Zeqir Bekolli: Ligji i Pagave Thikë me dy tehe apo bombë e kurdisur?!

Zeqir Bekolli: YMER ALUSHANI-LUANI I GRYKËS SË LLAPUSHNIKUT

Nën shpatet e vargmaleve të Berishës, aty ku fusha bashkëngjitet me bjeshkën, jeton familja Alushani nga Komorani i Drenicës e cila me veprimtarinë e saj patriotike i krijoi një histori të lavdishme vetës, që do bartet brez pas brezi. Lavdia e kësaj familjeje, me një origjinë të lashtë, do të jetë e pranishme saherë që historia jonë do t’i kthehet kujtesës.

Të parët e Alushanëve flitet se kanë ardhur nga Lushnja e Shqipërisë. Muharremi, babai i Ymer Alushanit-Voglushit ka qenë një burrë i njohur në Drenicë. Për shkak të lidhjeve që pati me grupin patriotik të Berishëve, të udhëhequr nga Rifat Berisha, në Gjykatën e Qarkut në Prishtinë, në vitin 1952,  dënohet me 20 vjet burg të rëndë, të cilat do t’i mban në burgjet e Serbisë dhe në ishullin e Goli Otokut të Kroacisë i njohur për tortura çnjerëzore.

Regjimi i Titos i shoqëruar nga krimineli serb Aleksandër Rankoviqi, në vitet e 60-ta po bënte tortura të nduarnduarta mbi popullatën në  Drenicë. Familja Alushani, aso kohe ishte e privuar nga të gjitha të drejtat duke filluar nga e drejta e votës e deri të ajo e qarkullimit. UDB-ja pareshtur bastiste shtëpinë e kësaj familjeje, kurse bashkëfshatarët një periudhë të gjatë kohore e kishin të ndaluar nga regjimi të shkelnin në truallin e Alushanëve. Nëse dikush nga anëtarët e familjes Alushani ka pasur nevojë të shkojë diku, këtë ka mundur të bëjë vetëm me leje speciale.

Rënia në burg e Muharremit për familjen Alushani ishte një goditje e madhe. Ymeri ishte fëmija i dytë që u lind, më 23 shtator 1964. Kujt do t’i shkonte ndër mend aso kohe, që pikërisht ky djalosh 36 vite më vonë do të hakmerrej ndaj pushtuesit për vuajtjet e popullit dhe të familjes së tij dhe me shembullin personal do të bëhej simbol i qëndresës.

Ymeri pas mbarimit të tetëvjeçares do të ndjek mësimet e mesme në Gjimnazin “Gjergj Kastrioti-Skënderbeu” në Drenas dhe në të njëjtën periudhë aktivisht merret me muzikë në ish- ShKA “Zëri i Rinisë” të Bushatit. Frymëzimet e tij ai më pastaj do t’i derdhë në këngë. Pothuaj nuk kalonte natë , që Ymeri të mos këndonte këngën me përmbajtje patriotike, “Oj Shqipni mos thuaj mbarova”.

Ymeri ishte i apasionuar pas armëve. Që nga shkolla e mesme, ai, revolen nuk do ta hiqte nga brezi, ngase ishte i bindur se një ditë do të vinte koha kur edhe ai bashkë me moshatarë të tij do t’i kundërviheshin me armë pushtuesit në vijën e parë të zjarrit.

Ymeri kontaktonte me komandantin legjendar Adem Jashari

Kur ndodhi shthurja e ish-Jugosllavisë dhe nisen lëvizjet e para të rezistencës në Drenicë, menjëherë pas viteve të ’90-ta, Ymer Alushani do të kontaktojë edhe me komandantin legjendar, Adem Jashari, për çështjen e  grumbullimit të armëve. Se Ymeri ishte në përpjekjet e para të rezistencës ekzistojnë dëshmi e dëshmitarë të cilët pohojnë se Ymeri luftën dhe rezistencën e armatosur e shihte si njërën nga rrugët që Kosovën do ta nxirrte përfundimisht nga pushtimi serb.

Në përpjekjet e para të viteve të ’90-ta  të gjitha grupet ilegale të interesuara që nëpërmjet rezistencës së armatosur të çlironin Kosovën, tek Ymeri kishin mbështetur besimin dhe ndihmën e tij njëkohësisht. Bazuar në traditën e tij familjare, këto grupe nëpërmjet Ymerit dhe të mendonin të armatosnin popullatën në mënyrë që më pastaj t’i kundërviheshin pushtuesit. Mirëpo, kur pushtuesi i ra në gjurmë kësaj veprimtarie të Vogëlushit, do të bëjë rrethimin e shtëpisë  dhe arrestimin e tij, më 1992. Edhe pse do të kalojë nëpër një varg torturash, Ymeri do t’u bëjë ballë të gjithave dhe për asnjë çast nuk të tregojë për shokët. Kjo qëndresë e tij ndikoi që të mos ç’thurej zinxhiri i lidhjeve me të cilët bashkëpunonte Ymeri.

Rezistenca e parë në Prekaz, më 30 dhjetor 1991, ishte sinjal i qartë se Drenica do të ngrite krye kundër pushtuesit. Komandanti legjendar Adem Jashari, me këtë rezistencë u bë frymëzim edhe për Ymerin dhe shokët e tij. Armët që i posedonte atë periudhë Ymeri llogariteshin për armatimin e një togu ushtarësh.

Fundi i vitit 1997 dhe dalja publike e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin ndër shenjat më serioze që paralajmëronin se përleshjet e drejtpërdrejta me pushtuesin do të shpeshtoheshin. Luftimet në Qafëmalin ndërmjet  Rrezallës së Re dhe Rakinicës dhe qëndresa mbinjerëzore e Jasharëve , më 28 janar  e veçanërisht më 5,6,7 dhe 8 mars të vitit 1998 lëkunden zemrat e mbarë shqiptarëve, anë e kënd trojeve etnike dhe në mërgim.

Në mesin e të rinjve, që nuk po pajtoheshin me dhunën dhe terrorin që po ushtronte regjimi gjakatar i Millosheviqit, ishte edhe Ymer Alushani, që  gjatë luftës do  marrë nofkën “Vogëlushi”. Ai kishte kohë që i përcillte nga afër ngjarjet,  që zhvilloheshin në Drenicë edhe anë e kënd Kosovës. Shpeshherë nga shtëpia dilte  natën dhe nuk kthehej deri në orët e hershme të mëngjesit. Dhe për këtë askujt nuk i thoshte asnjë fjalë.

Rënia heroike e Jasharëve i kishte kaluar kufijtë e durimit të tij. Krismat e mëngjesit të 9 majit të vitit 1998, Ymerin e gjejnë në Grykën e Llapushnikut, krah për krah me luftëtarët e lirisë në pozicionet e Grykës dhe prej atyre çasteve nga supet nuk do ta heq automatikun dhe uniformën ushtarake.

Në betejën e 10 dhe 11 majit 1998, Ymeri, do të tregohet mjaft aktiv në luftimet që ndodhen në Grykë dhe për humbjet që iu shkaktuan pushtuesit . Ishte ndër më të merituarit për suksesin që shënoi Ushtria Çlirimtare e Kosovës në ndërprerjen e aksit rrugor Prishtinë –Pejë për 3 muaj me radhë.

Plagosja në betejën e Rahovecit

Pa vonuar vijat e frontit po zgjeroheshin. Në Rahovec forcat e pushtuesit kishin shtuar dhunën . Atje , si gjithkund, kur e kërkonte nevoja , u gjend edhe Vogëlushi. Në përleshjet e drejtpërdrejta me forcat e armikut merr plagët e para të lirisë.

Në secilin aksion, Vogëlushi, do të jetë ndër të parët. Ndërsa, kur ndihej nevoja për armatim, ai në krye të kolonës disa herë do t’i përballojë bjeshkët e Pashtrikut për të hyrë në Shqipëri, në bazat e UÇK-së , për t’u furnizuar me armë.

Për tre muaj me radhë, në Grykën e Llapushnikut,Vogëlushi do të bëhet njëri ndër bedenat e pakapërcyeshëm, që nuk do të lejonte për asnjë çast të kalonte çizme e ushtarit dhe policit serb nëpër Grykë. U krijuar përshtypja se ai ishte i lindur për beteja. Me gatishmërinë e tij do të marrë pjesë në betejat, që ndodhen në Grykë të Carralevës, në Fushticë, Luzhnicë e gjetiu.

Lufta po përhapej anekënd Kosovës. Radhët e UÇK-së po shtoheshin dita-ditës. Pushtuesi pas vrasjeve të civilëve në fshatin Paklek i Ri kishte bërë planet për të sulmuar Grykën e Llapushnikut,  që mbahej mbyllur për 3 muaj me radhë. Pushtuesi kishte organizuar sulmin nga drejtimi i udhëkryqit të Komoranit, duke futur në funksion bazat ushtarake në Golesh, Çukë, në stacionin e radios afër udhëkryqit të Komoranit, bazën policore ushtarake në fabrikën e “Ferronikelit” dhe një arsenal të madh të artilerisë, tankeve dhe këmbësorisë dhe një vijë sulmi prej tre kilometrash.

Pas një dyluftimi te vendi Palanat e Fushticës, ku u ndeshën ballë për ballë pjesëtarët e UÇK-së dhe forcat ushtarake serbe, më 25 korrik, të nesërmen, pushtuesi me forca të shumëfishuara, në orët e hershme të mëngjesit mësyu Grykën e Llapushnikut në përpjekje për të hapur rrugën . Ai kishte përgatitur edhe një vijë fronti nga ana e Malishevës dhe e Kievës.

Ymeri qëndronte në pozicione sepse më parë kishte dhënë betimin se për të gjallë nuk do t’i lëshonte forcat serbe të kalonin nëpër Grykë. Armiku kësaj here ishte përgatitur shumë, ngase ishte i bindur se me luftëtarët e lirisë siç ishte Ymer Alushani nuk do ta kishte të lehtë. Kështu në orët e hershme të mëngjesit të 25 korrikut kishte nisur drejt Grykës me arsenal të madh të mjeteve të blinduara, ushtarë e policë të panumërt, kurse në sulme pos tankeve kishte përdorë edhe sistemin raketor.

Sulmi dhe rezistenca në Grykë zgjatën mbi 33 orë. Nuk kishte lloje të armëve, që nuk përdori armiku mbi pozicionet e ushtarëve të UÇK-së, madje edhe armë kimike. Në mëngjesin e 26 korrikut, kur armiku kishte nisur tanket drejt pozicioneve të UÇK-së,  Ymeri disa herë kishte shkrepur mbi mjetet e blinduara. Veprimi i tij i ngjante luftëtarëve të lirisë, si Mic Sokoli e Hamëz Jashari. Ashtu si këta viganë të lirisë, me gjoksin e tij, do ta ndal marshimin e më tejmë të tankeve serbe nga ai drejtim ku rezistonte.

Lajmi për rënien e Vogëlushit u përhap anekënd atdheut. Pikëllimi ishte i pa përshkruar si në radhët e familjes, bashkëluftëtarëve ashtu edhe të mbarë shqiptarëve, sepse ai tashmë ishte bërë simbol qëndrese . Kosova e humbi njërin prej luftëtarëve më të devotshëm për çështjen e atdheut.

Trupi i Vogëlushit prehet në varrezat e dëshmorëve në fshatin Kleçkë.

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …