Zëvendësministri i Arsimit Agim Berdynaj të martën ka takuar kryetarin e komunës së Suharekës, z.Sali Asllanaj. Me këtë rast Zëvendësministri Berdynaj u interesua për gjendjen e arsimit në komunë, për kushtet në të cilat do të mësojnë nxënësit, për hapësirat shkollore si dhe për kuadrin mësimor. Kryetari Asllanaj së bashku me nënkryetarin Rexhep Kuçi dhe drejtorin e arsimit Sherif Berisha, e ka njoftuar Zëvendësministrin me gjendjen në arsim. Asllanaj ka thënë se Komuna e Suharekës qëndron mirë sa i përket hapësirës shkollore, pasi janë duke u ndërtuar dy objekte shkollore me bashkëfinancim. Problem paraqet vetëm objekti i shkollës në fshatin Leshan i cili është i vjetruar shumë. Kryetari Asllanaj, gjithashtu ka thënë se arsimi në Suharekë ka nevojë për mbështetje të MASHT-it, sidomos në pajisjen me inventarë të dy shkollave që janë duke u ndërtuar me bashkëfinancim, për çka Zëvendësministri Berdynaj ka premtuar se do të angazhohet për të gjetur zgjidhje në këtë çështje.
Pas takimit me kryetarin Asllanaj, Berdynaj, vizitoi shkollën fillore në fshatin Nishor e cila është në ndërtim e sipër.