Zbulohet Pllaka Përkujtimore për nder të dëshmorëve dhe martirëve të Luftës Çlirimtare të Kosovës 1998/’99 nga radhët e Gjimnazit “Skënderbeu”

Është zbuluar Pllaka Përkujtimore për nderë të dëshmorëve dhe martirëve të Luftës Çlirimtare të Kosovës 1998/’99 nga radhët e Gjimnazit “Skënderbeu”. Kryetari i Komunës së Kaçanikut Besim Ilazi i cili ishte i pranishëm në këtë aktivitet përkujtimor, tha se kjo pllakë përkujtimore do të jetë orientimi më i mirë për të rikujtuar të gjithë ata që ranë për lirinë që sot po e gëzojmë. Kryetari Ilazi tha se ne të gjallët e kemi obligim që të rifreskojmë historinë e Kosovës, sepse e kemi amanet të të gjithë të rënëve dhe borxh ndaj brezave të rinj. Fjalë rasti në këtë takim mbajti edhe Drejtori i Gjimnazit “Skënderbeu” në Kaçanik Ibush Vishi, i cili çmoi lartë heroizmin dhe sakrificën e të rënëve për lirinë e vendit. “Tani, jemi në prag të përkujtimit të Betejës së 9 Prillit 1999, në Rakoc e në Lagje të Re të Kaçanikut, por që aso kohe betejë e luftë ishte anë e mbanë Kaçanikut e Kosovës, beteja e luftës me çmimin më të shtrenjtë: rënien e më të dashurve tanë në themelet e lirisë, në altarin e atdheut. Sepse, ky ishte ligji i jetës dhe i vdekjes së tyre, i përkushtimit, ligji i përjetësisë së tyre. Dhe, ne po flasim e po i përkujtojmë këta tani, pas 18 vjetësh, se kështu do të jetë edhe pas 180-ve e përgjithmonë. Sepse, freskia e tyre, e dëshmorëve dhe martirëve të lirisë nuk lejojnë ndryshe” tha mes tjerash drejtori Vishi. Drejtori në fund të fjalimit të tij falënderoi donatorët, organet komunale, kolegët dhe nxënësit, të cilët me shumë dashamirësi dhe respekt shërbyen e ndihmuan për meremetimin dhe përgatitjen e ambientit për ngritjen e kësaj pllake përkujtimore. Takimin e përshëndeti edhe motra e dëshmorit Nevzat Çallaku – Rufije Çallaku – Daci, e cila dha një mesazh të shkëlqyeshëm për shkollën, mbi bazën e luftës së lavdishme. Në fund të këtij manifestimi u shfaq një program artistik.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …