Me Konferencën e Rambujesë, kur praktikisht çështja e Kosovës mori rrugën e zgjidhjes, pat ndodhur edhe një diçka, që gati pat kaluar në heshtje. Çështja e Kosovës, e cila deri në atë kohë udhëhiqej nga Uashingtoni, përkatësisht SHBA-ja, u zhvendos në Bruksel, me ç’rast Uashingtoni u bë partner me BE-në, kur është në pyetje Kosova. E mbajmë mirë mend se gjatë luftës, qe folur se Kosova mund të ishte edhe shteti i 51 i SHBA-së, por me këtë zhvendosje një diplomat amerikan në Departamentin e Shtetit patë thënë se: “Kjo çështje i rrëshqiti nga dora superfuqisë”. Këto situata, i pat shpjeguar qartë ish-sekretarja e shtetit Medlin Ollbarajt, me të lënë Shtëpinë e Bardhë, pas përfundimit të mandatit, në një konferencë për media në Pallatin e Rinisë në Prishtinë, me rastin e vizitës së saj. Në atë Konferencë, më sa më kujtohet, znj. Orbrajt, (po e parafrazoj) pat thënë, mes tjerash, se: Çështja e Kosovës u zhvendos nga Uashingtoni në Bruksel dhe para Kosovës do të shfaqet një shteg plot pengesa sikur ai i garave sportive “Tur de France”. Por, është interesatne se në atë Konferencë znj. Ollbarajt, për këtë zhvendosje , pat akuzuar delegacionin shqiptar të Rambujesë, që sipas saj nuk qe në gjendje, që porositë e Uashingtonit, t’i kuptojë dhe t’i bartë me kohë atje ku duhej.
Bisedimet e deritashme me ndërmjetës Brukselin, mes tjerash, dëshmuan pohimin e Ollbarajtit për shtegun e gjatë dhe të mundimshëm si “Tur de France”, por edhe për rrjedhat e bisedimeve përplot vështirësi, që quan në drejtim të ç’montimit të pavarësisë së Kosovës, pikërisht për faktin se një pjesë e shteteve të BE-së ende nuk e kanë njohur Kosovën dhe ato tashmë po bëhen shkaktare, që vendi ynë të mbetet njëri ndër shtete më të izoluara në rajon.
Kur përdor fjalën çmontim nënkuptoj hapin për venin e fusnotës, me rastin e përfaqësimeve ndërkombëtare të vendit tonë, që në realitet përbën njërin prej hapave, që quan Kosovën drejt përfaqësimit të pabarabartë me vendet tjera. Apo thënë troç, me këtë rast, në mënyrë përfide, satusi i njohur i Kosovës u shndërrua në status tëdiskutuar i cili doemos duhet shtruar në tavolinën e bisedimeve. Të shtyer nga servilizmi, por edhe të pavetëdijshëm, në këtë grackë ra edhe pala kosovare, që merrte pjesë në këto bisedime, kur lejoi që bisedatat teknike të rrëshqisnin në ato politike.
Këtë gabim tëpalës kosovare e shfrytëzoi në mënyrë përfide diplomacie serbe e cila në mënyrë shumë agresive nisi sulmin drejt çmontimit të pavarësisë së Kosovës, duke shtruar kërkesë pas kërkese, por edhe duke ndërmarrë veprimtari diplomatike me ç’njohjen e pavarësisë së Kosovës nga shtetet të cilat e kanë njohur deri më tash. E përballur me një diplomaci të paaftë, Kosova i humbi shumë njohje, kurse shigjeta e bisedimeve u drejtua edhe drejt coptimit të territorit, që pak më vonë u zëvendësua me të ashtuquajturin korrigjim kufiri.
Përballë kësaj, gjithnjë e më shumë shpeshtohej gjuha agresive e Serbisë se Kosova kurrë nuk do të përjetojë njohje nga ana e saj, madje edhe do të ballafaqohet me pengesat për anëtarësim në mekanizmat ndërkombëtar siç janë UNESKO, INTERPOL, e të ngjashme. Përballë këtyre sulmeve delegacioni i Kosovës sillej si dele përballë diplomacisë serbe, që kryente veprimet e ujkut, duke harruar se Kosova tashmë ishte shtet i pavarur, se asaj i takonte të sillej në atë mënyrë dhe të merrte vendime për të ardhmen e saj.
Vendimet e fundit të Qeverisë për formimin e ushtrisë dhe ajo për taksen 100 për qind, për mallrat serbe dhe përkrahja që mori nga pozita e opozita, sikur i dhanë një impuls shtetit dhe shtuan shpresat se më në fund do të ketë zëra dhe fuqi që do t’i thonë “Ndal” ofensives serbe për çmontimin e pavarësisë së Kosovës.Konsideroj, se tash, kur zërat për sulme edhe më agresive për heqjen e njohjeve siç ishte ajao e kryeministres serbe, deri te zërat për ndonjë sulm të mundshëm ushtarak ndaj Kosovës , shtrojnë domosdonë e marrjes së vendimeve të reja . Njëri prej vendimeve do të ishte shpallja e dialogut të deritashëm të dështuar nga ndërmjetësja Mogerini dhe ndërmarrja e nismës, që çështja e Kosovës të zhvendoset në Uashington, me ndërmjetës SHBA-n. Vetëm ky veprim, tash për tash, Kosovën do ta shqiente në binarët normal drejt stabilizimit të marrëdhënieve me fqinjin verior, mbi bazat e dy shteteve të barabarta.
Njohjet reciproke, tash për tash, po shihet se janë të pa mundura, për faktin se Serbia nuk pranon ta bëjë një gjë të tillë, ndaj organizimi i bisedave me ndërmjetës Evropën,kur disa shtete të saj nuk duan ta njohin Kosovën, tashmë po shihet se është humbje kohe, krijim i shpenzimeve dhe mbajtje e vendit në izolim.
SHBA-ja ka dhënë dy prova mjaft të rëndësishme në Evropë, në dekadat e fundit, me ndërhyrje dhe ndërprerje të tagjedisë së Bosnjes, edhe të Kosovës, kur i priu karavanit për ndërprerjen e gjenocidit mbi këto vende, që ushtrohej nga regjimi i Beogradit. Ndaj, SHBA-s duhet dhënë edhe rasti i tretë, në mënyrë që njëherë e përgjithmonë të stabilizohet çështja e Kosovës.