The Telegraph: Gjyqtarët për krimet e luftës të Gjykatës Speciale duhet të largohen nga detyra për “shpërdorim të autoritetit”

Zbehja e entuziazmit për punën e Gjykatës Speciale brengos jugo-shqipfolësit, Qeverinë në Beograd dhe Kremlinin zyrtar

Zbehja e entuziazmit për punën e mefshtë dhe të ngadalshme të Gjykatës Speciale kundër UÇK-së,  ka shqetësuar dhe i ka brengosur shumë jugo-shqipfolës, kryesisht drejtues mediesh, kundërshtarë militantë të UÇK-së, po ashtu sikur e ka brengosur edhe Qeverinë në Beograd, por tani së fundi edhe Kremlinin zyrtar.

Britmave antikombëtare, “po vjen Specialja”, “Goditja speciale”, “Tërmeti i speciales”, “Specialja s’e ndal vrullin” (Zëri 3 gusht 2019) tituj bombastikë që afishohen në jo pak medie, në gjuhën shqipe, në Kosovë e më gjerë,   ende pa u ngritur aktakuzat e para, po duket se e kanë zbehur fushatën aq shumë të pritur të bijve të prokurorëve e gjyqtarëve të Jugosllavisë së Titos, bijve dhe bijave të ambasadorëve të Titos,  e veçmas të UDB-ashëve të “kruzhokut” “Buxhov and Company“, të cilët presin me padurim që kjo gjykatë të fundos luftën e UÇK-së, në mënyrë që tregojnë para vetes së tyre e të tjerëve si ata vetë, se kanë pasur të drejtë, kur në maj të vitit 1998, pas rënies së Adem Jasharit e të Jasharëve në Prekaz,  kishin kërkuar nga Ibrahim Rugova ta përkrahte Milosheviqin në pacifikimin e Drenicës.

Nuk është i rastit fakti, kur për të dëshmuar rrejshëm në këtë gjykatë janë paraqitur më shumë se 250 shqipfolës, në mesin e tyre edhe jo pak ish të instruktuar të regjimit të Milosheviqit që kanë qenë të infiltruar në radhët e UÇK-së, disa prej tyre edhe aktualisht spiunë të Serbisë.

Zëdhënësja e ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zaharova, është cituar të ketë deklaruar se  Gjykata Speciale, e formuar për krimet e shqiptarëve kundër serbëve, ende  nuk ka dhënë asnjë rezultat. “Deri më tani, nuk ka rezultate nga puna  e Hagës për krimet e UÇK-së. Askush nuk është akuzuar, me gjithë dyshimet për vrasje dhe krime të tjera”, tha ajo, duke insistuar që  Specialja  të tregojë  sa më parë rezultatet e veta në punën e saj. Vëmendje e posaçme Rusia ka treguar për rastin e dorëheqjes së kryeministrit, Ramush Haradinaj, në pritje që ai dhe të tjerët të arrestohen. Po kështu tejet i zhgënjyer me lirimin e Ramush Haradinajt, është treguar edhe kryetari i Serbisë, Vuçiq me “ujqërit” e tij, meqë nuk iu dha rasti madje të festojë e të ngrehë as një dolli për “ndalimin” e Haradinajt në Hagë,  meqë sapo kishte dhënë intervistën, ishte kthyer në Kosovë.

Fushata kundër luftës së UÇK-së, kundër komandantëve, të cilën me mjaft sukses po e orkestrojnë dhe po e spikasin disa OJQ dhe medie mercenare, pastaj një krah i lëvizjes pacifiste dhe bijtë e bijat e baballarëve dhe nënave që i kanë mbetur besnikë bashkim-vëllazërimit me serbë, po e bën të vetën dhe do ta bëjë deri në fund, sepse është zbehur edhe idealizmi ademjasharjan, ai idealizmi i vërtetë atdhetar, që kishte sjellë luftën e UÇK-së dhe kishte rrënuar përgjithmonë bashkëjetesën e skllavit shqiptar në Kosovë me padronin serb, në Beograd.

Fajtorë për zbehjen e këtij idealizmi janë në radhë të parë krerët e luftës, ata që kanë nënshkruar themelimin e Gjykatës, pastaj krerët e organizatave  të veteranëve të cilët janë bisht i po asaj politike, dhe nuk kanë një qëndrim unik as kanë pasur ndonjë qëndrim decidiv ndaj kësaj gjykate, për veç ankimeve e vajtimeve të mjera, sepse edhe këta duan të ruajnë apo pak favore, që i kanë fituar edhe ato pak para në formë lëmoshe, që ua ndanë qeveria.

Është për të ardhur keq kur këta luftëtarë që kanë marrë pjesë në fronte kundër forcave ushtarake e policore të Milosheviqit, e ulin aq poshtë pazarin e dinjitetit të tyre sa edhe bisedojnë në studiot televizive me bijë e ish-prokurorëve të Serbisë, madje me një përulje shpeshherë  edhe të neveritshme.

Duke qenë të tillë, të përçarë e të inatosur kundër njëri tjetrit, mbi baza krahinore e partiake, veteranët e tillë, vetëm sa i dobësojnë dhe i nëpërkëmbin vlerat e luftës edhe pse e kanë plot gurmazin me fjalë e profka për ruajtjen e atyre vlerave.

Si ruhen vlerat e luftës duke e pranuar një Gjykatë që është themeluar për ta diskredituar luftën e UÇK-së. Përse këta zotërinj veteranë nuk e përkujtojnë rastin e Adem Jasharit, (nën ombrellën e të cilit “freskohen” sa herë ua lypë nevoja,) i cili me bashkëluftëtarët e tij  nuk pranoi të përgjigjet në ftesat e gjykatave e Serbisë, të cilat e dënuan 20 vjet burg në mungesë. Apo ndoshta mendojnë se kjo gjykata Speciale është më e drejtë se ajo e Serbisë së kohës së Milosheviqit. Mirëpo kjo gjykatë raciste fashiste është ajo që pritet të  ndëshkojë vetëm shqiptarë të UÇK-së, por jo kriminelë serbë që kanë kryer krime masive, madje as shqipfolës që kanë qenë në shërbim të makinerisë së Milosheviqit dhe që mjerisht nuk kanë qenë aq pak në numër sikur i minimizojmë, për hir të ‘namuzit”kombëtar. 21 vjet më parë në sulmin kundër komandantit, Agim Bajrami dhe bashkëluftëtarëve të tij, në fshatin Gabrricë, kishin marrë pjesë edhe shqipfolës në radhët e policisë serbe. Të tillët nuk i japin përgjegjësi gjykatës speciale sepse kanë vrarë në rrethim luftëtarë shqiptarë.

Nuk është ky rast i izoluar, as i vetmi. Dihet mirë sa shqipfolës, në Dukagjin dhe jo vetëm atje  iu kanë bashkuar “forcave rajonale” serbe dhe sa prej tyre kanë marrë pjesë në vrasjen e popullatës civile shqiptare, duke u vënë prita luftëtarëve të lirisë. Nga ajo fundërrinë njerëzore ka edhe në listat e veteranëve, sepse realisht  edhe ata paskan luftuar, nuk është me rëndësi në cilën anë kanë qenë asokohe, me UÇK-në apo kundër saj.

“Jorgani” me të cilin  disa krerë të luftës mundohen të mbulojnë mercenarët, sepse kanë përfitime të caktuara prej tyre, sepse i kanë shantazhuar dhe i kanë zhvatur, është ‘jorgani” i cili kutërbon dhe tashmë ka përhapur duhmën e rëndë të ligësisë njerëzore, antikombëtare.

Me krerë të tillë, me komandantë që luftën e tyre  kanë kthyer në kapital politik dhe kanë vjelë e po vjelin favore prej saj, Kosova po shkon drejt rrënimit, sepse këta kanë qenë shpresa e jo politika pacifiste që rrinte në kokërr të shpinës dhe bënte rehat gjumin shekullor pacifist, derisa Kosova ishte përflakur në luftë për jetë a vdekje.

Gjykata Speciale nuk është themeluar për të dështuar, sepse është gjykatë e rangut ndërkombëtarë. Edhe pse është identike me gjykatat në Ruandë e gjithandej  në Afrikë ku veprojnë forcat terroriste, kjo Gjykatë, në rastin tonë, po bën përpjekje për ta varrosur luftën e UÇK-së dhe precedentin  e saj, në mënyrë për t’ iu çuar mesazh baskëve, katalunjasve, venetëve,  hungarezëve në Vojvodinë dhe në Erdel, sanxhaklinjëve në Serbi e në Mal të Zi, vllehve në Serbi, dhe shumë kombeve të tjera, që e duan lirinë.

Porosia e tyre  është e qartë, jo me luftë por vetëm me dialog e bisedime, sepse edhe pas luftës me Serbinë dhe fitores historike të UÇK-së madje edhe ndihmës së NATO-s, BE-ja ka kthyer në tavolinën e bisedimeve edhe pavarësinë e Kosovës, duke u kërkuar kryeparëve të Kosovës edhe një  kompromis të dhembshëm, por jo të fundit, në dobi të Serbisë dhe të serbëve përgjithësisht.

Gjykata Speciale është Golgota e UÇK-së, është gjykatë e inkuizicionit, e drejtuar vetëm kundër eprorëve dhe ushtarëve  të UÇK-së. Pranimi i kësaj gjykate është bërë me maksimën e njohur reaksionare, pacifiste, shqiptare, “gjarpri që nuk me helmon mua rroftë 100-vjet”. Andaj gëzohuni ju shpirt e mendje robër, gëzohuni se “po vjen Specialja”, “Goditja speciale”, “Tërmeti i speciales”, “Specialja s’e ndal vrullin”, ashtu sikur i gëzohen serbët në Beograd dhe rusët në Moskë, sepse  andej buron edhe “rodi” juaj, fara juaj…

Ahmet Qeriqi

  1. 8. 2019

Kontrolloni gjithashtu

BDI dënon vendimet e fundit të Moskës zyrtare për aneksimin e territoreve të Donbasit dhe Luhanskut nga Ukraina

BDI: Qeveria me eksponentë putinistë që nuk e njohin pavarësinë e Kosovës, ka bllokuar marrëveshjet e mëhershme

Bashkimi Demokratik për Integrim, nënvizoi  rëndësinë e bashkëpunimit të ngushtë midis institucioneve të Republikës së …