Zeqir Bekolli: Toska i Llapit, Hamit Abdullahu, (1941-1994) ndër ideatorët e demonstratave të vitit 1968

Zeqir Bekolli: Toska i Llapit, Hamit Abdullahu, (1941-1994) ndër ideatorët e demonstratave të vitit 1968

Hamit Abdullahu përqafoi idetë e Adem Demaçit dhe të Shaban Shalës, kurse në fillim të vitit 1968 së bashku me Xheladin Rekaliun, Hakif  Shehollin, Sabit Sylen , merren me organizimin e demonstratave  të para, të pas Luftës së Dytë Botërore, në trojet  shqiptare, ku u  kërkuan të drejtat dhe liritë për popullin shqiptar, që jetonte në trojet e veta nën ish-Jugosllavi.

Demonstratat e vitit 1968 përbëjnë njërën prej përpjekjeve të shqiptarëve, që jetonin në ish-Jugosllavi, për realizimin e të drejtave kombëtare sikur edhe të popujve tjerë, që jetonin në një shtet artificial. Atëbotë të drejtat e shqiptarëve, jo vetëm që u nëpërkëmben, por edhe u cunguan deri në shkallë të padurushmërisë. Pos kësaj, pas mbarimit të Luftës së Dytë Botërore, të drejtat e premtuara, pas instalimit të sistemit totalitar, nuk u realizuan. U hoq flamuri kombëtar, që ishte simbol i identitetit të shqiptarëve, nuk i jepej hapësirë arsimimit siç veprohej me popujt tjerë të ish –Jugosllavisë, ndërsa një gjenocid dhe shpërngulje masive veç kishte filluar të zbatohej mbi shqiptarët që jetonin në këtë shtet. Është i njohur edhe “Aksioni i armëve”, që udhëhiqej nga krimineli Rankoviq, aso kohe ministër i Ministrisë së Punëve të Brendshme të Jugosllavisë, nëpërmjet të cilit ushtrohej një dhunë e gjenocid i pa parë mbi shqiptarët për t’i detyruar ata që t’i lëshonin trojet e tyre. Përballë kësaj dhune dhe këtij terrori, që ushtrohej mbi popullin shqiptar në ish-Jugosllavi, nuk qëndroi duarkryq as rinia e Kosovës. Për të kundërshtuar këtë dhunë dhe gjenocid, që ushtrohej mbi shqiptarët, të rinjtë e kohës nisen përgatitjet e tyre për të kundërshtuar padrejtësitë, që bëheshin ndaj shqiptarëve, por edhe për të ngritur kërkesën për formimin e Republikës së Kosovës, të barabartë me republikat tjera, në të cilën edhe shqiptarët do t’i gëzonin të drejtat e tyre, sikur popujt tjerë. Si rezultat i këtyre përpjekjeve linden edhe demonstratat e vitit 1968, nëpërmjet të cilave, pos që u ndërgjegjësua populli shqiptar, u sensibilizua çështja e shqiptarëve në analet ndërkombëtare, me ç’rast u dëshmua se një popull i tërë po shtypej nga Serbia/Jugosllavia.

Mospajtimi me padrejtësitë

Në kuadër të këtyre përpjekjeve për liri, barazi dhe bashkim kombëtar e shohim të veprojë me tërë elanin rinor edhe Hamit Abdullahun, nga fshati Bradash i komunës së Podujevës, i lindur më 26.9.1941, në një familje me traditë patriotike dhe shumë bujare. Hamiti, si intelektual i kohës, në Mitrovicë pat kryer shkollimin e lartë, për asnjë çast nuk u pajtua me të padrejtat që po i bëheshin popullit të tij. Në këtë plan, ai përqafoi idetë e Adem Demaçit dhe të Shaban Shalës, kurse në fillim të vitit 1968, së bashku me shokët Xheladin Rekaliun, Hakif Shehollin, Sabit Sylen, fillojnë të bisedojnë për organizimin e demonstratave  të para, të pas Luftës së Dytë Botërore në trojet  shqiptare, ku do të kërkoheshin të drejtat për popullin shqiptar, që jetonte në trojet e veta. Ndër ideatorët e këtyre demonstratave, jo vetëm në regjionin e Llapit ishte edhe Hamit Abdullahu.

Hamiti është ndër të parët që vuri flamurin kombëtar dhe portretin e Skënderbeut në dyqanin e tij në Podujevë, në periudhën kur këto simbole ishin të ndaluara dhe për përdorimin e  tyre pushteti totalitar shqiptonte dënime të rënda. Që në vitet e pesëdhjeta Hamit Abdullahu, i shkroi Radio Prishtinës një letër ku dominoi kërkesa e tij: “Përse nuk flisni gjuhën e Naimit, bilbilit të gjuhës shqipe”. Kjo letër nuk u lexua asnjëherë në radion e kohës, në emisionin : “Lexuesit na shkruajnë”, por ishte përcjellë në organet e sigurisë së shtetit, ku ishte cilësuar si letër me përmbajtje nacionaliste, pas të cilës kishte filluar edhe ndjekja e Hamit Abdullahut. Bazuar në veprimtarinë patriotike, por edhe në guximin që kishte për t’i shtyer proceset për para, në dobi të popullit të tij, Hamit Abdullahu, nga shokët e tij, u cilësua edhe si Toska i Llapit.

Pas një aktiviteti të ngjeshur, më  24 nëntor të vitit 1968, në shtëpinë e tij në Podujevë, u vendos të organizoheshin demonstratat e 27 nëntorit në Podujevë. Në këtë shtëpi u  përgatiten edhe parullat të cilat duhej të barteshin nga demonstruesit dhe teksti që duhej lexuar para demonstruesve. Është Hamit Abdullahu, ai, i cili me flamurin kombëtar të shtrënguar fort në duar do t’u prijë demonstratave , jo vetëm rrugëve të Podujevës, por edhe të atyre të Prishtinës, duke i frymëzuar pjesëmarrësit me veprimin e tij. I ekspozuar në ballë të këtyre demonstratave historike, jehona e të cilave u dëgjua anë e kënd globit, Hamiti ra në sy të forcave të sigurimit të kohës të njohura si UDB-ja, të cilat nisen përndjekjen e tij dhe të familjes, për të mos thënë se ato u bënë hije e tyre, për të mos i lënë të qetë deri në shkatërrimin e definitiv të krijesës së ish-Jugosllavisë dhe dëbimit të Serbisë nga trojet tona. Me një fjalë, nga vitit 1968 nis odiseada e përndjekjes së Hamit Abdullahut, e pasuar me dënime dhe burgime njëra pas tjetrës. Hamiti, në fillim u gjykua për vepër penale, sipas ligjeve të kohës, për organizimin e demonstratave të 27 nëntorit të vitit 1968, me ç’rast u dënua me burg të rëndë , në  vitin 1968, në kohëzgjatje prej 40 muajsh. Edhe pas kryerjes së këtij dënimi, Hamiti nuk pushoi së vepruari në drejtim të çlirimit dhe bashkimit kombëtar. Shi për këtë, ai do të arrestohet serish në vitit 1975, dhe u dënua me dy vite burg, njëri prej të cilëve e kaloi në burgun famkeq të Goli Otokut. Përjetimet e tij në këtë burg, në të cilin dërgoheshin kundërshtaret e sistemit totalitar, ku bënte pjesë edhe Hamiti, ishin të tmerrshme dhe me pasoja për shëndetin e tyre. Pavarësisht prej mundimeve e torturimeve që iu bënë, ai nuk u gjunjëzua për asnjë çast. Madje, që ishte edhe karakteristikë e karakterit të tij, ai, asnjëherë nuk iu kishte treguar anëtarëve të familjes së tij, gruas dhe fëmijëve, për torturat çnjerëzore që i kishte përjetuar në atë burg famëkeq, sepse nuk kishte dashur t’i shqetësonte fëmijët dhe familjen e tij me tregimet e tija të hidhura të përjetuara në Goli Otok, në burgjet tjera dhe në hetuesi. Ai e kishte shumë të qartë se edhe familja e tij e trazuar nga përndjekja e tij kishte kaluar situata shqetësimi, gjatë kohës sa kishte qenë në burg, dhe nuk dëshironte t’i shqetësonte edhe me rrëfimet e tij rrëqethëse nga proceset gjyqësore, të hetuesisë e sidomos nga ato të ishullit të shkretë kroat Goli Otok.

E kërcënonin se do t’ia vrisnin djalin gjashtëvjeçarë!

Bashkëshortja e tij Hanifeja, kur shfleton kujtimet për bashkëshortin dhe vuajtjet e tij, flet edhe për arrestimet e shumta që iu bënë, kurse në kujtesë asaj i kanë mbetur dy raste vërtetë interesante. Në vitin 1975, Hamiti gjatë arrestimit është torturuar keq në prani të familjes dhe gjatë rrahjes nga trupi ka kulluar gjak. Ky arrestim dhe ky keqtrajtim i Hamitit është bërë në prani të familjes dhe gruas së tij e cila, pos që ishte shtatë zënë, pat lindur vetëm një ditë pas këtij arrestimi. Në këtë procedurë të arrestimit, pos agjentëve serbë, ka pasur edhe agjentë “shqiptarë”.

Madje, me rastin e këtij arrestimit të radhës, të vitit 1981, të vetmit djalë të Hamitit, Dritonit gjashtëvjeçarë, inspektorët ia kanë mbajtur te koka automatikun duke e kërcënuar nënën e tij Hanifenë, se mund t’ia vrasin të vetmin fëmijë në çdo kohë!!! Ky fakt flet për çmendinë e organeve të sigurimit të kohës, në raport me atdhetarët e nivelit të Hamit Abdullahut. Kur e kanë marrë me vete, Hamitit, agjentët e sigurimit ia kanë vënë një thes në kokë dhe për gjashtë muaj e kanë mbajtur në çeli. Për vend ndodhjen e asaj periudhe të burgut nuk kanë ditur as familja e as vet Hamiti. Madje, kur familja  ka kërkuar ta vizitojë në burg, organet e sigurimit i kanë thënë se Hamiti është pushkatuar !!!

Hamitin e mbante të qetë dhe krenar fakti se ai kishte një familje, që i përkrahte idetë e tij, një baba Sahitin, sypatrembur, i cili gruas së Hamitit,  Hanifesë, ia kishte dhuruar një revole të cilën ajo e kishte mbajtur për çdo rast afër vetës, sepse ndjehej e rrezikuar nga burgosjet e herëpashershme të bashkëshortit. Ajo krenohej me veprimtarinë e bashkëshortit, Hamitit, siç krenoheshin edhe të gjithë ata shokë dhe farefisnia, që në zemër u vlonte dëshira për çlirim dhe bashkim kombëtar.

Me shpërthimin e demonstratave të vitit 1981, Hamiti, do të gjendet në mesin e rinisë dhe të bashkëkombësve të vet, të cilët, si dikur në demonstratën historike të vitit 1968, shpërthyen me kërkesat për “Kosovën Republikë”, por edhe me kërkesat tjera, që për përmbajtje kishin ndalimin e diskriminimit dhe të shfrytëzimit ekonomik të vendit. Edhe për këtë pjesëmarrje dhe përkrahje publike, që iu bënte rinisë studentore dhe demonstruesve të demonstratave të vitit 1981, Hamit Abdullahu, atë vit, dënohet më 4 muaj burg. Pra, nuk kalonte proces apo zhvillim politik në Kosovë e Hamit Abdullahu të mos burgosej apo izolohej. Kështu i ndodhi edhe me rastin e vizitës që i pat bërë Tito, Kosovës , kur atë dhe shumë atdhetarë tjerë i izoluan, derisa kaloi vizita e tij.

Më fillimin e proceseve, që lidheshin edhe me protestat dhe grevat e minatorëve të Trepçës, por edhe të minatorëve tjerë të Kosovës, Hamiti nuk do ta ndalë veprimtarinë dhe kontributin e tij në shenjë të kundërshtimit të hegjemonizmit serbomadh i cili veç kishte dhënë sinjalet e para për rrënimin e autonomisë së Kosovës dhe fillimin e spastrimit etnik të vendit. Shi për këtë, edhe në vitin 1989 Hamit Abdullahu dënohet edhe me 6 muaj burg. Por, edhe kjo burgosje nuk e zmbraps për asnjë moment nga qëllimi, që ia kishte parashtruar vetës, në drejtim të çlirimit dhe bashkimit kombëtar. Hamit Abdullahu i takon gjeneratës së idealistëve të mëdhenj, që për lirinë e vendit nuk kursyen as jetën, as familjen dhe as shëndetin. Ndaj, në fillim, kishte përqafuar edhe idenë për Lëvizjen gjithë popullore, të njohur si LDK, ku ishte edhe pjesëmarrës në formimin e degës së kësaj lëvizjeje në komunën e Podujevës. Më pastaj, më daljen në skenë të formacioneve luftarake, ai, njihet edhe si përkrahësi i celulave të para të UÇK-së për regjionin e Llapit, ku dha kontributin e tij të çmuar.

Qëndresa e gjatë nëpër burgje, vuajtjet dhe torturat çnjerëzore të përjetuara nga agjenturat e UDB-së, Hamitit ia kishin dëmtuar rëndë shëndetin. Ai sa herë që kërkonte ndihmë mjekësore në Spitalin e Prishtinës, nuk e merrte shërbimin e merituar nga disa mjekë shovinistë serbë që punonin në atë spital, pikërisht për shkak të bindjeve të tija politike. Ashtu edhe familja e tij në shoqërinë e asaj kohe ishte e injoruar dhe e vëzhguar nga agjentura e kohës.

Përkundër shëndetit, jo të mirë, Hamiti, aktivitetin  politik e vazhdoi deri në frymën e fundit të jetës së tij. Si pasojë e torturave të gjata, gjatë qëndrimeve nëpër burgje dhe qelitë e tyre , Hamiti përjeton edhe një sëmundje të rëndë nga e cila ndërron jetë, më 30.7.1994 në Podujevë, duke mbetur një emër i nderuar në qiellin e lirisë së Kosovës, si shumë e shumë atdhedashës, të cilët sot i kujtojmë me pietet të rrallë. Në ceremoninë e varrimit të tij morën pjesë mijëra qytetarë nga Kosova dhe viset shqiptare për t’i dhënë lamtumirën e fundit. Edhe me këtë rast, veprimtaria e tij u vlerësua lartë nga të pranishmit. Është për t’u cekur se arkivolin e mbështjellur me flamur kombëtar, policia serbe e cila ceremoninë e përcolli me mjete të blinduara, pat provuar ta marrë edhe arkivolin, por kjo nuk u lejua nga të pranishmit, që nënkupton faktin se pushtuesi Hamitit dhe veprimtarisë së tij i frikësohej edhe atëherë, kur ai më nuk ishte në jetë.

Hamiti, ky emër i nderuar i atdhedashurisë së Kosovës, me veprën e tij u bë shembull për gjeneratat se si duhet luftuar dhe sakrifikuar për atdheun kur ai ndodhet në rrezik.

 (Autori është ish-gazetar i “Rilindjes”/”Bujkut” të Prishtinës)

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …