Zenel Zekolli: ANI ÇKA!..

Zenel Zekolli: Brenga ime e madhe është se luftuam e derdhëm gjak për çlirimin e vendit, por tani popullata po na ikën…

Eprori i Luftës së UÇK-së, mësues, pjesëmarrës në protestat e vitit 1981, profesor i gjuhës por edhe këngëtar i njohur,  Zenel Zekolli, në një bisedë të gjatë në studion e TV-Diellit ka folur për traditën atdhetare të banorëve të Bllacës, duke veçuar edhe personalitete të njohura të së kaluarës e sidomos të luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ai ka treguar se luftës për çlirimin e Kosovës nga regjimi kriminal i Beogradit,  Bllaca i ka dhënë dëshmorët:  Bislim Zekolli, (vëllai dhe bashkëluftëtari i tij) Mehmet Lumi, Shaban Nuhi Iballi, Kadri Çollaku, Sahit Tixhaj,  Sadri Hasan Guraziu, Salih Kermeni, po ashtu ky fshat qëndrestar ndër shekuj, lirisë së Kosovës i ka dhënë edhe dhjetëra të plagosur në mesin  e tyre edhe vetë, Zenel Zekolli. Shtatë banorë të Bllacës janë martirizuar në Korishë, në kazermën në të cilin serbët kishin ndaluar shqiptarët, me qëllim që t’ i bombardonte NATO-ja. Atë ditë të majit të vitit 1999 janë martirizuar shtatë banorë të Bllacës në mesin e 80 shqiptarëve të tjerë.  Disa banorë të Bllacës janë vrarë nga forcat serbe në intervale të ndryshme kohore gjatë luftës. Dhjetëra të tjerë janë plagosur.

Zenel Zekolli ka rrëfyer për luftimet që i ka zhvilluar fillimisht Kompania e Bllacës, që cilin e kishte komanduar ai, si dhe aksionet e para, të suksesshme kundër ushtrisë dhe policisë serbe. Ai ka treguar se luftëtarët e Bllacës prej fillimit e deri në mbarim të luftës kanë qëndruar në pikat strategjike, në mbrojtje të popullatës civile, kundër së cilës hakmerrej policia serbe në rast të humbjeve në luftë përballë UÇK-së.  Ai ka rrëfyer për ofensivat serbe të verës, për rënin e vëllait të tij, Bislim Zekollit më 23 gusht 1998, pastaj rënien e luftëtarëve, Gani Kastrati, Nuhi Mazreku, Afrim Buçaj, Habib Zogaj dhe vetë komandantit, Ismet Jashari-Kumanova më 24 dhe 25 gusht,  plagosjen e  tij dhe të  shumë bashkëluftëtarëve gjatë asaj ofensive.

Eprori i luftës së UÇK-së, Zenel Zekolli ka thënë se të gjitha pikat e mbrojtjes në fshatrat që i kishte nën kontroll Brigada 121, Ismet Jashari Kumanova, kanë qenë bedene të pathyeshme, meqë në radhë të parë ishte mbrojtja e popullatë së zhvendosur, ku ishin strehuar dhjetëra mijëra banorë nga të gjitha fshatrat e përfshira në luftë.

Në muajt e fundit të luftës, Zenel Zekolli ishte komandant i Kompanisë së Bllacës, e cila mbante emrin e vëllait të tij dëshmor, “Bislim Zekolli”. Kjo kompani që kishte përbërjen dhe forcën  mbrojtëse e sulmuese të një batalioni,  ishte vendosur në hyrje të fshatit Javor, të Rrafshnaltës, mbi grykën e Krojmirit ku jetonin rreth 30,000 të zhvendosur. Rruga prej Qafës së Duhlës, Luzhnicë Javor ishte mbrojtja nga baza e madhe ushtarake serbe në Qafë Duhle, nga ku forcat serbe bënin  përpjekje të depërtonin në malet e Berishës, por në maj të vitit 1999 ishin goditur rëndë nga aeroplanët bombardues të NATO-s dhe ishin shpartalluar.

Luftëtari i lirisë, invalidi i luftës, eprori i UÇK-së, Zenel Zekolli  me luftëtarët e tij kishte pritur lirinë e Kosovës, më 11 qershor të vitit 1999, në vijat e frontit, me dhembje për të rënët, por edhe krenar për qëndresën fitoren.

Pas luftës ishte sistemuar në kreun komandues të Trupave  Mbrojtëse të Kosovës, në Zonën e Tretë, ku ka vepruar deri te transformimi i saj, në FSK.

Brengën të cilën e ka shprehur me këtë rast është gjendja e rëndë ekonomike e  bashkëluftëtarëve, një numër i madh nga të cilët sërish ka marrë rrugën e mërgimit. Ai po ashtu kritikon zyrtarët me mungesën e  zhvillimin ekonomik të vendit, me ikjen e rinisë dhe zbrazjen e fshatrave. Bllaca ka rreth 800 shtëpi, por nga ato rreth 400 janë të zbrazëta. “E njëjta gjendje është në fshatrat e tjera dhe kjo është brenga ime më e madhe, sepse luftuam  e derdhëm gjak për çlirimin e vendit dhe tani popullata po na ikën, në mungesë të punës, në mungesë të investimeve në zhvillimin ekonomik të vendit”, ka thënë mes tjerash në bisedën e zhvilluar në studion e TV-Diellit, Eprori i Luftës së UÇK-TMK-së mësues, pjesëmarrës në protestat e vitit 1981, profesor i gjuhës por edhe këngëtari shumë i njohur i këngës atdhetare,   Zenel Zekolli. ( 7. 6. 2019)

 

Kontrolloni gjithashtu

Flet Dr. Vladimir Mici: – Rritja e çmimeve nga inflacioni është më e madhe sesa rritja e pagave nga inflacioni duke sjellë ulje të fuqisë blerëse

Flet Dr. Vladimir Mici: – Barazimi Euros dhe dollarit sinjalizon se ekonomia europiane po i …