Zëvendësministri Krasniqi: MBPZHR-ja 3 milionë euro për zhvillimin e sektorit të mjedrës

Ministria e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural së bashku me USAID-in do të vazhdojnë mbështetjen e sektorit të mjedrës në vend, me qëllim të zhvillimit të këtij sektori në një industri të qëndrueshme, duke e bërë atë konkurrues në vend dhe rajon. Kështu është thënë në konferencën e tretë të mjedrës “Të arriturat dhe sfidat e sektorit të mjedrës gjatë vitit 2018”, e cila është mbajtur në Prishtinë dhe është organizuar nga Shoqata Nacionale “Mjedra e Kosovës” dhe është mbështetur nga USAID-i, Caritasi Zviceran në Kosovë dhe GIZ-i. Gjatë kësaj konference janë paraqitur sfidat e prodhuesve të mjedrës në Kosovë gjatë këtij viti, e të cilat sipas pjesëmarrësve po synojnë t’i tejkalojnë përmes përvojave dhe praktikave të marra nga ekspertët e huaj të kësaj fushe. Me këtë rast, në fjalimin e tij, zëvendësministri i MBPZHR-së, Mevludin Krasniqi, ka thënë se ministria gjatë viteve të fundit ka ofruar mbështetje të madhe financiare për  kultivuesit e pemëve të imëta dhe bimët mjekësore aromatike. “Në politikat dhe strategjitë zhvillimore të MBPZHR-së pemëtarinë e shohim si potencial të rëndësishëm në bujqësinë kosovare, por edhe si sektorë me përparësi krahasuese, andaj  MBPZHR ka ndihmuar zhvillimin e sektorit të pemëve  me dhënien e granteve nga viti 2010 në vlerë prej 152,083.78 euro, ndërsa në vitin 2017 ministria ka ndarë një buxhet prej 14,500,000.00 euro. E krahas kësaj, që nga viti 2015 përmes pagesave direkte kemi  mbështetur fermerët me nga 400 euro për hektarë”, ka treguar zëvendësministri Krasniqi. Ai po ashtu ka treguar se gjatë këtij viti, MBPZHR-ja dhe USAID-i së bashku janë duke e bashkë financuar projektin për pemët e imëta në Kosovë, ku për këtë projekt ministria ka ndarë një buxhet prej 3 milionë euro, ndërsa USAID-i 4,2 milionë dollar amerikan. Ndërsa, drejtoresha e misionit të USAID-it në Kosovë, Lisa Magno, ka thënë se gjendja në sektorin e mjedrës, ndër vite ka ndryshuar për të mirë falë punës së fermerëve dhe falë mbështetjes që po e japin për zhvillimin e këtij sektori. “USAID-i ka mbështetur lidhjet mes fermerëve dhe tregtarëve dhe shitësve me pakicë, eksportuesve, pra e kemi pasur parasysh këtë zinxhir të vlerave. Gjithashtu kemi ndihmuar fermerët që të certifikohen dhe kjo ua ka rritur potencialin për t’i eksportuar produktet e tyre”, ka thënë Magno. Kryetari i shoqatës “Mjedra e Kosovës”, Sami Uka, ka treguar se ky vit ka qenë mjaft sfidues për kultivuesit e mjedrës, por ka theksuar se e njëjta ka ndodhur edhe në vendet e rajonit. Për të tejkaluar këto sfida, ai ka treguar se në këtë konferencë kanë të ftuar edhe ekspert të kësaj fushe nga vendet e rajonit e më gjerë, të cilat sipas tij do të tregojnë për praktikat dhe përvojat më të mira, për tejkalimin e krizave, të cilat mund të shfaqen në sektorin e mjedrës edhe në të ardhmen.

Kontrolloni gjithashtu

Kuvendi komunal i Rahovecit mbajti mbledhjen e rregullt të njëmbëdhjetën për këtë vit kalendarik

Udhëhequr nga Kryesuesi – Arbër Zenuni, u mbajt seanca e muajit nëntor, e njëmbëdhjeta e …