Zëvendësministrja Zogaj-Gashi vizitoi Greqinë

Zëvendësministrja e Zhvillimit Ekonomik, Besa Zogaj- Gashi, zhvilloi një vizitë zyrtare në Greqi, me mbështetjen e Ambasadores së Zyrës Ndërlidhëse Greke në Prishtinë, ku u prit nga krerët më të lartë të Ministrisë së Jashtme, por edhe forumeve të ndryshme ekonomike.

Në takimin e zhvilluar me zëvendësministren e jashtme, Maria Kollia Tsaroucha, zëvendësministrja Zogaj-Gashi vuri në dukje të arriturat dhe sfidat e Kosovës jo vetëm në rajon, por edhe më gjerë, zhvillimin ekonomik dhe mundësitë për të bashkëpunuar me shumë mes dy vendeve.

“Si një moment i rëndësishëm për Kosovën, e cila sapo ka marrë “dritën e gjelbër” për liberalizim të vizave në BE dhe aspiron të jetë pjesë e familjes evropiane, në këtë aspekt u theksua nevoja për të intensifikuar edhe më tej marrëdhëniet ndërshtetërore.

Zëvendësministrja Zogaj-Gashi dhe këshilltarja Ratibe Ismaili – Dreshaj, zhvilluan takime edhe me Voula Tektonidou, Zëvendës Sekretare e Përgjithshme për Marrëdhënie Ekonomike dhe Zhvillim, Nikolaos Yotopoulos, Konsull i Parë i Ministrisë së Ambientit dhe Energjisë, Vasileios Likias, Drejtor i Përgjithshëm i Qendrës për Burimet e Ripërtëritshme të Energjisë si dhe Yiorgos Tsipras, Sekretari i Përgjithshëm për Çështjet Ekonomike në Ministrinë e Jashtme.

Zhvillimi ekonomik, integrimi i Kosovës në Bashkimin Evropian si dhe energjia ishin kryefjala e takimeve të zhvilluara, ku zëvendësministrja Zogaj-Gashi mori premtime se së shpejti do të bëhen agjenda të përbashkëta për të zhvilluar forume ekonomike dhe do të ketë rritje të investimeve greke në Kosovë.

Gjithashtu, zëvendësministrja u mirëprit në takim nga Mandrinos Ioannis, Presidenti i Asociacionit të Bizneseve Greke, ku u fol për shkëmbim të vizitave dhe thellimi të bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve.

Interesim të veçantë shprehën drejtuesit e një prej kompanive më të mëdha të energjisë solare në Greqi, Air Sun S.A, Leonidas Kontos, dhe Alexandra Korticelo, për të investuar në Kosovë, si një vend me potencial për tu zhvilluar në këtë drejtim.

Delegacioni nga Kosova u mirëprit edhe nga Pavlina Ylli, Konsulle e Shqipërisë në Selanik, e cila mbështeti dhe siguroi palën kosovare se do të shërbejë si një katalizator për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Greqisë.

Kontrolloni gjithashtu

Dea Shabani shkruan historinë për notin ferizajas

Anëtarja e Klubit të Notit “FERIZAJ”, Dea Shabani ka shkruar historinë për notin ferizajas në …