Në muajin e ardhshëm, Marrëveshja e Stabilizim Asociimit (MSA), do të hyjë në fuqi dhe do të krijojë mundësi të mëdha për prodhuesit kosovarë. Produktet nga Kosova do të hyjnë në tregun e Bashkimit Evropian, pa ndonjë barrierë dhe në kthim kjo do të krijojë shumë mundësi në krijimin e partneriteteve, si dhe nxitjen e investimeve, kështu ka deklaruar Besa Zogaj – Gashi zëvendësministre e Zhvillimit Ekonomik në Konferencën Ndërkombëtare B2B për Gratë Sipërmarrëse e cila po mbahet nën patronatin e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik në bashkëpunim me Agjencinë lokale Prishtina REA. Me këtë rast Zogaj-Gashi tha se me qëllim të rritjes së aftësisë konkurruese të bizneseve vendore dhe produktet e tyre duhet të kenë cilësi më të lartë e që do të plotësojnë standardet e cilësisë së BE-së, Kosova do të ketë një asistencë teknike prej 645 milionë euro nga BE-ja deri në vitin 2020.
Ajo më tej ka shtuar se gratë kanë një rol të rëndësishëm në zhvillimin e shoqërisë dhe në zhvillimin ekonomik të vendit, “Gratë sipërmarrëse janë kategoria më e fuqishme dhe më e rëndësishme në vend “, është shprehur Zogaj -Gashi, duke shtuar se Qeveria e Kosovës ka trajtuar të gjitha pengesat që janë ngritur nga përfaqësues të bizneseve përfshirë edhe furnizimin jo të rregullt me energji elektrike.
Zv.ministrja Gashi rikujtoi se ndërtimi i Termocentralit “Kosova e Re” do të ketë kapacitet gjenerues prej 500 megavatë, me të cilin do të bëhet një zgjidhje afatgjate dhe do të arrihet një qëndrueshmëri me energji elektrike në vend.
Ajo duke folur për hapat që Qeveria ka ndërmarr për të lehtësuar ambientin për biznese tha se me reformën e re fiskale që hyri në fuqi në shtator të vitit të kaluar, është bërë lirimi total nga TVSH për të gjitha importet, për të gjitha llojet e makinerive të përdorura në procesin e prodhimit, pajisjet e teknologjisë së informacionit, lënda e parë që përdoret në prodhim. Kjo reformë fiskale nxitë investimet dhe prodhimin e procesit.
“Një nga pengesat kryesore për investime në sektorin privat në Kosovë, është identifikuar të jetë qasja në financa. Kjo pengesë është veçanërisht e pranishme në mesin e grave të cilat nuk posedojnë pronë të regjistruar në emrat e tyre. Statistikat e fundit tregojnë se më pak se 10% e grave kanë të regjistruar pronën dhe për këtë arsye një numër i madh i NVM-ve, drejtuar nga gratë nuk i plotësojnë kriteret për kolateral në marrjen e një kredie.
Me qëllim të lehtësimit të kësaj pengese dhe ngritjen e rritjes së kredisë për sektorin privat Qeveria së bashku me donatorët, ka miratuar Ligjin për Fondin e Garantimit të Kredive, që pritet të fillojnë të implementohen që nga prilli i këtij viti”, ka pohuar zëvendësministrja Zogaj-Gashi, duke shtuar se kreditë sipas kësaj skeme do të fillojnë të lëshohen dhe do të mbulojnë 50% të kolateralit.
Zogaj-Gashi shtoi se bizneset në pronësi ose të menaxhuara nga gratë kontribuojnë pozitivisht në ekonominë dhe shoqërinë e vendit në shumë mënyra. Në Kosovë ka shumë shembuj pozitiv të bizneseve që janë në pronësi ose janë nën udhëheqjen e grave tha ajo.
Ndërsa me këtë rast, Afërdita Saraqini, përfaqësuese e Dhomës se Grave Ekonomike të Kosovës G7 tha se; pozita e gruas në kuadër të shoqërisë kosovare në bazë të statistikave nuk është e lakmueshme, “Barrierat kryesore të grave në biznes është korrupsioni, konkurrenca jo e barabartë, mungesa e qasjes në financa, kamatat e larta në banka etj.”.
Ndërsa në fjalën e saj Kadin Girisimcilik Kryetare e Odës Ekonomike e Kocaelit në Turqi duke shpalosur përvojat e vendit të saj tha se gratë në Turqi kryesisht janë të punësuara në sektorin e shitjes dhe se atyre u duhet propagandim më i madh për afinitetet e tyre në të bërit biznes.
Ndryshe në këtë konferencë kanë prezantuar përvojat e vendeve të tyre përfaqësueset e Shoqatave të biznesit nga Shqipëria, Maqedonia, Serbia, Mali i Zi, Turqia, Franca, Italia dhe vende tjera.