa shtoi se nuk përfundon këtu, ngase projekte të tilla do të përfshijnë edhe shkolla tjera.

“Efiçienca e Energjisë krahas projekteve madhore siç është TC Kosova e Re, është një ndër prioritetet kryesore të MZHE-së, respektivisht Qeverisë së Kosovës që lidhet me zhvillimin, shëndetin publik dhe krijimin e vendeve të punës”, tha ai.

Stavileci bëri të ditur se në këtë fushë MZHE ka edhe dy projekte të aprovuara, për ndërtesat publike qendrore dhe ndërtesa publike në nivel lokal, që realizohen me Bankën Botërore, KfW dhe Kornizën e Investimeve për Ballkanin Perëndimor, ndërsa paralajmëroi se me rishikimin e legjislacionit së shpejti do ta kemi edhe Fondin Eficiencës.

Nga ana e tij, Drejtori i Drejtoratit të Arsimit në Komunën e Deçanit, Qazim Maloku tha se kjo komunë është falënderuese për projektin e ngrohjes qendrore, që është një e arritur, veçanërisht pasi kjo ka të bëjë që nxënësit, të cilët do të kenë një ambient më të ngrohtë. Ai  falënderoi Ministrin Stavileci për mbështetjen e këtij projekti, që sipas tij do të ndikojë edhe në ngritjen e cilësisë në mësim.

Edhe drejtori i Shkollës “Avni Rrustemi”, Mehdi Doda falënderoi MZHE-në dhe Komunën e Deçanit që kanë përzgjedhur këtë shkollë që të realizojnë këtë projekt kaq të rëndësishëm për nxënësit që vijojnë këtu mësimin.

Ndryshe, shkolla “Avni Rrustemi”  në Irzniq ka rreth 300 nxënës dhe ngrohja e mjediseve mësimore deri më tani është bërë me stufa.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …