Zymer Mehani: Doli nga shtypi libri: “Kadri Avdiu-një jetë në shërbim të atdheut”

Zymer Mehani: Doli nga shtypi libri: “Kadri Avdiu – një jetë në shërbim të atdheut”

Kjo monografi i kushtohet veprimtarit nga fshati Bellopojë të komunës së

Podujevës, Kadri Avdiut, të cilin e njoha prej moshës sime mitare, meqë dy familjet tona prej kohësh ishin fqinje, e nga viti 1967, kishim lidhur edhe miqësi mes vete.

1.

Kadriu pra është një aktivist dhe veprimtar, si dhe një luftëtar i lirisë (veteran i luftës së UÇK-së). Në faqet e librit është përmbledhur një pjesë e rëndësishme e jetës dhe e kontributit të tij në shoqëri. Përgjatë aktiviteteve dhe angazhimeve të tij, ai ka luajtur një rol kyç për kauzën e lirisë dhe drejtësimit të popullit. Përveç aktivizmit të tij politik, Kadri Avdiu ka shfaqur guxim dhe përkushtim të jashtëzakonshëm, sidomos në luftën për çlirimin e vendit të tij, duke marrë pjesë drejtpërdrejt në radhët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, në ZOLL, në betejat dhe luftërat e zhvilluara kundër okupatorit serb. Ai është një ndër pionierët që ka udhëhequr iniciativa për mbrojtjen e të drejtave të njeriut, pavarësisht sfidave dhe kundërshtimeve. Ky atdhetar i denjë është përfaqësues i një periudhe të rëndësishme në historinë e vendit, që quhet Kadri Avdiu, i cili ka lënë gjurmë të pashlyeshme në rrugën drejt lirisë dhe drejtësisë.

Kadri Avdiu është një person i përfshirë në shumë fusha të jetës publike dhe politike në Kosovë. Prandaj duke qenë i këtillë, portretizimi i figurës së tij na ofron një pasqyrim të qartë mbi kontributin dhe angazhimin e tij në sfera të ndryshme të jetës publike dhe politike në Kosovë.

Kadri Avdiu, emër i njohur në skenën politike të Kosovës, ka kaluar një rrugë të gjatë dhe të pasur në shërbim të vendit dhe të popullit të tij. Ai është një personalitet i shquar dhe një luftëtar i pasionuar për lirinë dhe drejtësinë kombëtare.

Arsimi i tij ka kaluar nëpër rrugët e shkollës fillore në Terrnavë, pastaj në bankat e shkollës së mesme, drejtimi i ekonomisë në Podujevë, dhe më pas, pas luftës së vitit 1999) në Fakultetin Ekonomik, ku është diplomuar si ekonomist.

Në fushën politike, Kadri Avdiu ka shërbyer si anëtar i Kryesisë së Degës së Partisë Demokratike të Kosovës (PDK) në Podujevë, duke u bërë gjithashtu pjesë e Kongresit saj. Ai ka shërbyer edhe si këshilltar politik në Kuvendin Komunal të Podujevës nga radhët e PDK-së, dhe më pas si shef i grupit të PDK-së në të njëjtin kuvend.

Përveç angazhimit politik, historia e tij ka shënjuar një periudhë të rëndësishme si komandant i Batalionit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK) 151, “Zahir Pajaziti”, gjatë periudhës së luftës për liri (1998-1999). Ka filluar pjesëmarrjen e tij në UÇK që në vitin 1996.

Pas luftës, Kadri Avdiu ka vazhduar të shërbejë në pozita të ndryshme, duke përfshirë ato të inspektorit në Shërbimin Informativ të Kosovës (SHIK. Në sferën e angazhimit shoqëror, ai ka qenë pjesë e shoqatës “NËNË TEREZA” në Tërrnavë, komuna e Podujevës, duke udhëhequr si kryetar nga viti 1991 deri në vitin 1998. Gjithashtu, ka drejtuar Nëndegën së Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) në Tërrnavë, duke shërbyer nga viti 1991 deri në vitin 1997.

Me një karrierë të pasur dhe shumëfarëshe, Kadri Avdiu ka shfaqur përkushtim të vazhdueshëm ndaj shërbimit publik dhe kauzave të lirisë.

2.

Është detyrim moral dhe intelektual të shkruash për personalitete, siç është Kadri Avdiu, prandaj i jam rrekur punës të hulumtoj dhe të gjej të dhëna për të, ngase ato na ndihmojnë për ta njohur më mirë të kaluarën e ndritur të vendit tonë.

Treva e Llapit gjithmonë ka lindur e rritur bij të denjë, qoftë të pushkës, por edhe të penës, që na kanë bërë të ndihemi krenarë brez pas brezi, e për këtë gjë u jemi mirënjohës prore. E një figurë markante, përmasash kombëtare është edhe veprimtari Kadri Avdiu, fjalëpakë e punëshumë, gjithmonë në të mirë të kombit, të cilit i takon. Brezat do ta falënderojnë prore për përkushtimin e tij atdhetar, edhe me këshilla, edhe me punë fizike, por edhe me pushkë.

Ideja për shkrimin e një libri për këtë atdhetar ishte e kahershme, jo vetëm nga unë, por edhe nga autorë tjerë, por, gjithnjë hasnim në rezistencë dhe refuzim nga vetë Kadriu me shprehjen e tij të njohur “Kur të vdes unë, bëni ç’të doni”. Këtë qëndrim e mbajti deri më 27 janar 2024, teksa ishim në një të pame në Prishtinë me rastin e vdekjes së motrës sime, Ajshe Mehani-Avdiu (e lindur më 1952), që ndërroi jetë, në mëngjesin e hershëm të datës 24 janar 2024, sa ishte në gjumë.

Iniciator dhe financues i këtij projekti është, Bashkim Avdiu, botues i njohur në Prishtinë, i cili duke pasur parasysh rastin e vdekjes së befasishme të nënës së tij, me këmbëngulje arriti ta bind kushëririn e tij, Kadriun që të na lejoj fillimin e punës për këtë libër.

Kadriu nuk ishte shumë entuziast për këtë ide, sepse siç thotë bashkëvep-rimtarimtari i tij, Ilmi Ahmeti: “Ai ishte tejet modest, i sinqertë, besnik e guximtar. Askush s e dëgjoi, qoftë edhe një herë të fliste për punën dhe angazhimet e veta që bënte”. Dhe vërtet Kadriu është i tillë. Ne patëm fatin që përkundër preokupi-mit të tij me shëndetin e bashkëshortes, që po përjetonte një sëmundje të rëndë, arritëm që gjatë shkurtit 2024, të realizonim dy intervista me të. Ndërkohë, situata ndryshoi me përkeqësimin e gjendjes shëndetësore të Kadriut, që gjatë kësaj kohe edhe ai, sikurse e shoqja u diagnostifikua me sëmundje të rëndë.

Puna jonë nuk u ndal, falë mbështetjes së pakursyer nga bashkëveprimtarët e Kadriut, sidomos: Hasan Rudarit, Agim Eminit, Bekim Begollit, Shemsi Jasharit e shumë të tjerëve.

Marrë parasysh se, burimi kryesor i informacionit, Kadri Avdiu, duhej t’i nënshtrohej një operacioni serioz në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës në Prishtinë dhe një tretmani rigoroz pas operacionit, vendosëm që një pjesë e konsiderueshme e librit të jetë kujtime, fjalë dhe përjetime të të tjerëve për Ka-driun, që do ta pasurojnë librin edhe më shumë.

E lusim Zotin e Plotëfuqishëm për shëndetin e Kadriut dhe besojmë e shpresojmë se ai do të rehabilitohet tërësisht.

Ky libër është një dëshmi e kontributit të jashtëzakonshëm të Kadri Avdiut dhe bashkëpunëtorëve të tij në shërbim të atdheut dhe një përpjekje për të përjetësuar veprat e tij të vyera.

Natyra e gjallë, korrektësia, toleranca, vendosmëria, besimi dhe gatishmëria e vazhdueshme për të vepruar në të mirë të çështjes kombëtare, pa marrë para-sysh çmimin që mund të paguante, kanë bërë që ai gjatë gjithë jetës së tij të ish-te i rrethuar nga shokë e miq të shumtë, të cilët i qëndruan besnikë në këtë rugëtim, siç e përmend, miku, bashkëveprimtari dhe shoku i jetës, Fadil Tullari, i cili thotë: “…më i dalluari prej nesh ka qenë Kadri Avdiu, të cilit i kemi besuar shumë dhe vazhdimisht ne, bashkëveprimtarët e tij, i kemi qëndruar besnikë në rru-gëtim për çështjen kombëtare” .

Kadriu me mendësinë politike që kishte dhe me qasjet jopretenduese për veten e tij, si dhe me modestinë e cila e karakterizonte, mbeti për të gjithë njëri nga shokët dhe miqtë e rrallë dhe tejet i çmueshëm…

Sa i përket veprimtarisë politiko-atdhetare të Kadri Avdiut, ajo në masë të madhe mbështetet në bisedat e drejtpërdrejta që kemi pasur me të dhe me shumë shokë të tij.

Jemi të vetëdijshëm se lidhur me jetën dhe veprën e Kadri Avdiut ka mbetur edhe shumëçka pa u thënë, ngase figura e tij vërtet është poliedrike: së pari ishte organizator dhe pjesëmarrës i demonstratave të vitit 1981, pastaj krushk i varganit të pajtimtarëve të gjaqeve në Kosovë; iniciator dhe organizator i të gjitha aksioneve për komunitetin e fshatit të tij dhe të fshatrave përreth, por edhe më gjerë, për të arritur deri të kyçja në radhët e UÇK-së, ku kishte luftuar plot guxim deri në çlirimin e Kosovës nga forcat serbe.

Për biografinë e tij të mbushur me përndjekje politike, nuk i kam përjashtuar këtu as njoftimet gojore të vetë Kadriut, të familjarëve dhe të bashkëveprimtarëve të tij nga Llapi dhe viset tjera të Kosovës.

Veprimtaria atdhetare e Kadri Avdiut është trajtuar në kontestin e ngjarjeve madhore të viteve 80 e 90 të shekullit të kaluar, që ndodhën në Kosovë. Prandaj jetës dhe veprës së Kadri Avdiut i jam qasur sipas kronologjisë, sepse ajo ka ecur paralelisht me zhvillimin e ngjarjeve madhore, kur shqiptarët në Llap dhe në Kosovë, për realizimin e të drejtave të tyre legjitime, bënë demonstrata masive dhe protestuan në forma të tjera të qëndresës aktive, ndërkohë që në kapërcyellin e shekujve të njëzetë/njëzetenjë, bënë luftën e imponuar çlirimtare, që vërtet çoi në çlirimin e Kosovës.

Do të jem i lumtur nëse ia kam arritur që nëpërmjet të këtij libri, t’ua kem sjellë sa më të plotë figurën e Kadri Avdiut gjeneratave të tanishme dhe atyre që do të vijnë.

Kontrolloni gjithashtu

Adil Fetahu: IBRAHIM KADRIU ME ROMANET E TIJ I LUFTON VESET TONA

Adil Fetahu: IBRAHIM KADRIU ME ROMANET E TIJ I LUFTON VESET TONA

‘’Ligji duhet të shkulë veset, e të mbjell virtyte’’            (Cicreoni)   (Ibrahim Kadriu: VESE NË …