(Ahmet Qeriqi, “ Burgu”, botim i Radios” Kosova e Lirë”, Prishtinë 2004)
Pothuaj të gjithë librat me kujtime, që botohen nga autorë, ish të burgosur politikë, nga ata që kam lexuar, krye personazh të tyre, kanë qenë vet autorët, të cilët secili në stilin e vet kanë rrëfyer për përjetimet e tyre në qelitë e errëta të burgjeve, por edhe para hetuesve, prokurorëve dhe gjyqtarëve.
Një gjë e tillë nuk ka ndodhur edhe me librin e Prof. Ahmet Qeriqit “Burgu”, një rrëfim që për personazh kryesor ka një profesor, i burgosur katër herë për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare, pjesëmarrjes dhe organizimit të demonstratave të vitit 1981 dhe bindjeve të tija politike. Por të gjitha ata që e njohin Profesor Qeriqin dhe dinë pak nga biografia e tij e kanë të qartë se ai është burgosur si profesor dhe për një vit e më shumë ka qëndruar në arrati, për t’ju shmangur burgosjes. Por trysnia mbi familjet e sidomos fëmijët dhe gruan e tij, e kishin detyruar të dorëzohej pas 13 muajsh qëndrimi në arrati.
Edhe pse rrëfimet nga burgjet te “Burgu”, iu takon shkrimeve historike ( në bazë të përmbajtjes) ky libër mbështet në rrëfime të sinqerta, që të rrëmbejnë, sikur romanet e shkruara me përkushtim, të cilat kur i merr në dorë, të rrëmbejnë dhe nuk mund t’i lëshosh nga dora përderisa nuk e lexon edhe fjalinë e fundit të tij.
Eknat Malmiri, në realitet është vet profesor, Ahmet Qeriqi
Autori, krye personazh ka Eknat Malmirin, që në fakt, sipas përshkrimeve është vet autori Prof. Ahmet Qeriqit, i burgosur politik. Ndoshta dikush edhe mund të pyes: Pse Prof, Qeriqi vetën e prezantoi me emër tjetër? E përgjigja ime e krijuar gjatë leximit është kjo:- ai nëpërmjet kësaj vepre nuk kishte për qëllim vetëmburrjen dhe prezantimin e vetvetes, por prezantimin e realitetit nëpër burgjet jugosllave, nëpër të cilat kaluan qindra e mijëra të burgosur shqiptarë, vuajtjet dhe persekutimet që iu bënë atyre gjatë viteve të gjata në burgje, që nga koha e hetimeve e deri në ditët e fundit.
Duhet të them pa dilema se vuajtjet e të burgosurve në këtë libër autori i ka përshkruar më mirë se kushdo, ngase është lëshuar edhe ne detaje e analiza më të vogla duke dhënë edhe mendimin personal që zakonisht veprohet gjatë shkrimit të punimeve shkencore, krejt kjo me qëllim të një përshkrimin real të atmosferës dhe ndodhive nëpër burgje nëpër të cilat kaluan të burgosurit shqiptarë, edhe pse me emra tjerë, shumicën e të cilëve mund t’i deshifrojë edhe lexuesi gjatë leximit.
Edhe pse nuk ndodhej për herë të parë para hetuesve dhe gjyqeve, nëpërmjet krye personazhit të tij, Eknat Malmiri, autori me suksese do t’i përshkruajë në detaje momentet dhe përjetimet e krye personazhit të tij që nga dorëzimi, vendosja në qelinë nr.27, më 10 maj 1981 dhe kontaktet me dy cimerët studentë në këtë qeli, por edhe marrjet në biseda nga hetuesit, të cilët po ashtu nuk i përmend me emrat e vërtetë, përveç Mehmet Maliqit, ish-sekretarit të Sekretariatit të Punëve të Brendshme të Kosovës, që sipas mendimit tonë këtë e bënë për ta përkujtuar publikun se në krye të përndjekjes së studentëve e intelektualëve të asaj periudhe ishte një anti shqiptar nga në nivel i lartë i hierarkisë policore.
Pos kësaj, nga rrëfimi te “Burgu”, Qeriqi nxjerr në shesh edhe rezistencën e vazhdueshme te të burgosurve politikë te të gjitha moshave, qëndresën e tyre titanike, për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, përballë UDB-asheve qofshin ata shqiptarë, apo serbë.
Në këtë plan pos që përshkruhen me kujdes torturat dhe vuajtjet shpirtërore e psikike, që përjetonin të burgosurit në përgjithësi dhe krye personazhi, nxjerrën në pah edhe krenarinë dhe qëndresën e tyre para torturave çnjerëzore, gjë që lë përshtypje se nuk kishin të sosur. Autori dëshmon edhe për solidaritetin e lartë ndërmjet të burgosurve, kundërshtimet dhe revoltat e tyre, pavarësisht pasojave, sikur edhe për sjelljet njerëzore të disa gardianëve shqiptarë. Në këtë përshkrim dalin në shesh edhe dashuritë që kishin të burgosurit për jetën, familjen e sidomos për fëmijët si në rastin e krye personazhit Eknat Malmiri, e mbi të gjitha dashurinë për atdheun dhe lirinë e vendit të tyre.
Sigurimi serbo-jugosllav kishte depërtuar thellë ndër shqiptarë
Autori nëpërmjet krye personazhit dëshmon se sigurimi serbo-jugosllav kishte depërtuar thellë ndër shqiptarë ndaj edhe numri i të rekrutuarve në këtë shërbim ishte shumë i madh, që ishte pengesë për zhvillimin e veprimtarive atdhetare. Kjo ishte e nënkuptueshme, për një regjim totalitar i cili pushtetin e mbante me forcë duke e ngulfatur mendimin e lirë dhe “demokracinë socialiste” e cila në fakt as që ekzistonte.
Sikur edhe krye personazhi, ashtu edhe personazhet tjerë qofshin të burgosur apo të tillë që mbaheshin nën hetime kalonin nëpër katrahura qofshin fizike apo edhe psikike. Marrjet në pyetje, torturat e pandërprera, përpjekjet për t’ua nxjerrë me dhunë deklaratat për të bërat apo të pa bërat, ishin pjesë e përditshmërisë nëpër burgjet hetuese. Pastaj, inskenimet për pushkatime, siç ishte rasti i nxjerrjes nga qelia të krye personazhit Malmiri dhe dërgimi në një pyll, ishin pjesë e skenarëve të hetuesve, pjesa dërrmuese e të cilëve ishin shqiptarë.
Koha e kaluar në qeli, para hetuesve, vizitat familjare dhe atmosfera që krijohej me atë rast, ndërrimet e dhomave, njohja me të burgosur tjerë ishin realitet nëpër të cilin kalonin të burgosurit e moshave të ndryshme.
Dalja para gjyqit, ndëshkimet me vite të rënda nuk paraqisnin risi kur ishin në pyetje shqiptarët, për faktin se kjo ishte edhe fushatë e paramenduar për të bërë trysni mbi studentë e intelektualë, pjesëmarrës në demonstrata dhe përkrahës të tyre, por edhe për lëvizjet ilegale.
Ishte kjo periudha pas vitit 1981, kur studentët të mbështetur nga masat popullore, jo vetëm në Kosovë, dolën hapur me kërkesën për Kosovën Republikë, si përpjekje për të barazuar shqiptarët me popujt tjerë të ish- Jugosllavisë.
Diçka e veçantë që shihet në këtë libër me rrëfime nga burgu është edhe periudha pas marrjes së dënimeve dhe dërgimi në një burg të Gjurakut, ku për dallim prej burgut, qelive dhe kthinave e torturave të burgut të Prishtinës ishte në një nivel më të avancuar, si për nga fjetja, trajtimi, ushqimi. Por në këtë burg, ku ndodheshin 150 të burgosur, 50 prej tyre ishin të burgosur politikë, të tjerët ishin dënuar për vepra të ndryshme penale, andaj edhe kishte përgojime, kacafytje, ndasi, injorime,…
Krye personazhit, profesorit Malmiri i bien në sy edhe infiltrimet e agjentëve të sigurimit brenda grupeve te të burgosurve, por edhe dallime ndërmjet të burgosurve politikë, ku vërehej një dominim i të dënuarve të grupeve marksiste-leniniste, të cilët kishin vepruar në kontinuitet në një organizatë ilegale dhe ishin mbrojtur në gjyq me gjuhën e fakteve, për dallim të disa grupeve tjera te dënuarve politikë, që nuk kishin vepruar nëpër organizata por të kishin vepruar në përkrahje të kërkesës: “Kosova Republikë”. Disa prej të tillëve madje edhe injoroheshin pa të drejtë.
Megjithatë, të burgosurit politikë ishin grup i veçantë, por sikur krye personazhi nuk i dukej as e dobishme literaturën marksiste, të cilën e mbanin në duar shumë të burgosur, prej të cilëve ishin fare të pakët ata që mund ta zbërthenin atë, e aq më pak ata të burgosur që ishin vetëm me shkollë të mesme. Kjo literaturë sipas Eknat Malmirit, nuk dallonte shumë nga literatura marksiste e regjimit titistë, madje ajo ishte edhe në shërbim të tij. Ai u kërkonte të burgosurve të lexonin romane, libra të ndryshëm me të cilët ishte mjet e pajisur Biblioteka e burgut.
Dallimet ideologjike ndërmjet të burgosurve shqiptarë
Nga përshkrimi që i bëhet atmosferës në burg pas gjykimeve, megjithatë hetohet një dallim ndërmjet të burgosurve, që për ideologji kishin marksizëm-leninizmin dhe identifikoheshin me regjimin e Shqipërisë, por edhe atyre të Lëvizjes Kombëtare për Çlirim. Krye personazhi i autorit Eknat Malmiri, literaturën marksiste që lexohej në burg e konsideronte jo të domosdoshme, kur kihej parasysh se kërkesat e rinisë shqiptare, asnjë nga vendet socialiste nuk i kishin përkrahur, përpos Shqipërisë e cila e bënte këtë nën petkun e marksizëm-leninizmit. Por të kundërshtohej diçka e tillë atë kohë, bazuar në frymën që mbizotëronte në burgun e Gjurakur, mund të konsiderohej si reaksionare, si titizëm, madje edhe tradhti. Por në këtë prizëm, është me rëndësi se krye personazhi ta ketë kuptuar ideologjinë marksiste-leniniste si politikë dominuese e kohës, e cila nuk e dëmtonte frymën e Lëvizjes Kombëtare për Bashkim, meqë mbështeste të drejtën e popujve për Vetëvendosje, në të cilën mbështetej ideologjia marksiste. Këto vrojtime të Eknatit ishin më afër pikëpamjeve të ish të burgosurit Metush Krasniqi, i cili ideologjinë marksiste-leniniste, jo vetëm që nuk e kishte pranuar, por atë e kishte konsideruar si diçka të huaj dhe rrugë që nuk qonte të çlirimi i Kosovës dhe bashkimi kombëtar, për faktin se ajo e kishte qendrën, në Moskë.
Një konstatim të tillë, pak kush nga të burgosurit e ka bërë publike për atë periudhë dhe ngjet sikur të jetë konstatim i ditëve tona nën demokraci.
Në këtë libër me rrëfime del në shesh edhe portreti i një grupi të gardianëve shqiptarë të cilët silleshin mirë dhe manifestonin simpati për të burgosurit shqiptarë dhe kërkesën e tyre për Republikën e Kosovës. Madje, Eknati kishte formuar bindjen se disa nga ata ishin më atdhetarë se sa ndonjë prej të burgosurve politikë, të cilët ishin pre e proceseve të montuara, apo të tillë që ishin thyer e penduar.
Autori duke qenë edhe vet pjesë e vuajtjeve dhe përjetimeve të burgut me sukses ka nxjerr në shesh të vërtetën por edhe ka analizuar kategoritë e të burgosurve, qofshin ata politikë, ekonomikë, apo nga kategoritë e vrasësve, që i quan kriminel meqë ishin dënuar për krime të ndryshme. Pos kësaj, ai nxjerr në shesh dhe në mënyrë të detajuar trysnitë që bëheshin ndaj të burgosurve politikë, jo vetëm nga ana e organeve të burgut, por edhe nga kriminelët, të cilët të nxitur nga gardianët dhe organet e sigurimit inskenojnë një sulm kundër të burgosurve politikë, deri në përleshje fizike, duke ua vështirësuar kështu tej mase jetën në burg, duke i shpallur fajtorë dhe duke i dënuar me nga një muaj në qeli.
Përvojat e përjetimet në burgjet e Vojvodinës
Me largimin e Eknat Malmirit nga Kosova, ku kishte përjetuar çaste jo të këndshme që nga vendosja në qeli e deri te keqtrajtimet qofshin ato fizike dhe psikike, ku do t’i lë mbrapa kujtimet nga vuajtjet në burgjet e Kosovës, për t’u përballur me një realitet të ri, siç ishte ai i Vojvodinës. Megjithatë në kujtesën e tij mbetët edhe rrugëtimi 14 orësh nga Prishtina deri në Vojvodinë, përkatësisht në Suboticë, në një furgon, duarlidhur dhe pa ajër të mjaftueshëm.
Kontaktet e par me personelin e burgut, drejtorin, për Eknatin japin sinjale se ai burg që udhëhiqej nga një hungarez dhe gardianë, kryesisht hungarezë dallonte nga burgjet e Kosovës, ku kishte më shumë liri veprimi dhe më pak trysni e maltretime. Në atë burg, Eknati do të takojë të burgosur të përkatësive të ndryshme kombëtare, por edhe shqiptarë të cilët ishin dënuar për veprimtari politike, për dallim prej të tjerëve që ishin vjedhës ordinerë, vrasës, dhunues e të ngjashëm.
Edhe pse kishte ndërruar disa dhoma e pavijone, ku kishte takuar të burgosur të ndryshëm, falë ngritjes intelektuale dhe gjeturisë e përvojës së tij nëpër burgje, arrin të krijojë raporte me të gjithë, të cilët edhe e kishin respektuar. Aty kishte karaktere e mendime të ndryshme, madje edhe kishte ardhur deri te konstatimi se serbët e Serbisë, kishin urrejtje patologjike ndaj shqiptarëve, për dallim nga serbët e Bosnjës sikur ishte rasti i serbit, Miletiq e ndonjë tjetri që kishin përkrahur shqiptarët, që kërkonin të drejtat e tyre.
Në atë burg kishte takuar edhe të burgosur, të cilët me 2 e 3 prill të vitit 1981, në Besi të Prishtinës u kishin rrëmbyer armët, rezervistëve serbë në rrugën: Podujevë-Prishtinë. Ata ishin kryesisht të rinj pa ngjyrime ideologjike, por ishin flamurtarët e parë të Republikës, sepse iu kishin përmbajtur kërkesës gjithë popullore, se nëse jo me hatër, Republika do të bëhej me armë, me luftë të armatosur, sikur edhe ndodhi më vonë.
Gjatë rrëfimit të qëndrimit në burgun e Suboticës, autori merret në detaje me biografitë e të burgosurve dhe veprat e tyre, por gjatë këtyre rrëfimeve dhe kontakteve me të burgosur del sheshazi se krye personazhi Eknat Malmiri, (Ahmet Qeriqi), i cili në burg pos mësimit të disa gjuhëve të huaja, kishte arritur ta mësojë edhe gjuhën hungareze, në bazë te të cilës kishte arritur edhe një simpati nga udhëheqësit hungarez të atij burgu, qoftë drejtori apo gardianet.
Autori, nëpërmjet personazhit të tij, flet edhe për takimet me familjen e tij gjatë vizitave dhe brengat e tij për shkuarje- ardhjet në ato vizita. Duke përmendur emrat e sajuar, edhe këtu jep shenja se ata janë fëmijët e tij
I bindur në qëllimin për të cilin ishte nisur, Eknat Malmiri , për asnjë moment nuk luhatet nga bindjet e tija politike dhe ato i thotë hapur si në bisedat me të burgosur, gardianë por edhe me personelin e burgut. Një gjë të tillë e demonstron edhe para Ves Latit, që në fakt është Vesel Latifi, një udhëheqës nga struktura e jurisprudencës së autonomisë së Kosovës, i cili kishte shkuar për vizitë edhe në burgun e Suboticës, kurse dialogu i tij me të i kushton me transferim në burgun e Novi-Sadit, që në krahasim me burgun e Suboticës, ishte tejet më i vështirë dhe më i pa përshtatshëm në të gjitha aspektet.
Gjatë këtij rrëfimi, autori nxjerr edhe një të vërtetë për të burgosurit e Kosovës të cilët ishin arrestuar nga policia shqiptare, ishin ndjekur nga hetuesit shqiptarë, ishin rrahur nga policët e hetuesi shqiptarë dhe ishin gjykuar nga gjyqtarët shqiptarë, shumë prej të cilëve kishin mbetur besnikë dhe në shërbim të pushtuesit.
Autori, nëpërmjet krye personazhit, flet edhe për zënkat nëpër burgje dhe solidarizimin ndërmjet shqiptarëve në greva, me të cilat nuk pajtohej por megjithatë solidarizohej, sepse grevat e tilla u dëmtonin shëndetin dhe rezultonin me pasoja të tjera edhe më të rënda.
Një kaptinë tjetër e romanit. “Burgu” është edhe vendosja në burgun e ri të Novi-Sadit. Për dallim nga burgjet tjera, në këtë burg takon më shumë të burgosur politikë shqiptarë të GMLK-së dhe të PKMLSHJ, ku e kishin rreshtuar edhe Eknatin, edhe pse gjatë leximit, por edhe nga pikëpamjet e tij të shtruar në libër, nënkuptohet se nuk kishte qenë pjesë e atyre grupeve. Në këtë burg ata kishin mundësi të takoheshin të bisedonin dhe të bashkëpunonin. Për dallim nga burgjet tjera, ku pjesën dërmuese Eknati e kishte kaluar në burgjet hetuese dhe në qelitë e tyre, burgu i ri kishte prona të veta, bujqësore dhe industriale. Eknatit i kishte ra fati që të punonte në shtyllat e betonit dhe kontakti me diellin dhe ajrin, por edhe ushqimi më cilësor, ia kishte kthyer shëndetin e dëmtuar seriozisht nëpër qelitë e burgjeve të deri atëhershme.
Gjatë vuajtjes së dënimit në këtë burg, kur pothuaj i kishin mbetur edhe nja 4 muaj, lirohet nga burgu në saje të një amnistie nga nivelet e larta shtetërore, me rastin e 29 nëntorit, ku në nivel jugosllav ishin liruar të burgosurit e dënuar për propagandë armiqësore gjë që e befason, për faktin se ai as familja e tij nuk kishin kërkuar falje, apo ulje të dënimit. Më vonë ishte bërë e ditur se Jurisprudenca jugosllave me një vendim shtetëror kishte hequr ndjekjen për vepra të propagandës armiqësore.
Eknati ishte kthyer në familje, pas afër shtatë viteve që kishte mbajtur burg e arrati. Nga burgjet e kazamatet ishte kthyer në burgun e madh, sikur ishte Kosova asokohe.
22. 2. 2021