Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka konfirmuar se është caktuar një takim për të martën e ardhshme, më 19 mars, në kuadër të dialogut në mes të Kosovës dhe Serbisë në nivel të kryenegociatorëve. Stano ka thënë se në takim, i cili zhvillohet në Bruksel, do të bisedohet për çështjen e dinarit serb, përdorimin e të cilit autoritetet kosovare e ndaluan përmes një rregulloreje të re për valutën që hyri në fuqi në shkurt. “Do ta kemi takimin e radhës në kuadër të dialogut të martën. Janë ftuar për këtë takim kryenegociatorët për të vazhduar diskutimet aty ku kishim mbetur pas takimit të fundit”, ka thënë Stano.
