Fshati Sojevë i komunës së Ferizajt, luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës i ka dhënë dëshmorë e martirë, në mesin e tyre edhe luftëtarët e lirisë, Zejnullah Zejna, i cili ka rënë në Zonën Eperative të Pashtrikutdhe Ramadan Rexhepi-Komandant Adidasi.
Gjatë luftës, forcat ushtarake dhe policore serbe martirizuan Haxhere Nebihun, Nazmi Nebihun, Haki Kçikun, Hamit Halimin, Mehmet Boshnjakun, Qerim Ajvazin, Shaqir Kçikun, Shukri Kçikun, Vehbi Sojevën dhe Xhevahire Tahirin. Serbët dogjën 50 shtëpi të fshatit Sojevë, ndërkohë që popullata civile ishte zhvendosur në drejtime të ndryshme, me qëllim për të shpëtuar nga shfarosja.
Zejnullah Zejna u lind në Sojevë, më 27 korrik të vitit 1967. Babai i tij, Rrahimi dhe nëna Ramizja lindën e rritën Zejnullahun, Fadilin, Behxhetin, Hetemin, Vllaznimin dhe bijat: Fevzijen, Nazmijen e Shqipen.
Shkollën fillore e kreu në vendlindje, ndërsa shkollën e mesme teknike-Dega e Teknologjisë Ushqimore e kreu në Ferizaj. Në moshën 19-vjeçare, sapo kishte mbaruar shkollën e mesme, Zejnullahun, ashtu sikur të gjithë të rinjtë e Kosovës e më gjerë, regjimi serb e dërgoi shërbimin e detyrueshëm ushtarak. Fillimisht e vendosën në kazermën e Leskocit, ku ishte edhe Aziz Kelmendi nga fshati Karaçicë i komunës së Lypjanit, i cili një vit më vonë u bë shqiptari “më i njohur dhe më i paharrueshëm” për ushtrinë okupatore serbe.
Pas lirimit nga ushtria, me qëllim për të gjetur punë dhe për ta ndihmuar familjen shumanëtarëshe, ai shkoi në Zagreb të Kroacisë, ku punoi disa muaj. Meqenëse nuk gjeti punë afatgjate u kthye në vendlindje.
Në vitet ‘90, të shekullit njëzet, ashtu sikurse mijëra të rinj shqiptarë, të cilëve regjimi serb ua kishte mbyllur të gjitha shtigjet për jetë, Zejnullahu mori rrugën e mërgimit dhe fillimisht u vendos në Zvicër, e pastaj shkon në Gjermani. Pas një kohe qëndrimi në qytetin Strucenborg të Gjermanisë, te Zejnullahu shkuan për të punuar edhe dy vëllezërit e tij, Behxheti e Hetemi.
Në mërgim, Zejnullah Zejna, ashtu sikur shumë mërgimtarë të tjerë, nuk e harroi kurrë Atdheun të mbetur nën robëri. Asokohe në qytetin Bielefeld të Gjermanisë u anëtarësua në Klubin “Kosova ‘81”. Gjatë viteve të qëndrimit në Gjermani, ai ishte martuar me gjermanen, Suzan Smith, e cila e përkrahu në jetë dhe në veprimtarinë e tij në shërbim të kombit e Atdheut.
Në pranverë të vitit 1999, kur forcat okupatore serbe ishin goditur nga ajri nga aeroplanët e NATO-s ishte intensifikuar lufta sidomos në kufirin administrativ, në mes Kosovës e Shqipërisë, kufi që i ndante përmes trojet shqiptare. Asokohe me vendim të SHP të UÇK u përgatit dhe filloi të zbatohet Operacioni ushtarak “Shigjeta”, qëllimi i të cilit ishte thyerja e kufirit dhe vendosja e një korridori të armatimit për forcat e UÇK-së, në zonat operative të luftës, që kishin mbetur pa municion të mjaftueshëm. Mijëra shqiptarë nga mërgata në Gjermani, Zvicër, madje edhe nga ajo e Shteteve të Bashkuara të Amerikës ua mësynë fronteve të luftës së UÇK-së në Pashtrik e në Koshare, ku luftimet nuk ishin ndërprerë për asnjë çast. Në mesin e atyre që ishin përcaktuar për të luftuar deri në pikën e fundit të gjakut, për çlirimin e Kosovës nga barbaroidët serbë, ishte edhe Zejnullah Zejna, i cili ashtu si shumë të tjerë u radhitën në frontet e luftës së UÇK-së.
Pasi kishte kaluar nëpër disa kazerma të Shqipërisë, duke pritur për sistemim në radhët e organizuara të luftës, Zejnullahu më në fund u vendos në repartet e UÇK-së, në Kukës. Meqë kishte kryer shërbimin e rregullt ushtarak dhe ishte i aftësuar në përdorimin e armëve, u caktua shenjëtar në Togun e Topave TF-2, në Gorozhup të Pashtrikut. Asokohe, komandant toge ishte luftëtari, Ismet Lushi, pastaj Naser Ramadani në fshati Tërn i Ferizajt. Bashkëluftëtarë të tij ishin Xehmajl Rexhepi, Blerim Hazrolli, Petrit Ahmeti, Naim Kiçmari, Xhemail Vogliqi, Pajazit Daci, e shumë luftëtarë të tjerë nga shumë vise të Kosovës.
Më 3 qershor të vitit 1999, në vijën e frontit, nga shpërthimi i granatës, luftëtari, Zejnullah Zejna u plagos rëndë. Bashkëluftëtarët e tij u mobilizuan për ta dërguar në drejtim Krumës, por gjatë rrugës ai për herë të fundit kishte thithur ajrin e bërë shkrumb të trojeve shqiptare dhe kishte mbyllur sytë me besim se gjaku i tij i derdhur për çlirim do t’i sillte dritë e rreze lirie Kosovës. Bashkëluftëtarët e varrosën në varrezat e Krumës, ndërsa pas luftës trupi i dëshmorit, Zejnullah Zejna u rivarros në Varrezat e Dëshmorëve të UÇK-së, në Ferizaj, ku pushon në përjetësi.
Familja Zejna nga Sojeva ka marrë mirënjohje nga SHP i UÇK-së, nga Ministria e Mbrojtjes së Qeverisë së Përkohshme, nga shoqata e luftës dhe Kuvendi komunal i Ferizajt. Pllaka përkujtimore e dëshmorit ndodhet në oborrin e shkollës fillore, në Sojevë të Ferizajt. (A. Q.)
Kontrolloni gjithashtu
Ilmi Sadri Aliu (25.10.1964 – 5.11.1998)
Dëshmori i kombit, Ilmi Aliu, u lind në Izbicë të Drenicës, në vjeshtën e vitit …