Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, priti të mërkurën në takim një delegacion të kryesuar nga shefi ekzekutiv i Asociacionit Evropian të Odave të Tregtisë dhe Industrisë, EUROCHAMBRES, Arnaldo Abruzzini.
Gjatë takimit, ku ishin të pranishëm drejtuesit e Odës Ekonomike të Kosovës, të Maqedonisë dhe të Serbisë, kryeministri Mustafa i njoftoi për progresin e arritur në Kosovë në zhvillimin ekonomik dhe prioritetet e mëtejme të Qeverisë.
Mustafa theksoi rëndësinë prioritare që Qeveria e Kosovës i kushton zhvillimit ekonomik si dhe bashkëpunimit ekonomik rajonal, në këtë aspekt.
Shefi ekzekutiv i EUROCHAMBRES, Arnaldo Abruzzini, vlerësoi progresin e arritur në Kosovë si dhe qasjen prioritare të Qeverisë së Kosovës në këtë kuadër, duke ofruar përkrahjen e këtij asociacioni evropian për Kosovën.