Edhe pse shqiptarët në Zvicër po integrohen në institucione, Policia kantonale e Cyrihut ka arrestuar ditë më parë dy shqiptarë, ish pjesëtarë të UCK-së Albert Spahiun dhe Genc Zogajn, të cilët e kërkon Serbia për t’i gjykuar, edhe pse Albert Spahiut ia ka vrarë pesë anëtarë të familjes gjatë kohës së luftës. Ata kërkohen nga Qeveria në Beograd, e cila i ngarkon për krime ndaj serbëve gjatë luftës. Sipas deklaratës së vëllait të Genc Zogajt, ai aktualisht ndodhet në burgun “Prison de Champ-Dollin” në Puplinge të Zvicrës dhe pritet ekstradimi i tij për në Serbi. Të arrestuarit i kanë mohuar akuzat dhe kanë kundërshtuar ekstradimin në Serbi, derisa Ambasada e Kosovës në Bernë ka shpjegime lidhur me rastin. Për më tepër, ministri i Drejtësisë, Hajredin Kuçi, i ka dërguar letër Simonetta Sommaruga, kryetares së Departamentit Federal zviceran për Drejtësi dhe Polici. Kuçi i ka shkruar zviceranes se ekstradimi i kosovarit në Serbi nuk është i lejuar, ngase për krimet e pohuara të tij, juridiksion ka gjyqësori në Kosovë, e jo në Serbi.
