Zymer Mehani: ISHE DHE JE

(Në 25-vjetorin e rënies, e përkujtojmë Gjeneralin Abedin Rexha- SANDOKANI)

1

Në bust kur të pashë

-Lavdi të qoftë,-të thashë

Për ty më ra një lot

Si dje, edhe sot

Madhështor ishe dje

Sikur sot që je

2

Ti u zgjove

Kur të tjerët flinin

Ti qëndrove

Kur të tjerët iknin

O trim Arbërie

Meteor lirie

3

Kur ike ti

Qiellit i mungoi kaltërsia

E lapsit tim vargu

Dhe kitarës iu këput një tel

Melodi pa nota në pentagram

Ti kur ike

Maleve kryelarta u humbi freskia

Lumenjtë e kësaj toke

Rridhnin me turbullimë

Ngjyrat e ylberit krejt u tretën

Gjithkah mot i trazuar, me stuhi e suferinë

Ti kur ike, o trim, nga muri ra një gur

E gjaku që derdhe u ngjit në flamur

4

Të mori dallga

U bëre shkumbë

Të mori vala

U bëra lumë

Të mori qielli

U bëre ylber

Të mori ngurtësia

U bëre mermer

Të mori fusha

U bëre lulëkuqe

Të mori kopshti

U bëre burbuqe

Të mori pranvera

U bëre lastar

Të mori etja

U bëre ujëvarë

Të mori vala

U bëre gurrë

Të mori shqipja

U bëre flamur

5

Emri yt i vlefshëm

Sa një dashuri

I çmueshëm, plot vlerë

Sa një betim

Plagë e trazuar

Sa një dhembje

Simfoni e ndërprerë

Jotja jetë

Zemër e madhe

Shqipe me dy krerë

Stërnip Ilirie

Mall atdhesie

6

Sandokan, vëlla

Zgjohu……

Nga prehri i dhembjes sonë

Zgjohu…

Nga shtrati i pacak

Zgjohu…..

He, burrë i fjalës

Dhe i besës

Se Kosova

Me shtat të plagosur

Me zë të lartë

Të thërret:

-Zgjohu, biri im

Ti, o trim me fletë

Zgjohu, Shqipe mali

Shpirti yt m’jep jetë

Kosova kreshnike

Me zë të lartë të thotë:

-Zgjohu, Sandokan

Se veç ti m’del zot

Dje, sot, jetë dhe mot

Të pastë nëna, bir

Lule xhevahir

7

Telat e harpës sime

U këputën nga erërat

Kur re ti, o trim

Bebëzat e syve të mi

I verboi tehu i stuhisë

Ti kur re, vëlla

Gishtërinjtë e duarve të mia

I preu thika e lemerisë

Kur ti re, hero

Dridhen telat deri në dhembje

Tradhtia paska goditje për shembje

O dëshmori ynë

Mbi ballë më qëndron e nderë

Nata e vështirë-skëterrë

O bir atdhetar

8

Dole nga zjarri-flakë

Dole nga deti-dallgë

Qëndrove besnik

Zemërçelik

Mbi dhé-lastar

Nën dhé-si ar

Margaritar

I vërtetë shqiptar

Ishe dhe je

Lastar dhe ar

Dallgë edhe zjarr

Rrebesh stuhie

Gjerdan lirie

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …