* Në vitin 1978/1979 Fehmi Lladrovci, në Zagreb, ishte anëtar i kryesisë së shoqatës së studentëve shqiptarë “Shkëndija”, kurse në vitin 1982/1983 formoi qelizën e parë të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës.- Me ndihmën e gjeneralit Tom Berisha, Kroaci, në vjeshtën e vitit 1991, u bë një organizim ushtarak me 490 ushtarë shqiptarë, 100 prej të cilëve ishin me përvoja ushtarake nga ish-armata jugosllave.- Një arsenal të madh të armëve të zënë në luftën e Kroacisë Fehmi Lladrovci, nëpërmjet Shqipërisë, synonte ta sillte në Kosovë. –Si mashtroi Qeveria e Kosovës në mërgim?
Zeqir Bekolli
Ton Marku, mërgimtar nga Kroacia, në tetëmbëdhjetë vjetorin e rënies së komandant Fehmi Lladrovcit, shpalosi një seri kujtimesh, disa prej të cilave janë të panjohura për publikun. Dëshmitë që sjell Marku me këtë bisedë, figurën e Fehmi Lladrovcit e bëjnë edhe më madhështore. Siç tha Toni, komandant Fehmi Lladrovci është njëra prej fytyrave më emblematike të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që me shembullin dhe kontributin e tij mund të rreshtohet pa dilema menjëherë pas komandanti legjendar Adem Jasharit.
Aktivitete në mesin e studentëve të Zagrebit
Fehmiu që nga mosha e re është i njohur për veprimtarinë e tij atdhetare. Kjo mund të dëshmohet edhe nga veprimtaria e tij si nxënës e më vonë edhe student i Universitetit të Zagrebit, në shoqatën e studentëve shqiptarë “Shkëndija”, në vitin 1978/1979,ku ishte edhe vet anëtar i Kryesisë së saj . I përkrahur nga disa bashkëmoshatarë, tha Ton Marku, Fehmiu në atë periudhë organizon edhe një vizitë në Republikën e Shqipërisë, për 90 studentë shqiptarë, ku qëndruan 3
javë. Ishte kjo një dëshmi, që e dallonte Fehmiun nga të tjerët për organizime të reja.
Se Fehmiu, që në moshën studentore ishte i dhënë pas çështjes kombëtare, flet edhe interesimi i tij , që në krye të shoqatës “Shkëndija”, ku kryetar ishte Ramush Tahiri, të zgjidheshin studentë të përcaktuar kombëtarisht . Ndërkaq, retorika e tij me studentë, gjithherë ka pasur përmbajtje kombëtare . Kjo bëri që rreth vetës Fehmiu të grumbullojë shumë studentë shqiptarë, kurse në vitin 1982/1983 në Zagreb arriti të formojë qelizën e parë të Lëvizjes Popullore për Republikën e Kosovës, me këtë përbërje: Fehmi Lladrovci, Hafir Shala, Xhelal Canziba,Hazir Tara,Rrahim Bytyçi, Ton Marku dhe Fadil Demiri. Pjesë e kësaj qelize për kontakte me Kosovë është caktuar Shaban Shala, kurse për mërgim Ali Ahmeti.
Pas këtij rasti, nga studentët anëtarë të kësaj lëvizjeje kanë filluar aktivitetet më konkrete për Kosovën dhe çështjet tjera, që lidheshin me interesin kombëtar. Aty ka ardhur në shprehje edhe guximi i Fehmiut, t’u afrohej studentëve për t’i njohur me programin e LPRK-së. Fehmiu ishte njeri i sinqertë, i hapur, i bindur dhe shumë trim , sepse me veprimet e tija ka rrezikuar shumë. Nuk vonoi shumë e në vitin 1985, për shkak të këtij aktiviteti politik, grupi i studentëve të LPRK-së në Zagreb, bashkë me Fehmiun arrestohen. Fati deshi, që Fehmiu në vitin 1990 ishte duke vuajtur dënimin në burgun e Lepogllaves, në kohen kur Kroacia shpalli amnistinë për të burgosurit politikë, nga e cila lirohet nga burgu.
Pas lirimit të tij, nuk ka kaluar as një muaj dhe Fehmiu organizon demonstratat e para të studentëve në Zagreb në shenjë përkrahje të minatorëve dhe gjendjes në Kosovë. Kjo demonstratë hasi edhe në përkrahje të kroatëve. Me një fjalë, me këtë demonstratë Fehmi Lladrovci hapi një front të ri për Kosovën edhe me retoriken e tij, para demonstruesve, lexoi disa kërkesa drejtuar demonstruesve dhe opinionionit të asaj kohe. Fehmiu, në Kroaci ka gëzuar edhe përkrahjen e ish-të burgosurve kroatë, me ndihmën e të cilëve ka organizuar edhe disa tryeza politike për çështjen e Kosovës. Miq të ngushtë të komandant Fehmiut ishin Gjuro Perica dhe Marko Veselica, figura kyçe politike dhe ushtarake në luftën e Kroacisë.
Organizimi ushtarak
Në vitin 1991, kur Kroacia e shpalli luftën u bënë edhe organizime të brendshme për mobilizim me njerëz të caktuar, ish-të burgosur, në mesin e të cilëve kishte edhe shqiptarë. Me ndihmën e gjeneralit Tom Berisha, ka filluar organizimi i një grupi ushtarak nga radhët e shqiptarëve, ku ishte edhe Fehmiu. Ky organizim ushtarak i bërë në vjeshtën e vitit 1991, në fillim i kishte 490 shqiptarë, 100 prej të cilëve ishin me përvoja ushtarake nga ish-armata jugosllave. Aso kohe, mendohej edhe për hapjen e një fronti të përbashkët kroat-slloven-boshnjak dhe shqiptarë, për t’ju kundërvënë agresionit të armatës serbo – jugosllave, por kjo ide nuk u realizua kurrë .
Me fillimin e luftës në Kroaci, mese 7300 ushtarë që ishin duke shërbyer në Kroaci lëshuan radhët e asaj armate ,kurse të ndihmuar nga veprimtarët shqiptarë që jetonin në atë vend u larguan në drejtim të vendeve evropiane.
Formacioni ushtarak shqiptar i formuar në Zagreb, tha Ton Marku, pa vonuar shumë u nis për në Gospiq. Me ta shkoi edhe një numër i madh i ushtarëve shqiptarë, që kishin braktisur kazermat e ushtrisë jugosllave. Në ditën e tretë të qëndrimit, Gospiqi kishte filluar të bombardohej nga armata jugosllave. Me të filluar të këtij bombardimi, një numër i të rinjve shqiptarë janë tërhequr prej atij vendi, por jo edhe Fehmiu, i cili bashkë me 96 shqiptarë ka mbetur për të vazhduar luftën. Aty, Fehmiu e ka marrë rolin e komandantit të atij formacioni ushtarak, që është financuar nga LPRK-ja.
Ushtarët shqiptarë në uniformat e tyre, në njërin krah bartnin shqiponjën dy krenare , kurse në krahun tjetër emblemën e Kroacisë. Është e rëndësishme të theksohet se me një vendim të Ministrisë së Mbrojtjes së Kroacisë, armatimi që fitohej në beteja ose më mirë të thuhet që i zihej armikut ndahej për gjysmë. Gjysma i dorëzohej ushtrisë kroate, kurse gjysmën tjetër e merrnin ushtarët shqiptarë që luftonin në Kroaci.
Është fakt i njohur se shqiptarët janë dalluar shumë në luftime në Kroaci. Madje, shpeshherë kanë marrë edhe aksione të panevojshme për shtyrjen e vijës së zjarrit, gjë të cilën shpeshherë nuk e bënte ushtria kroate. Dhe sa herë që kanë ndërmarrë aksione armikun e kanë larguar për 2-3 kilometra. Edhe armata jugosllave e dinte këtë gjë dhe kur sulmonin ushtarët shqiptarë ajo gjithherë
zmbrapsej nga sulmet e tyre. Në këto luftime të kësaj natyre ishin dalluar Fehmi Lladrovci, (që përkrah kishte Xheven), Naim Shala , Bekim Berisha, Ramë Cërvadiku,… e të tjerë.
Qeveria në mërgim shpërbeu formacionin ushtarak të shqiptarëve!
Ky formacion ushtarak në Kroaci ka luftuar më tepër se një vit, derisa Qeveria e Kosovës, në mërgim, nuk kërkoi ta shpërbënte atë . Në qytetin Bakar, është mbajtur në takim, ku ka qenë edhe Ramush Tahiri, nga Ministria e Mbrojtjes së QK-së, ku është kërkuar shpërbërja e kësaj brigade. Një takim i ngjashëm është mbajtur edhe në Zagreb, për ta shpërbërë atë formacion ushtarak të shqiptarëve me arsyetimin se ata ushtarë duhej të hynin nën ombrellën e Qeverisë së Republikës së Kosovës, përkatësisht Ministrisë së Mbrojtjes.
Një rol për shpartallimin e këtij formacioni , tha Ton Marku, e ka luajtur Ramush Tahiri. Me shpartallimin e këtij formacioni ushtarak brigada u transferua në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes të QRKS-së, ku u përcaktuan edhe disa kushte, që synoheshin të realizoheshin. Kjo, pohoi Tonë Marku, ishte një formë e mashtrimit, nga frika se ne po bënim brigada të fuqishme, sepse afro 3000 ushtarë shqiptarë ishin aktiv në luftën e Kroacisë.
Pas tërheqjes nga Gospiqi, është bërë kërkesë që të kalohej në Shqipëri për të vazhduar me ushtrime. Për këtë ka qenë i interesuar edhe Prof. Halil Alidemaj. Por në këtë projekt, figura e Fehmi Lladrovcit ka qenë kyçe dhe dëshira e tij ishte që të bëhej ushtria me ushtarët dhe grupi i oficerëve aktiv në luftën e Kroacisë. Për këtë çështje një takim u bë në Tiranë, në vitin 1993 me të rinjtë që ushtronin
në Shqipëri, në kuadër të UÇK-së. Në atë takim kanë qenë: Tom Berisha, Fehmi Agani, Halil Alidema, Ali Aliu dhe Ton Marku, ku u bisedua për bashkimin e të gjitha grupeve të armatosura.
Por, kundrejt këtij vullneti, mashtrimi i QRKS-së, këta entuziastë i demoralizoi shumë. Të rinjtë shqiptarë kishin mundësi të ushtronin edhe në Kroaci edhe në Slloveni, terren që ua siguroi Jansha, por dëshirë e tyre ishte të shkonin në Shqipëri për të ushtruar. Madje, në Delnice dhe Zagreb, ushtarët shqiptarë kishin grumbulluar një armatim shumë të madh dhe atë synonin ta bartnin nëpërmjet anijeve në Shqipëri, për nevojat e Kosovës. Në mesin e atij armatimi të fituar në fushëbetejë kishte edhe shumë tanke si dhuratë e luftës. Pra, synimi i Fehmiut ishte se duke luftuar armikun atje, të bëhej një përvojë lufte dhe pastaj brigadat e shqiptarëve të ktheheshin në Kosovë, me armët e fituara dhe me armatim.
Ndërkaq, për depotë e armëve, për të cilat kujdeseshin disa oficerë shqiptarë, ka thënë Ton Marku, ka kontaktuar Ramush Tahirin të cilit i ka thënë se të gjitha armët e fituara në luftë ishte në gjendje me anije t’i dërgonte në Tiranë, për nevojat e luftës në Kosovë. Ato armë prej armatimit më të rëndë deri të ato më të lehta ishin fituar me luftë. Pala kroate, gjashtë muaj me radhë kishte pritur që të tërheqin armët nga depotë nga pala kosovare. Por, meqë kjo nuk ndodhi, me fillimin e luftës në Bosnje e Hercegovinë, pala kroate u interesua nëse armët do të merreshin, sepse atyre u duhej armatim me të nisur lufta edhe në Bosnjë. Por, Ramush Tahiri, si përfaqësues i Ministrisë së atëhershme të
Mbrojtjes, sipas Tonit ka thënë se nuk u duheshin ato armë. Pas këtij refuzimi të Qeverisë së atëhershme të Kosovës, këto armë, iu huazuan palës kroate.
Takimet politike , që pasuan e zbehen edhe më nismën e Fehmi Lladrovcit për të përgatitur një formacion të madh ushtarak në Kroaci dhe prej atje, me armët e fituara në luftë me mësyrë Kosovën . Armatimi i madh, që e kishte në dispozicion formacioni ushtarak shqiptar në Kroaci, ishte dhuratë nga marrëveshja me Ministrinë e Mbrojtjes së Republikës së Kroacisë. Ky arsenal armësh, në një mënyrë nisi ta rrezikojë edhe komandant Fehmi Lladrovcin, ndaj nga një mik i tij u sugjerua që të largohej për pak kohë nga Kroacia. Ky rast, por edhe rasti kur Fehmiu u bind se Qeveria e atëhershme nuk e kishte seriozisht , ndikuan që të largohej në Perëndim.
Ndërkaq, në vitin 1996, Fehmiu vjen në Lubjanë, sepse nuk mund të hynte në Kroaci. Aty, tha Ton Marku, u takuam dhe biseduam për gjendjen e re të krijuar në Kosovë. Atë kohë, Fehmiu kishte kontakte me njerëzit e burgjeve por edhe të gueriles që vepronte në Kosovë e konkretisht me komandantin legjendar Adem Jashari. Ndaj, në fillim të muajit maj të vitit 1997, Fehmiu përpiqet të hyjë në Kosovë tok me vëllezërit Ramush e Shkelzen Haradinaj, me vëllain e tij Ramizin e të tjerë. Në kufi, bien në pritë me ç’rast në përballje me ushtrinë serbo-jugosllave bie Luan Haradinaj, kurse Fehmiu plagoset. Në pamundësi për të depërtuar në Kosovë, me plagë në trup Fehmiu kthehet në Lubjanë e prej atje në Gjermani.
Takim i rëndësishëm në Mynhen
Para daljes së UÇK-së në skenë, më 28 nëntor 1997, Toni me Martin Berishen, Hakif e Kadri Hamitin, Mark Shalen, Naim Malokun, Fadilin, oficerë ushtarakë aktivë kanë shkuar te Fehmiu në Mynhen të Gjermanisë, ku me disa veprimtarë nga Zvicra në mesin e të cilëve ishte Xhavit Haliti, nga Germania, Ibrahim Kelmendi, Rexhë Ibërdemaj e tjerë, kanë biseduar nja 15 orë në banesën e Fehmi Ladrovcit. Aty janë marrë disa qëndrime konkrete dhe janë ndarë detyrat. Ndërsa, pas rënies së komandantit legjendar Adem Jashari, Fehmiu ka kërkuar nga Toni, që ne mediat kroate të përhapte lajmin se Adem Jashari ishte i gjallë. Pas rastit të Prekazit, Fehmiu niset për Kosovë, kurse nga Toni ka kërkuar që t’ia dërgonte Bekim Berishën nga Kroacia për t’u nisur për Kosovë.
Për Ton Markun, janë dy personalitete të rralla si Fehmi Lladrovci dhe Bekim Berisha, që i kishin thënë se po shkonin për të vdekur për Kosovën, që nënkupton përcaktimin e tyre për t’u flijuar për vendin e tyre. Fehmi Lladrovci si personalitet me një trimëri të rrallë, gatishmërinë për t’u flijuar për Kosovën e pat thënë hapur edhe para reporterëve të kanalit televiziv anglez BBC. Në luftime e takime, gjithmonë Fehmiu ka qenë i shoqëruar me bashkëshorten Xheven.
Me ardhjen e tij në Drenicë, bashkë me Bekimin kanë filluar organizimin ushtarak, nga niveli i skuadrës batalionit, brigadës, me qëllim që UÇK-ja të funksionojë si një ushtri e organizuar ku do të kishte hierarki, komandë dhe disiplinë. Ky veprim i Fehmiut ndikoi edhe në ndryshimin e konceptit dhe të filozofisë së UÇK-së duke i dhënë asaj fizionominë e ushtrisë.