Zgjedhjet Parlamentare të së dielës në Hungari dhe ato në Serbi monitorohen prej vëzhguesve shqiptarë si pjesë e Misioneve Vëzhguese të ENEMOs!

Zgjedhjet Parlamentare të së dielës në Hungari dhe ato në Serbi monitorohen prej vëzhguesve shqiptarë si pjesë e Misioneve Vëzhguese të ENEMOs!

Këtë të dielë, më datë 3 prill 2022, në Hungari zhvillohen Zgjedhjet Parlamentare, nga të cilat, nëpërmjet një sistemi zgjedhor të përzier, proporcional dhe mazhoritar, do të zgjidhen 199 anëtarët e ardhshëm të Parlamentit Hungarez për 4 vitet e ardhshme.

Rrjeti Europian i Organizatave Vëzhguese të Zgjedhjeve, ENEMO, ka nisur që prej gati dy muajsh këtë Mision Ndërkombëtar të Vëzhgimit të Zgjedhjeve (MNVZ), duke angazhuar 7 ekspertë ndërkombëtarë në Grupin Drejtues të Misionit, si dhe 10 vëzhgues afatgjatë të shpërndarë në të gjitha rajonet e vendit.

Dita e Zgjedhjeve do të vëzhgohet nga një trupë prej 200 vëzhguesish ndërkombëtarë afatshkurtër, të cilët do të monitorojnë në grupe të lëvizshme procesin e hapjes së qendrave të votimit, procesin e votimit, mbylljen e qendrave të votimit, si dhe më pas procesin e numërimit të votave dhe atë të transferimit të materialeve zgjedhore.

Për vëzhgimin e këtyre zgjedhjeve janë angazhuar disa misione ndërkombëtare, ku më të mëdhatë janë ato të ENEMO dhe OSBE/ODIHR.

Duke marrë parasysh kontekstin vendas, ku nuk lejohet që procesi zgjedhor të vëzhgohet nga vëzhgues të pavarur vendorë, roli dhe kontributi i vëzhguesve ndërkombëtarë mbetet i një rëndëssie të veçantë dhe tejet thelbësor.

Raporti i Ndërmjetëm i MNZV-së së ENEMO vlerësoi se Zgjedhjet Parlamentare të 3 Prillit 2022 po zhvillohen në një mjedis politik të polarizuar, me një fushatë të karakterizuar nga pabarazi në garë, si rezultat i keqpërdorimit të burimeve shtetërore, çka çoi në zbehjen e vijës ndarëse mes shtetit dhe koalicionit qeverisës, si dhe akses të pabarabartë në media.  Gjithashtu, ndër të tjera Raporti theksoi se mungesa e një mekanizmi efektiv për kontrollin e financimit të fushatës zgjedhore dhe për rregullimin e fushatës nga palë të treta nuk garanton barazinë mes subjekteve garuese në zgjedhje.

MNVZ-ja pritet të paraqesë Deklaratën e Gjetjeve dhe Konkluzioneve Paraprake pas Ditës së Zgjedhjeve, nëpërmjet një Konference për Shtyp, të hënën më datë 4 Prill 2022.

Koalicioni për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara (KRIIK), si pjesë e ENEMO-s prej vitit 2009 dhe si anëtar i Sekretariatit Drejtues për dy mandate rresht prej vitit 2015, ka kontribuar në vazhdimësi në kryerjen e MNVZ-ve prej ENEMO-s duke angazhuar aktivistët dhe bashkëpunëtorët e tij.

Aktualisht, ENEMO, është duke kryer dy Misione vëzhgimi, ku përveç MNVZ në Hungari, po monitorohen nëpërmjet MNVZ në Serbi edhe Zgjedhjet Presidenciale dhe ato të Parakohshme Parlamentare të 3 Prillit 2022.

Qëllimi i MNVZ-ve  të ENEMO është të rrisë transparencën e procesit zgjedhor, vlerësojë integritetin e tij dhe përputhshmërinë me standardet ndërkombëtare për zgjedhje demokratike dhe legjislacionin vendas, si dhe të formulojë rekomandime për përmirësime potenciale.

Në Misionin Ndërkombëtar të Vëzhgimit në Sërbi, KRIIK kontribuon me një Vëzhguese Afatgjatë, ndërkohë që në Misionin Ndërkombëtar të Vëzhgimit në Hungari KRIIK kontribuon me  Zv/Kryetarin e tij z. Dritan Taulla si Shef të Misionit,  me bashkëpunëtorin e tij, Drejtuesin e Qendrës Rinore Vlorë, z. Elidon Lamani, si Analist i Administratës Zgjedhore dhe Vëzhgues i KQZ-së, si dhe me një Trupë Vëzhguesish Afashkurtër, të përbërë nga 22 aktivistë dhe bashkëpunëtorë të KRIIK.

Angazhimi aktiv i KRIIK në këto Misione Ndërkombëtare, nëpërmjet një trupe aktivistësh dhe bashkëpunëtorësh, përbën një përvojë domethënëse dhe të rëndësishme për rritjen e ekspertizës dhe të kapaciteteve njerëzorë në ndërtimin, ndjekjen dhe monitorimin cilësor të proceseve zgjedhore, si dhe qasjen kritike e konstruktive ndaj zhvillimeve të tjera demokratike edhe në vendin tonë.

Tiranë, më 1 Prill 2022!

Kontrolloni gjithashtu

Arrestohet një i dyshuar për dhënie ryshfeti

Më 8 nëntor 2024, zyrtarët e Njësisë Rajonale të Komunikacionit Rrugor në Gjakovë,  gjatë një …