Mic Sokoli (1839- 188) luftëtari i betejave të njëpasnjëshme të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit

Zymer Mehani: Personaliteti historik si personazh letrar në romanin “Mic Sokoli” të Sylejman Krasniqit

Hyrje

Romani “Mic Sokoli”, i botuar më 1979, vetëm një vit pas përkujtimit të 100-vjetorit të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, krijoi një tipologji të veçantë në letrat shqipe. Shkrimtari Sulejman Krasniqi krijoi heroin e përmasave kombëtare (Mic Sokoli), që fatin dhe veprimtarinë e vet ua nënshtroi ideve të mëdha kombëtare. Ai arriti që me penën e tij të gdhend një personazh, që në vetvete bashkë me kompleksitetin e personazheve të tjerë si Ahmet Koronica, Shuaip Spahiu, Haxhi Zeka, Sefë Kosharja etj., krijoi universin shqiptar të heroizmit. 

Personazhet e romaneve të shkrimtarit Sulejman Krasniqi janë kryesisht luftëtarë trima, por edhe njerëz të thjeshtë të popullit, të cilët sakrifikojnë jetën e tyre për të mirën e vendit. Shumica prej tyre janë persona realë, si: Mic Sokoli (në romanin “Mic Sokoli”, Tiranë, 1979), Bajram Curri (në romanin “Pushka top, Bajram Curri”,   Tiranë, 1982), Oso Kuka (në romanin “Oso Kuka”, Tiranë, 1990), Shotë Galica (në romanin “Prijësja e komitëve”, Tiranë, 1975), Sulejman Vokshi, Ymer Prizreni (në romanin “Mic Sokoli”, Tiranë, 1979)), Shaqir Curri, Mehmet Ali Pasha (në romanin “Pushka top, Bajram Curri”, Tiranë, 1982), Azem Galica (në romanin “Prijësja e komitëve”, Tiranë, 1975) etj., por në romanet e tij ka edhe personazhe të trilluara, që janë prodhim i imagjinatës së shkrimtarit (në të gjitha romanet e Sulejman Krasniqit). 

Figura e Mic Sokolit si personazh në romanin e Sulejman Krasniqit

Në romanin “Mic Sokoli”, shkrimtari Krasniqi me sukses ka kultivuar prozën e mirëfilltë letraro-artistike, ngase këtë gjë e kishte edhe synim. Autori, pra shkroi roman me temë historike, por nuk krijoi vepër historike. Personalitetin historik (Mic Sokolin) e ka shndërruar në kryepersonazh  apo në karakter letrar, ashtu siç e kërkon urdhri teoriko-letrar. Poashtu, edhe faktet historike i ka trajtuar si dukuri jetësore, ndërsa vetë historinë si një segment të jetës në vazhdimësinë e saj. Prandaj, gjatë leximit të romanit “Mic Sokoli”, personalitetin historik të heroit Mic Sokoli nuk e shikojmë si shëmbëlltyrë të njohur, por si personazh apo si karakter letrar, sepse nuk është interesi i lexuesit të dijë se ç’rol ka pasur heroi në proceset historike si personalitet, por ç’funksion kryen ai si personazh në procesin krijues të strukturës artistike dhe cilat ideale humaniste e atdhetare materializohen artistikisht përmes figurës-simbol të tij.

Tani më dihet se shkrimtari Sulejman Krasniqi kryesisht e kultivoi romanin historikë të personazhit (“Prijësja e komitëve”, Tiranë, 1975); “Mic Sokoli”,  Tiranë, 1979); “Pushka top, Bajram Curri”, Tiranë, 1982); “Oso Kuka”, Tiranë, 1990).), siç është edhe romani në fjalë, i cili ka strukturë poetike të dyzuar, d.m.th. veç vënies në plan të parë të shëmbëlltyrës historike (Mic Sokolit), ai shquhet edhe me pozitën subordinare të personazheve të dorës së dytë (historikë e të trilluar), por edhe me monofoninë semantike. Prandaj, duke qenë i këtillë, ky roman mund t’i afrohet tipit të romanit të ngjarjeve, sepse aty fabula është protali kryesor i paraqitjes së jetës nga e kaluara jonë historike, d.m.th., fabula e tij është historia e zgjeruar e personazhit kryesor (Mic Sokolit), duke e përshkruar në mënyrë ekstensive, të gjerë dhe të hollësishme jetën e tij që nga fëmijëria deri në vdekjen e tij heroike.  Prandaj, shëmbëlltyrën e njohur historike të Mic Sokolit shkrimtari S. Krasniqi e ka shndërruar në figurë-simbol, që shpreh heroizëm gjer në vetëflijim, duke i vënë gjoksin topit të armikut shumëshekullor otoman. Kësofare, me jetën dhe me vdekjen e vet, Mici simbolizon karakterin heroik të luftërave mbrojtëse e çlirimtare të popullit shqiptar për liri dhe pavarësi. 

Mic Sokoli, personazh historik, i idealizuar në kufijtë e një heroi mitik 

Në mbështetje të argumentit se figura e Mic Sokolit është idealizuar gjer në kufijtë e heroit mitik, përmendim kumtin për vdekjen e Micit, i cili në roman jepet në mënyrë të tërthortë dhe ka një simbolikë mjaft domethënëse; në fushat e Lumthatit kalin e Micit, kur po kthehej nga fusha e betejës, pa të zotin, e njohën Ahmet Koronica, Haxhi Zeka e Shaip Spahiu e më pas, në mëngjes e panë çikat rrëzë kullës dhe nisën vajin, por Lokemadhja e ktheu gjëmën në një valle të madhe trimash dhe qëndrese: 

“…Lokemadhja vallëzonte, çikat vallëzonin. Fëmijëve që vështronin, gjaku u mëshoi damarëve. Ata filluan të kërcenin vallen luftarake, vallen e qëndresës kundër çdo të huaji. Ata do të rriteshin në luftë, do t’ua përcillnin brezave heroizmin shqiptar deri në amshim!” (”Mic Sokoli”, f. 712).

Mici shquhet prej të tjerëve nga pamja fizike dhe për vetitë e karakterit e të moralit. Jeta e tij është histori në vete e luftërave të shqiptarëve kundër pushtimit osman. Që në fëmijëri ai dallohet me guxim të pashoq, me edukatë e zhdërvjelltësi, me dashuri e me respekt ndaj traditave të të parëve. Prandaj autori e admiron dhe kësofare figura e tij si personazh-simbol është krijuar sipas modelit heroik-romantik. 

Për Micin sundimi i huaj përfaqëson të keqen mitike, që rrezikon lumturinë, dashurinë, jetën e njeriut, idhujt, kultet, traditat e të parëve e të tjera. Lufta kundër kësaj të keqeje, sa vjen e më shumë bëhet e ndërgjegjshme, duke u shndërruar nga një luftë për mbrojtjen e pronës, të nderit, të kulteve dhe të traditës në përpjekje të përgjithshme për hapjen e shkollës dhe të shkronjave shqipe. Rritja dhe formimi i ndërgjegjes kombëtare te Mic Sokoli, në të vërtetë, shpreh rrugën e formimit të lëvizjes kombëtare shqiptare në prag të Lidhjes Shqiptare të Prizrenit (1878) dhe gjatë saj. Vetëdija kombëtare e Micit formohet drejtpërdrejt nën ndikimin e lëvizjes kombëtare dhe të krerëve të saj: Abdyl Frashërit, Sami Frashërit, Haxhi Ymer Prizrenit, Pashko Vasës e të tjerë. Mic Sokolin e gjen kudo, ku ushtarët e Lidhjes ndeshen me Portën e Lartë. 

Shkrimtari e zhvillon subjektin letrar të romanit duke ndjekur hap pas hapi, në mënyrë biografike e kronologjike, bëmat e Micit, që janë edhe akte të rëndësishme të LP-së. Të gjitha këto shkrimtari i mbështet në dokumentin historik dhe kulturor. Duke gërshetuar në mënyrë të ndërvarur faktin dhe fiksionin, shkrimtari e mbështet sistemin e motivacionit dhe në dokumentin historik. 

Duke qenë se Mici me vetë jetën shpreh rritën e lëvizjes kombëtare, edhe me aksionet, bëmat, gjestet, me moralin dhe me dashurinë për atdheun, tregon heroikën e kësaj lëvizjeje. Ai, me jetën, me veprën dhe me vdekjen, nga një shëmbëlltyrë historike, shndërrohet në mit nacional me funksion formativ dhe modelues. Vdekja e tij bëhet model i flijimit për të gjithë patriotët që luftojnë për lirinë dhe për pavarësinë e atdheut.

Në romanin e Krasniqit, Mic Sokoli, si figurë –simbol, si personazh- shenjues, bëhet shprehje e kultit të traditës, moralit dhe virtyteve etno-psikologjike të të parëve. Ligjërata e autorit-rrëfimtar në këtë roman merr formën e ligjëratës didaktiko-retorike të mësuesit që u shpjegon nxënësve se historia për bashkombasit e tij ka qenë një njerkë.

Përfundimi

Shkrimtari i shquar Sulejman Krasniqi, duke qenë i vetëdijshëm se raporti midis personalitetit historik dhe personazhit letrar duhet të jetë i ndërthurur, ai si autor i romaneve historike ishte i kujdesshëm sa i përket këtij fakti, prandaj edhe pati sukses që lexuesit t’i japë vepër të mirëfilltë letrare, e jo historike, që do të thotë se trajtimi i vërtetë letraro-artistik i personalitetit historik varet, së pari, nga aftësia përgjithësuese e shkrimtarit për të na bindur me fakte dhe me tablo shprehëse, duke pasur besim në mjeshtërinë tij gjatë thurjes së kompozicionit të veprës.

Episodet, detajet dhe skenat e trilluara nga jeta e personazhit kryesor (Mic Sokolit), shkrimtari i ka vendosur mirë në sfondin historik të ngjarjeve që tregohen në roman, edhe pse ato shpeshherë vetëm se e plotësojnë njëra-tjetrën, apo e dyfishojnë domethënien semantike që sugjerojnë. 

Literatura:

Sulejman Krasniqi, “Mic Sokoli”, (Shtëpia Botuese “Naim Frashëri”, Tiranë, 1979);

Bajram Krasniqi, “Poetika e romanit historik shqiptar”, IAP, 1985.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …