Selim Halil Berisha (3.6.1950 - 20.3.1999)

Zymer Mehani: Në kujtim të dëshmorit, prof. Selim Berisha

Ishte profesor, por mbi të gjitha, ai ishte atdhetar

(Në njëzetekatërvjetorin e rënies së dëshmorit të kombit, prof. Selim Halil Berisha)

1.

Selim Berisha u lind më 3 qershor 1950, në fshatin Dren të Prishtinës. Ishte një djalosh me trup të lidhur, me shpatulla të gjera, me një fytyrë në ngjyrë gruri, ku i shkëlqenin dy sy plot gjallëri.

Familja e Selimit, gjatë historisë shquhej për rezistencë kundruall okupatorëve të njëpasnjëshëm, prandaj në atë vatër ruhej prushi dhe zjarri për liri të Kosovës, ngase babë Halili e Nënë Hata fëmijët e tyre: djemtë Hajdinin, Rrahimin, Milazimin, Selimin, Qazimin dhe vajzë Hajrijen po i rrisnin dhe edukonin në tabanin e kombëtarizmit). Sot, në liri, Familja Berisha e Drenit të Prishtinës, me të drejtë ndihet krenare, ngase në atë vatër u tund djepi, ku u rrit pishtari i arsimit, prof. Selim Berisha, tani dëshmor i kombi, i cili më 20 mars1999, bie heroikisht në fushë të nderit, duke u shndërruar në bazament të fortë të lirisë dhe të shtetit të Kosovës.

Në ato vite kur lindi Selimi, ky fshat i vogël nuk kishte aq shumë shtëpi, aq sa ka sot, të ngritura mbi truallin arbëror, prej nga mund të vështroje fusha e male të Gollakut e të Llapit ilirik, nip i të cilit ishte Selimi syshqiponjë.

2

Në Fakultetin Filozofik, Dega e Historisë, ku studjonte Selimi, që vërtet prore kishte etje për dije, kishte grupe të rinjsh atdhetarë, bashkë me të cilët e kuptoie

u njoh në vija të përgjithshme se jeta, varfëria e skamja, e mbi të gjitha, pabarazia e padrejtësia po sundonte mbi shqiptarët e në tërë Kosovën. Po fajtorët për këtë gjendje diheshin se cilët ishin: pyshtetarët serbë e jugosllavë, të ndihmuar nga tradhtarët shqipfolës, prandaj edhe mjetet për ta ndryshuar atë gjendje të pavolitshme s’mund të gjendeshin aq lehtë.

Në dy vjetët e fundit në Fakultetin Filozofik, Selim Berisha zhvilloi një aktivitet intenziv kombëtar midis studentëve. Shokët e tij të studimeve tregojnë se ai kishte qenë në radhët e para të studentëve në të gjitha demostratat dhe aksionet e tjera konkrete të rinisë studentore që nga viti 1981 e tutje. Në një faqe të ditarit të tij të asaj kohe shkruante: “Në demostratën e parë mora pjesë spontanisht, kur pashë shokët e klasave më të larta që luftonin për një çështje të drejtë. Atëherë, ata nxënës e studentë, që ishin bij e bija atdhetarësh m’u afruan dhe më hapën zemrën. Kështu fillova të njihem me të vërtetën e madhe të jetës…. “.

Ky aktivitet i Selimit ra në sy të njerëzve të pushtetit e të spiunëve të regjimit dhe qysh atëherë për atë fillojnë përcjelljet nga spiunët dhe ndjekje të tjera. Këto ndjekje e persekutime, në vend që ta trembin, bëjnë efekt të kundërt tek ai. Ai e zgjeron edhe më shumë aktivitetin propagandistik në masën e rinisë shkollore për Kosovën Republikë. Qysh atëherë u duk shpirti i Selimit porsi uragan, që na bëri me dije se do të bëhej njeri i aksionit, njeri i veprimtarisë praktike atdhetare.

3

Në ditarin e tij, prof. Selimi shkruan: “Kur mbarova studimet, dekanati na dha në dorë një copë letër dhe na tha: -Me këtë diplomë do të çelni rrugën e jetës. Rrugë të mbarë e suksese në punë!… Por prapa shpine, autoritetet hartuan një dokument tjetër me këtë përmbajtje: -element i rrezikshëm e nacionalist….. Kjo është shoqëri me dy faqe; nga njëra anë të shtrëngon dorën, kur të jep diplomën, e të uron rrugë të mbarë, nga ana tjetër kërkon që të të mbyllë me çdo kusht rrugën e jetës…

Tani s’na mbetet gjë tjetër, veçse ta hapim atë rrugë me gjoks, me luftë e po të jetë nevoja edhe me pushkë…”.

4.

Në prag të luftës, prof. Selim Berisha do të thotë:

“Pra, është më se e sigurtë, se brezi ynë do të luftojë- shkruan ai në ditarin e tij, në kohën e luftës që zhvillohej në Drenicë”. Dhe në një rast tjetër, duke bërë fjalë për shtërgatën e madhe që po afrohej, ai shënon: «Unë si njeri i vuajtur nuk ia kam hiç frikën asaj lufte….”

5.

«Ora e kuftës ka rënë…”

Prof. Selimi, në fletoren e tij të shënimeve, gjatë ditëve të para të luftës 1998, shkruan: <<Prekazi ka ndezur një flakadan të fortë, që na ndriçon rrugën e jetës. Vetëm ata që janë të verbër nuk e shohin këtë dritë të fuqishme e shpëtimtare; përveç armiqve sigurisht, që kjo dritë e madhe ua verbon sytë…»

Tani ai s’ka më kohë që të mbajë shënime në ditar. Janë ditët e vrullshme të organizimit të luftës së armatosur nën udhëheqjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës për t’ këputur njëherë e përgjithmonë vargojtë e robërisë të okupatorit serbo-sllav.

Në ditarin e prof. Selimit, ku shënimet bëhen gjithnjë më të rralla, gjejmë vetëm këto rreshta të fundit të shkruara nga dora e tij: «Ka ardhur ora e veprimit, ora e luftës vendimtare. S’kemi si të presim më as edhe një minutë. Mjaft kemi pritur! UÇK-ja na prin…”.

Lavdi dëshmorit, Selim Berisha, që iku me beharin duke na e sjellë PRANVERËN!

Kontrolloni gjithashtu

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, ( 1922-1992) gjuhëtar, leksikolog, akademik

Androkli Kostallari, lindi më 7 nëntor të vitit 1922 në Leusë të Përmetit, është gjuhëtar, …