Në këtë fazë të një lufte për pushtet ndërmjet partive politike dhe kandidatëve të tyre na bie të shohim dhe dëgjojmë lloj-lloj premtimesh, programesh e akuzash të cilat burojnë nga individë të ndryshëm. Kjo laryshi e apetiteve i jep një kolorit kësaj fushate, që në të shumtën e rasteve të bën edhe nervoz, kur sheh se pjesa dërrmuese e premtimeve janë boshe, të pa arritshme, jo objektive dhe të pa mbështetura në realitetin në të cilin jetojmë. Më rastisi të përcjell mbrëmë debatin e kandidatëve për kryetar të Drenasit në KTV, të cilët fatbardhësisht i njoh personalisht, mundësitë dhe aftësitë e tyre. Ajo që e përbënte esencën e këtij debati ishte se, dikush më shumë e dikush më pak, nuk jepnin premtime të parealizuara (me përjashtime). Mirëpo, një gjë që rrodhi në fund të emisionit, kur moderatori kërkoi nga të pranishmit në shenjë përmbylljeje t’i thoshin disa fjali për elektoratin , pos që tingëlloi keq, shkonte edhe në funksion të një , tashmë, fushate për eliminimin nga pushteti te të gjithë atyre që në një mënyrë ose tjetër janë meritorë për lirinë e Kosovës.
Kjo rrodhi nga deklarata e kandidatit të një subjekti, që po garon për të dytën herë për kryetar të komunës Xhavit Drenori, i cili tha se nëse do të fitonte subjekti i tij, ai do t’i eliminonte nga pushteti familjet, që pësuan nga pushtuesi, nga e drejta për të ushtruar pushtetin, për shkak se ndonjë individ i tyre kishte keqpërdorë besimin sa kishte qenë në pushtet. Duke mos veçuar se për cilat familje e kishte fjalën, dhe për cilët individë, la të kuptohet se ai do të eliminojë të gjitha familjet që ishin kundërshtare të Serbisë, të cilat u përndoqën, u persekutuan, u vranë e u masakruan për një shekull me radhë.
Pos kësaj, kjo deklaratë e Drenorit, tash “ azilant” i Fushë-Kosovës, që ishte edhe një thirrje për “leçitje” të kësaj kategorie të familjeve, përkon shumë ose është identike me “leçitjet”, që iu bëheshin këtyre familjeve (të cilat tash Drenori nuk i do në pushtet) nga ish-Lidhja Socialiste e Popullit Punonjës dhe ish-Lidhja e Komunistave të ish-Jugosllavisë. E mbajmë mend sikur sot, kur kategoritë e këtyre familjeve, që kishin rënë në konflikt me pushtetin totalitar, atë kohë, privoheshin nga e drejta për të qenë pjesë e pushtetit, e shkollimit, izoloheshin dhe të rrallët ishin ata që guxonin t’ua hapnin derën , ose të flisnin me pjesëtarët e tyre nga frika se edhe ata do të ndëshkoheshin. Ishte kjo periudhë e errët e vuajtjeve dhe e sakrificave të mëdha të krejt një populli, e barrën më të rëndë e patën këto familje të cilave ua vranë bijtë, ua burgosen ua masakruan. Menduam se bashkë me këtë periudhë totalitare iku edhe e keqja, iku edhe përgjegjësia kolektive, për fajin e njërit, por ja se nuk paska ikur. Nëse njëri, sipas Drenorit paska pasur faj, çfarë faji kanë pjesëtarët e tjerë të familjeve, qofshin ata të dëshmorëve, të invalidëve, të përndjekurve, të burgosurve apo të persekutuarve? Por këtë e tha “azilanti” nga Fushë-Kosova Xhavit Drenori, pa u skuqur fare, para publikut në KTV .
Edhe këtë na ra ta dëgjojmë!!!