Zëvendësministrja Bunjaku: ADN-ja e futbollit është në gjenet tona

Zëvendësministrja e Kulturës, Rinisë dhe Sportit, Leonora Bunjaku, mori pjesë në konferencën për shtyp të mbajtur të hënën në Prishtinë, e cila u organizua me ndihmën e “Melodi Events & Eagle Corporation”, ku i pranishëm ishte ish-futbollisti i njohur i Barcelonës dhe i Përfaqësueses së Brazilit, Edmilson. Edmilson gjatë muajit qershor në Prishtinë do të mbajë një kamp për futbollistët e rinj (6-16 vjeç). Me këtë rast zv.ministrja e MKRS-së Leonora Bunjaku tha se “Është kënaqësi dhe nder për MKRS-në që Edmilson është këtu prezent. Ne sot jemi të privilegjuar sepse jemi të përzgjedhur në mesin e disave vendeve për mbajtjen e këtij kampi, mirëpo nuk dyshoj se rastësisht e keni zgjedhur Kosovën, sepse talenti i futbollistëve tanë tashmë është dëshmuar edhe në vendet tjera. Uroj dhe shpresoj që nëpërmjet jush ata do t’i bëjnë ëndrrat e tyre realitet”. “Ju e dini tashmë se në Republikën e Kosovës ADN-në e futbollit e kemi në gjenet tona, vetëm se duhet punë dhe angazhim për ta zhvilluar dhe për ta vënë në pah këtë, të cilën do ta arrijmë me ndihmën tuaj dhe MKRS-ja është e gatshme për ta ndihmuar dhe për ta përkrahur këtë brenda mundësive që ka”, tha zv.ministrja Leonora Bunjaku. Edmilson tha se gjatë kampit do të mundohet që përvojën e tij ta përcjellë te fëmijët kosovarë. Kampi do të mbahet në Prishtinë, në bashkëpunim me Ministrinë e Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS) dhe Komunën e Prishtinës, institucione që kanë ofruar përkrahje të plotë.

Kontrolloni gjithashtu

Themelohet Zyra për Ndihmë Juridike Falas në Komunën e Rahoveci

Kryetari i komunës së Rahovecit, z. Smajl Latifi, të premtën mori pjesë në tryezën për …