*Zahirit, Edmondit, Hakifit* (I kujtojmë dëshmorët e atdheut, në përvjetorin e rënies)
Ju shpesh qëndruat ballë për ballë me stuhinë
E armikut shekullor urrejtjen ia patë dhe mërinë
Dhe hakun ia dhatë e nam të madh latë…..
E sot qëndroni lisa në erë, në borë e në shi
Emrat tuaj të artë mbiemrin e kanë LIRI….
Zahir, o trim i Llapit ilirik, i dalë nga epika
Me krenari i rreshtove ushtarët në rreshta e në pika
Dashurinë për atdhe me dëshmorët bashkë e ndave
E qiellit tonë ia ktheve kaltërsinë ti me një tufë yllësie
Me Edmondin, Hakifin,…. Adem Jasharin, flakadan lirie
Ju rrugën e vazhduat nëpër dallgë e nëpër erë
E zemrat tuaja për liri të atdheut u përflakën çdoherë
Si rreze dielli, kur agimet e kaltra t’përgjakura u dukën
Ashtu dhe ju me gjakun tuaj këtë truall e skuqët
Në rrugën e brezave, Zahir, me Edmondin e Hakifin
Me dashurinë për atdhe, që e kishit në zemër
Porsi shqipet fluturonit lartësive më të epra
E sot për ju flet gjaku juaj, sakrifica dhe vepra
Ju, dhembje e dashuri për atdhe i kishi te damaret
Që ju digjte prush si flakët dhe zjarret
Dhe drejt vdekjes shkuat bashkë, ku ju priste prita
Aty ratë për të mos vdekur, u kthyet në petrita
Shumë e vogël para jush, Zahir dukej vdekja
Sepse për atdhe, flamur e komb e madhe ishte etja
Ju zemër na dhatë të duam, por edhe të urrejmë
Na mësuat të jemi të fortë, të qëndrojmë e ngadhnjejmë
Unë poeti si në vegim shoh dëshmorët varg e varg
Prej të parit tek i fundit, kushedi sa janë larg
Por unë ua di fshehtësitë dëshmorëve ç’mendojnë
Ua di çdo dëshirë dhe e di çfarë ëndërrojnë
O ata janë yje vezullues lart në qiellin e atdheut
Janë yje të përflakur, të përpjekur me retë
Ata janë të njëjtë, të gjithë janë të lartë
Janë njëjtë prore të fortë, janë njëjtë prore të zjarrtë…