Zbulohet busti i dëshmorit të kombit Habib Zogaj-Arbri

Në Malishevë, pranë palestrës së sporteve, u bë zbulimi i bustit të dëshmorit të kombit Habib Zogaj, i njohur me pseudonimin Arbi. Në zbulimin e bustit morën pjesë, familja e dëshmorit, kryetari i Komunës së Malishevës, z.Ragip Begaj, kryetari i Kuvendit të Kosovës, z.Kadri Veseli, përfaqësues të organizatave të dala nga lufta e UÇK-së, bashkëluftëtar dhe qytetarë të shumtë. Palestra e Sporteve në Malishevë, mbanë emrin e dëshmorit Habib Zogaj.

kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, tha se “Kosova është krenare që mban bustet dhe lapidaret e dëshmorëve dhe më këtë ne e nderojmë veten, e nderojmë kombin”, përderisa e quajti hero dëshmorin Habib Zogaj, komandant Arbri. “Në emër të institucioneve të Republikës së Kosovës, ju falënderoj në radhë të parë juve prindër që na dhatë djem si Habibi, e që falë kontributit të tyre, Kosova e ka sot lirinë e saj”, tha mes tjerash, Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli.

Ndërsa, Kryetari i Komunës së Malishevës, Ragip Begaj, në fjalimin e rastit, e vlerësoi lartë veprimtarinë dhe kontributin e jashtëzakonshëm të Habib Zogajt, komandant Arbri dhe tha se institucionet dhe shoqëria e kanë për obligim ti nderojnë dhe respektojnë dëshmorët, pasi falë gjakut të tyre, ne sot jetojmë të lirë. “Habib Zogaj, ishte një djalë trim, i shkathët, sportist dhe një luftëtar i madh. Ishte një model për të rinjtë. Ky bust që po zbulohet sot, dhe të tjerët që janë vendosur dhe do të vendosen në institucionet tjera të komunës së Malishevës, sa herë që i shohim do të na kujtojnë se kush na e solli lirinë”, tha kryetari Begaj. Në fund, Begaj  shprehi “ krenarinë që është nga Malisheva, e cila i dha shumë kombit në luftën për liri, e në mesin e tyre edhe dëshmorin Habib Zogaj”.

Në emër të shoqatave të dala nga lufta, një fjalë rasti e mbajti edhe z.Xhavit Jashari, i cili pasi uroi për zbulimin e bustit të dëshmorit Habib Zogaj,  tha se “lufta e UÇK-së, ishte luftë e bërë për lirinë e tokave të pushtuara, prandaj të gjithë duhet të punojmë për realizimin e amanetit të dëshmorëve”, duke cituar fjalët e komandant Kumanovës: Do të luftoj deri sa ta shoh Shqipërinë e bashkuar”.

Për jetën dhe veprimtarinë e Habib Zogaj-Arbri, foli Refki Mazreku, komandant i njësitë “Arbri”. Mazreku, në mënyrë kronologjike tregoi për veprimtarinë e “Arbrit”, para luftës, e në mënyrë të veçantë gjatë luftës, deri në rënien e tij më 25 gusht 1998, së bashku me komandant Kumanovën, në përpjekje për ti marr trupat e dëshmorëve të rënë një ditë më parë, të Gani Kastratit, Afrim Buçajt e Nuhi Mazrekut.

Në emër të familjes, Agron Zogaj, i vëllai i dëshmorit, i falënderoi të gjithë për pjesëmarrjen dhe për kontributin e dhënë, për shkrirjen në bronz të Habib Zogajt.

Në fund, nëna e dëshmorit Habib Zogaj, kryetari i Malishevës, Ragip Begaj, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, veprimtari i çështjes kombëtare Gani Krasniq, Besim Çela nga familja e komandant Colit, komandanti i njësisë “Arbri”, Refki Mazreku dhe përfaqësuesi i shoqatave të dala nga lufta e UÇK-së, zbuluan bustin e Habib Zogajt, komandant “Arbri”.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …