Zëvendësministri i Tregtisë dhe Industrisë, Mentor Arifaj, ka munguar në vendin e tij të punës për më shumë se 8 muaj, duke marrë rregullisht pagën prej 1,554 eurosh dhe përfitimet e tjera. Aktiviteti i tij i fundit publik daton më 26 prill 2024, dhe që nga ajo kohë nuk ka pasur asnjë paraqitje apo aktivitet në ministri. Gjatë kësaj periudhe, ai dhe dy bashkëpunëtorët e tij, asistenti dhe shoferi, janë paguar rregullisht. Megjithëse Periskopi ka dërguar pyetje për të sqaruar situatën, Arifaj nuk ka ofruar ndonjë përgjigje. Ky rast ngre shqetësime për emërimet e zëvendësministrave që nuk janë të angazhuar në detyrat e tyre, por vazhdojnë të paguhen nga taksat e qytetarëve.
