Zekë Lushaj, është një nga ato figura që kanë lënë gjurmë të pashlyera në historinë dhe kulturën shqiptare. Ai është i njohur si rapsod, mësimdhënës dhe veteran i luftës, duke e shkrirë jetën e tij mes atdhedashurisë, edukimit dhe artit.
I lindur në një kohë sfidash të mëdha për popullin shqiptar, mixha Zekë kishte rrugëtim të gjatë si mësimdhënës, duke u përkushtuar me pasion në edukimin e brezave të rinj. Arsimi për të nuk ishte thjesht profesion, por një mision për të ndriçuar mendjet dhe për të forcuar identitetin kombëtar. Përmes mësimdhënies, ai mbolli farën e dijes dhe të krenarisë kombëtare te shumë të rinj, të cilët më vonë u bënë shtylla të shoqërisë.
Përveç kontributit të tij në arsim, mixha Zekë spikati edhe si një rapsod i shquar i kohës së tij. Me zërin dhe vargjet e tij, përcolli historinë, dhimbjen dhe lavdinë e popullit shqiptar, duke e ruajtur dhe trashëguar artin e çiftelisë dhe të folklorit. Krijimtaria e tij artistike nuk ishte vetëm argëtim, por edhe një formë rezistence kulturore kundër përpjekjeve për të tjetërsuar identitetin shqiptar. Si krijues dhe interpretues i vargjeve me tematika të ndryshme, bëhet i veçantë karshi kolegëve të tij.
Kontributi i mixhës Zekë nuk ishte vetëm në fushën e arsimit dhe të krijimtarisë artistike. Mirëpo, kur atdheu e thirri nuk qëndroi duarkryq, duke iu bashkua radhëve të atyre që luftuan për lirinë dhe dinjitetin e Kosovës. Sakrifica dhe përkushtimi i tij janë dëshmi e një dashurie të pakufishme për vendin, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës.
Mixha Zekë mbetet një figurë e respektuar dhe e dashur nga të gjithë ata që e njohën. Ai është një shembull frymëzimi për brezat e sotëm dhe të ardhshëm, duke dëshmuar se njeriu mund të jetë njëkohësisht mësues, artist dhe luftëtar në shërbim të kombit. Trashëgimia e tij jeton përmes kujtimeve, këngëve dhe vlerave që ai la pas, duke mbetur një emër i paharruar në historinë tonë kombëtare.
Si djali i vëllait të tij, ndjej krenari dhe obligim që të kujtoj dhe të nderoj jetën dhe veprën e një njeriu të madh, që i dha kaq shumë këtij vendi dhe këtij populli. Kujtimi i tij do të mbetet.
Adem Lushaj