( Avdi Shala: “Fluturoni, Fluturoni”, përmbledhje me poezi, Prishtinë, 2014)
Bashkëvendësi ynë, Avdi Shala është bërë i njohur në fushën e Letërsisë për fëmijë me poezitë dhe prozën, që janë të kapshme për brezin të cilit edhe ia dedikon. Kështu ndodhë edhe me përmbledhjen e tij “Fluturon, Fluturon”, me të cilën poeti me sukses ka arritur të zbres në nivelin e fëmijës dhe të hyjë në botën e tyre, për t’ia prezantuar atij idetë, fantazitë dhe porositë me karakter edukues. Këto synime , ai, do t’i shfaq, që në vjershën e parë të kësaj përmbledhjeje, të titulluar “Vendlindja ime”, të cikli “Mirëdita, Mirëdita”, në të cilën autori , para lexuesve të vegjël nxjerr në pah të gjitha karakteristikat dhe bukuritë që i ka vendlindja duke e dhënë përgjigjen njëkohësisht se përse duhet dashur ajo. Duke shpërfaqur karakteristikat, që ka vendlindja, autori, ndoshta edhe spontanisht shpalos para fëmijëve emocionet dhe dashurinë që ndjen vet për vendlindjen. Këtë e dëshmojnë edhe vargjet:
Ah, thellë në mua,
Jeton e jeton.
Për autorin, vendlindja, jo vetëm që është e dashur, e bukur, me qiell të stolisur, me mijëra yje, por ajo është edhe e begatë. Me një fjalë është edhe burim i jetës, arat e së cilës prodhojnë bukën, që është jetike për njeriun, si drita e diellit, siç e dëshmojnë edhe vargjet:
Buka,o bir buka,
Syve ju jep dritë,
Pa dritë të diellit
S’ka jetë as rritë.
Ky lloj i komunikimit me fëmijë, që zë fill, që në nismë të librit vazhdon të përshkojë të gjitha poezitë, në vargjet e të cilës kërkon të zhduken grindjet, zilia, si vese jo të mira, e në vend të tyre të duhen shkronjat, shkolla, ku fitohen vetëm pesa. Te vjersha “Ikja e njëshave”, autori u tregon fëmijëve se si njëshat u detyruan të shkonin në tjetër shkollë nga zelli i nxënësve të cilët në ditarët e tyre merrnin vetëm pesa dhe për ta nuk kishte vend në ditar.
Është mjaft simbolike edhe dialogu që zhvillon poeti me dallëndyshen, te poezia “Rri këtu në Prishtinë”, dhe porosia e tij, që ajo të mos largohej prej Kryeqyteti, prej vendit të bukur të Gërmisë, prej çerdhes duke i thënë se “Këtu vendlindjen e ke”, se në rrugëtimin e gjatë, nëpër vende të huaja të presin shumë të papritura. Duke bërë dialog me dallëndyshen, autori, në mënyrë simbolike flet edhe me fëmijët mërgimtarë të cilët janë shpërndarë anë e kënd botës dhe një ditë presin të kthehen në vendlindjet e tyre, “Ku i duan fort”. Autori, megjithatë nuk e humbet shpresën, kur thotë se “Kthehem mik, por pak më vonë”.
Poeti për personazh të porosisë së tij ka edhe Shën Terezën e njohur si Nëna Terezë, të cilën nëpërmjet figurës së saj paraqet humanizmin, në përpjekjet për t’ju ndihmuar të varfërve, duke qenë gjithnjë pranë tyre, me dëshirën që në botë të mos ketë uri, si te poezia “ Kalkuta, ah Kalkuta”, vendi ku shërbeu pjesën më të madhe të jetës së saj Shën Tereza, e cila siç thotë autori kujdesej që “Shpirtrat e molisur të mos zhgënjeheshin”. Se kontributi në jetë për autorin paraqet vlerë, pos rastit të Shën Terezës, e hasim edhe të poezia “Fanarët”, nëpërmjet të cilës poeti synon t’ju tregojë fëmijëve se fanarët e këtij populli ishin mësuesit tanë të cilët sakrifikuan që ne të shohim ditën e diturisë, gjithnjë pa u ndalur, madje edhe nëpër bodrume përhapen diturinë. Kështu autori e përshkruan sakrificën e tyre:
Në kohët më të vështira,
Qëndruan stoik.
Në këtë përmbledhje vjershash, poeti për personazhe ka edhe shtazët, siç është lepuri i cili për një karotë shet Prishtinën kur e kap uria. Pra, poeti, shtazëve e shpezëve e shohim t’ua mëveshë karakteristikat e njerëzve. Në të tilla raste, Shala nxjerr në shesh edhe talentin e tij për ta shndërruar i realen në reale, kurse shtazëve, shpezëve edhe gjësendeve t’ua mëveshë karakteristikat e njerëzve, që ata si kanë. Ai madje përdor edhe hiperbolën, kur thotë se “lepurin kur e kap uria, për një karotë e shet tërë Prishtinën”, që konsiderojmë se nëpërmjet këtyre vargjeve, me sukses arrin ta provokojë imagjinatën e fëmijës. Imagjinatën e fëmijës poeti do ta provokojë edhe me trupat qiellorë, siç është dielli, pastaj me Qukapikun që bëhet doganier, me Gaforren mizore, që theu dhëmbët në Llap, me Kërmillin “frajer” e kështu me radhë.
Vjersha me porosi të qarta edukative haset edhe të cikli „Fluturime me gëzime“. Fjala është për vjershën “Lutja e fëmijëve”, drejtuar shoferëve që të jenë të kujdesshëm dhe para secilit fëmijë të ngadalësojnë dhe ndalojnë makinat e tyre, sepse edhe ata dikur ishin të vegjël.
Poeti , siç thamë më sipër, vjershën e parë e nis me vendlindjen, por me këtë përmbledhje arrin ta shëtis mendjen e fëmijës edhe në Gjithësi, por edhe përtej kufijve të atdheut, te lumi Nil, që është burim i jetës për njerëzit dhe gjallesat e Lindjes së afërt, siç thotë në vargjet e vjershës “Turbullimi i Nilit”, të cilit i gëzohet vetëm grabitqari – Krokodilli, sepse në ujin e turbullt shpreson të grabisë ndonjë gjë për vete :
N’Aleksandri
Kur turbullohet Nili
Gëzohet pa masë
Vetëm Krokodili.
Gjyshi, është tjetër personazh i dashur i fëmijëve në këtë përmbledhje. Atë e shohim të shoqërohet me ta edhe gjatë lojës kur fëmijët bëjnë ndonjë mahi edhe Gjyshi, thotë poeti, bëhet si fëmijë, te vjersha “Gjyshi fëmijë”. Ndërsa te vjersha tjetër e titulluar “Fluturoni, Fluturoni”, në bazë të së cilës edhe përmbledhja titullohet, i kushtohet ditës ndërkombëtare të fëmijëve. Në këtë poezi poeti fëmijët i krahason me pëllumbat, të cilët i porositë të argëtohen, të luajnë e të buzëqeshin pa frikë, para shtatores së “Skënderbeut”, në sheshin “Nëna Terezë”, ku “ vaji i dikurshëm u kthye në gazmend”. Pra, fëmijët poeti i porositë të buzëqeshin dhe vetëm të buzëqeshin se mikun më të madh e kanë, atje, në Amerikë, me çka dëshiron të tregojë se ata janë të sigurte në vendin e tyre. Ndërkaq, Shala, me këto vargje dëshiron të shpreh edhe mirënjohjen për kontributin që dhanë Shtetet e Bashkuara për lirinë e vendit tonë.
Përmbledhja për fëmijë “Fluturon, Fluturon” e krijuesit për fëmijë Avdi Shala, për të cilin po flasim ,sot, ka fituar çmimin “Ymer Elshani”, në vitin 2014, të cilin e jep Karavani i Shkrimtarëve për Fëmijë “Agim Deva”. Ajo përbëhet nga katër cikle: “Mirëdita, Mirëdita”, “Fluturime me gëzime”, “Gëzimi i Krokodilit” dhe “Poema, Poema”, që gjithsej kanë 132 vjersha.