(Zade Kuçi: “Buzëqeshja e përgjakur”, përmbledhje me poezi, botim i SHB “Rozafa”, Prishtinë 2016)
Në platformën e poezisë bashkëkohore, sivjet, “shpërtheu” një poeteshë deri tash e panjohur për publikun, por jo edhe për kolegët e saj ku punon. Fjala është për Zade Kuqin, junikasen e cila, që nga bankat e shkollës, me lapsin e saj të mprehtë kishte shkruar vargje, por pa marrë guximin, që ato t’i bënte publike, herë nga frika se ndoshta shkrimet e saja duhet të prisnin një moshë, apo nga mbivlerësimi i të tjerëve më tepër se që duhej. “Shpërthimi” i sivjetmë i saj me tri përmbledhje: “Amaneti piu detin”, ”Pa mua botë mos u fundos” dhe “Buzëqeshja e përgjakur”, dhe cilësia që sjellin ato, poeten Zade Kuqi e radhisin në mesin e poetëve më të mira të kësaj periudhe, në Kosovë. Përmbledhja e titulluar “Buzëqeshja e përgjakur”, botim i SHB “Rozafa” në Prishtinë, lexuesit të poezisë shqipe në veçanti, por edhe Letërsisë shqipe në përgjithësi i sjellin një buqetë me poezi, përplot metafora, simbolika, krahasime, që janë pjellë e një fantazie, dhe të një stili letrar karakteristike për poeten Kuqi.
Zade Kuçit, duhet të themi pa dorashka, se i ka munguar përkrahja e shoqërisë për ta nxjerrë në dritë talentin e saj, që herët, sepse sikur të ekzistonte kjo, atëherë vëllimi i titujve të përmbledhjeve të kësaj poeteje do të ishte dhjetëra herë më i madh. Pos kësaj, Zades i mungoi edhe “guximi” për t’u përballuar me ambientin e “egër”, nëpër të cilën ,sot, kalon krijuesi, i nëpërkëmbur dhe i pa përkrahur prej askujt. Si do që të jetë, ajo, edhe pse pak me vonesë, mori guximin dhe “shpërtheu” fuqishëm duke na sjellë stilin dhe vargun e saj karakteristik për njeriun, mjedisin, atdheun, zogun, lulen, Erën, , për kombin, fatin individual e kolektiv, dhe për fenomenet që na rrethojnë.
Atdheu, dhe fati i tij ishin dhe mbeten preokupim i poetes Kuqi te poezia “Natë mbi atdhe” te cikli “Ethe tropikale”. Ajo assesi të pajtohet me rrjedhat, jo të kënaqshme dhe jo normale të vendit të saj, …” me kurdisjet” ,… “me djallëzitë” dhe në këtë kontekst do të shtrojë pyetjen duke thënë: “…”pse të mësohem me erëoksidin e trishtimit, si e burgosur,…”Ky gjykim i poetes pason nga pritjet e saja te gjata, për një atdhe të lirë, për një lëvizje të lirë të qytetarëve të saj , jo të izoluar, siç po ndodhë në raport me popujt tjerë. Si idealiste që është, Kuqi nuk mund të pajtohet “me monotoninë e fundvitit, fillim vitit…, sepse në shtetin e ri ajo dëshiron të ketë më shumë dinamikë, gjallëri, argëtim , shpresë dhe shprehet e pa kënaqur me një “ kundërmim varfërie” , që fatkeqësisht hetohet në çdo kënd të atdheut.
Në përmbledhjen “Buzëqeshja e përgjakur”, gjendet edhe poezia “Shqiptarja”, që në realitet përbën edhe kryeveprën e poezisë së saj të publikuar deri më tash. Një përshkrim të portretit të Shqiptares, mund ta bëjë vetëm një dorë e mendje e një artisjeje siç është Zade Kuçi. Ajo, Shqiptaren e krahason me “pikturën që rri varur në zemrën e Kol Idromenos”, piktorit më të njohur të Shkollës Shkodrane të Arteve pamore të Shqipërisë i fundit të shekullit XIX dhe fillimit të shekullit XX, i cili kishte pikturuar njërën prej pikturave më të njohura, portretin e motës së tij Tone, e cila i vdiq në moshën 31 vjeçare, që atë kohë cilësohej si Monaliza Shqiptare.
Për poeten, Shqiptarja mund të jetë edhe “…një portret pas dere, mbyllur me kunj ndërgjegjeje mykur dhe me cerimanga merimange të ndonjë qilari të humbur kohe”, që nënkupton frymën e re që “rilindi” ndër ne, me mbulesën e zezë, që po e hasim nëpër rrugët e Prishtinës, dhe jo vetëm aty, të cilën poetja e cilëson si “qilar të humbur kohe”. Edhe në këtë pozitë, të “mbyllur me kunj” dhe nën trysninë e një mentaliteti të shkuar, Shqiptaren, Kuqi e nxjerr të bukur” … si flladi i mbrëmjes, kur luan me gjethe arre, si simfonia e Vivaldit,…që zgjon edhe heshtjen e fushës”,… dhe si vrulli ritmik i Pygmalionit, i njohur nga mitologjia e lashtë greke, i cili ra në dashuri me një nga skulpturat e bukura të tij, të cilës ky autor, që e kishte punuar aq bukur, kishte filluar t’i besonte se ajo ishte e gjallë, kurse mitologjia thotë se ajo më pas erdhi në “jetë”.
Shqiptarja, sipas Kuçit “ngjanë me nuancat e ngjyrave të shpirtit të shtatorit, që zgjohen të vdesin në bukurinë e vet e prapë, pas dimrit, si sytha pranvere, me të gjitha ngjyrat që vjeshta i pjek”. Me një fjalë, poetja portretin e Shqiptares, jo vetëm që e përshkruan të bukur, sot, por bukurinë e saj ajo e sheh edhe si vazhdimësi gjenetike, që përtërihet dhe nuk shuhet.
Edhe te cikli “Erë më copto”, haset e njëjta frymë e përshkruar me simbolika, krahasime dhe metafora. Kuqi vazhdon të shënjestërojë të keqen e cila, si kudo, sillet vërdallë. Kështu, te poezia “Natë e zezë”, poetja do të shprehet:” Nuk e dua natën të mbështjelle me gjumin e zvarranikëve , pas hendeqeve e llumit”. Në këtë rast, poetja ka në shënjestër një shtresë të shoqërisë, që ajo i quan “zvarranikë”, të cilët vazhdojnë të mbijetojnë mbrapa atyre, që ajo i quan “Llum” të shoqërisë . Për Kuqin, “nata është e shenjtë” e jo sikur netët e një periudhe të shkuar . Fjalën e ka për netët e periudhës së fundit të luftës, që kësaj toke nuk iu deshën “netët e përgjakura”. Me gjithë përshkrimin, që i bën një nate të zezë, të ngulitur thellë në kujtesën e saj, si ndonjë fantazmë që nuk zbret dot nga përrallat, ajo është plotë shpresë se një ditë këtu do të rrjedhin gjërat e bukura.
Përballë këtij optimizmi ajo nuk mund të mos e shtrojë një pyetje që lidhet me aktualitetin politik, dhe pa ndonjë dilemë pyet: “Bisedime e kujt dhe për çka brenda një paqeje”?! Pse “gjithçka nga e para, prapë me fytyrë të re pëlcet”. Në këto rrethana do t’i drejtohet, poetja, personazhit të saj Erës, duke pyetur: ”Si do të marrin udhë kaq lehtë karvanët e ngarkuara me kufoma”?-fjalën e ka për shqiptarët e vrarë, të varrosur në varrezat masive në Serbi, të cilët në karvanë presin për t’u kthyer në tokën e tyre, te poezia “Nuk të lë, mos më ik Erë”.
Poetja në këtë përmbledhje personazh kryesor ka Erën, këtë fenomen të natyrës të cilës ajo i beson dhe e mëveshë me epitete të njeriun. Me erën komunikon si me një shok jete dhe nuk ngurron ta pyes për gjithçka, sepse ajo bredhë anë e kënd botës, prekë dhe sheh gjithçka. Te poezia “Me ty flas Erë”, personazhin e saj Erën, (si dikur Ndre Mjeda, dallëndyshen) e pyet “nëse ekzistojnë kufijtë” sepse në një ballo me maska, secili në vete fshehë Kont Vladin (Vladi i III i njohur si Drakulla) , një princ mesjetarë i etur për gjak. Me këtë dëshiron të thotë se një kategori njerëzish në botën e sotme, përballë luftërave që po zhvillohen, “ kur një bllok banesash shkulet” , kur një “kodër e tërë zhduket”, në vete fshehin nga një Dakull.
Kuqi, në përmbledhjen “Buzëqeshja e përgjakur” do t’i kalojë edhe kufijtë nacional. Atë, me vargun e saj te cikli “ Përmbytje e përbotshme” shohim të bredhë në Azi, në Lindje të afërt, në Amerikë, në Evropë, e ku jo. Te poezia “Nju-Jorku” , Kuqi duke i bërë një përshkrim këtij metropoli botëror thotë: “ Imazhi i tij mahnitës tronditë ëndrrën” e saj. Në shpirtin e poetes mbretëron edhe fryma internacionaliste, pa urrejtje. Këtë e vërejmë të vargjet e poezisë “Afrika ime”, të ciklës i drejtohet me vargjet: ”Afrikë, do të guxonin te të pyesnin, ku linde?”…”Lekurëzezë, lëkurbardhë”, dhemja ime. Afrikë e bukur, qafëholla ime”. Poetja, pos dashurisë që ndjen për një kontinet, që nuk i përket, ajo shpreh shqetësimin e saj për urinë, që mbretëron atje me shprehjet “…”uria jote godet të gjitha detet”. Poetja shpreh shqetësimin e saj edhe për “batalione refugjatësh “te atij kontinenti dhe pasojat me të cilat ata përditë përballen.
Vargjet e poezisë “Natë në Bruksel”, flasin për një fat të historisë së atdheut dhe popullit tonë ndër shekuj. Poetja me të drejtë konstaton se: ”Asnjëherë ditët e dheut tonë nuk u blenë në të njëjtin pazar. Asnjëherë netët e ëndrrës tonë nuk u blenë në të njëjtin ankand” .
Një ndër poezitë e bukua të kësaj përmbledhjeje, është edhe ajo e titulluar “Sheshi Tahrir i Kajros”, ku poetja me mprehtësi i qaset ndeshjes së civilizimeve në Lindjen e Afërme, me vargjet: “Kope njerëzish verbuar shpresës”, që “….tiranisë i thurin himne me tekste banale, …” dhe vazhdon me vargjet: “Ulen , ngritën qilimave ngjyrash të kota, luten me pelerina të zeza shpërndajnë pluhura rrugëve,…Kuqin, kthimi mbrapa kah Mesjeta e pengon, ndaj porosia e saj është, ecja për para, me popujt e qytetëruar, se vetëm kështu e ardhmja do të jetë më e ndritur.
Poetja edhe në jetën private është e njohur për shpirtin human. Ndaj, mbi këtë prizëm, te poezia “Në Katedrale”,” Jezuin me fytyrë afrikani”, të cilit nga “urrejtja e madhe e botës i rrinë kërrusur supet, njëjtë si bota,…” do ta zëvendësonte me “Nënë Terezën me fëmijët e Kalkutës”.
Bazuar në përmbajtjen që ofron përmbledhja “Buzëqeshje e përgjakur”, mund të konstatoj, sikur edhe shumë lexues të poezisë së saj se Zade Kuqi, Letërsisë Bashkëkohore Shqipe po i sjellë një fymë të re me një stil dhe varg të veçantë .
P.s.: Zade Kuqi, pra se të botojë tri përmbledhjet e saja, sivjet, herë pas here vjershat i ka publikuar në rrjetin social Facebook. Lexuesit e a pasionuar të poezisë, kryesisht nga Shqipëria, kanë dhënë vlerësimet e tyre për poezinë e saj. Në fund të këtij vështrimi, të disa poezive të përmbledhjes “Buzëqeshja e përgjakur”, lexuesit po ia përcjellë disa nga vlerësimet e lexuesve të Facebook-ut për poezinë e saj. Lexuesit e përmendur, në komentet e tyre poezinë e Zade Kuqit e quajnë: “Poezi sa filozofike ,po aq moderne, po aq bashkëkohore”, stil personal, poezi që ruajnë seriozitetin e idesë, varg që lë pa mendje, poete e mrekullueshme, krijimtari brilante dhe serioze, vargu i saj ka një peshë specifike që dallon nga poezia ditore, gjak i ri në poezinë moderne shqipe, penë e artë e shekullit të ri, një nga poetet më të mira në hapësirën mbarë shqiptare, poezi e fuqishme, metaforat vallëzojnë në shtratin e jetës me një lirshmëri lozonjare, gati të pazakontë, ngandonjëherë sa te vjen keq që kjo poezi brilante ka fund… e të ngjashme.