Zymer Mehani: Të gjithë duam të shkojmë atje

Zymer Mehani: Të gjithë duam të shkojmë atje

( Në 22-vjetorin e sulmit ndaj Familjes Jashari)

Prekaz- emër i qëndresës dhe i lavdisë!

Të gjithë, i vogël e i madh, plak e i ri, gra e burra…. të gjithë duam të shkojmë atje. Të shkojmë në Prekazin e qëndresës, në Drenicën Qëndrestare, të fjalës e të besës!

Duam të shkojmë drejt Drenicës Shqiptare.

Prekazi- njëri nga vendet më të njohura për çdo shqiptar e të huaj. Ne duam atje të shkojmë… të përfalemi me rrugët, me malet, me fushat, me njerëzit, me fëmijët, me djemtë, me vajzat, me pleqtë e Drenicës Liridashëse dhe të Prekazit Heroik…

Duam atje të shkojmë, sepse atje vjen aromë qëndrese, dinjiteti dhe aromë lirie. Duam ta shohim me sy dhe ta prekin me dorë historinë vetë, atë që vjen nga përjetësia për të shkuar në përjetësi.

Atje në Prekazin Kuq e zi të presin Jasharët, të cilët janë Flamur i shqiptarëve.

Ata janë të gjallë!

Prekazi të bën që të jesh krenar dhe të ndjehesh mirë qe je shqiptar. Ai të bën më shumë njeri, të bën më me peshë dhe më atdhedashës.

A mund të harrohet ajo që bëri Familja Jashari dhe lufta qëndrestare që ndodhi atje? Jo, jo s’mund të harrohet, as do të harrohet kurrë. Për një të drejtë, për një atdhe, për kombin dhe lirinë e tij ranë për të mos vdekur kurrë në altarin e lirisë gjithë brezat: një familje e tërë, gra dhe burra, fëmijë dhe të moshuar. Të gjithë derdhën gjak dhe forcuan për këtë tokë arbërore rrënjët dhe kujtesën e lirisë. Të duket se atje u fijuan të gjithë shqiptarët.

Jasharajt janë themeli i lirisë sonë dhe e ardhmja që ëndërrojmë. Dhe memoriali për ta nuk është në Prekaz, por ai memorial jeton në çdo zemër shqiptare dhe kudo ku ka tokë shqiptare.

Prekazi është kujtesa jonë për lirinë, për qëndresën, është vetë djepi i lavdisë, që rriti Viganin e Epokës, Komandantin legjendar Adem Jashari.

Lirinë e kemi kërkuar gjithë jetën. Për të kemi luftuar pandërprerë me pushtues të ndryshëm,  sa për të një shekull kemi flijuar një milion të rënë. E Prekazi është bashkimi ynë rreth UÇK-së. Drenica Liridashëse është krenaria jonë e madhe e të gjithë shqiptarëve. Prekazi është xhamadani ynë kuq e zi. Ai është Flamuri ynë dhe virtyti ynë i përjetshëm, se Shabani, Ademi e Hamzë Jashari janë e do të mbeten shembull i burrërisë dhe i njeriut  të guximshëm me fuqi titaniku për qëndresën heroike dhe për sakrificën për lirinë e atdheut dhe të popullit shqiptar.

Prekazi është kujtesa jonë e përjetshme, siç ka qenë lufta dhe flamuri në të gjithë historinë tonë.

Drejt Prekazit heroik do të rrugëtojnë prore njerëz nga e gjithë Shqipëria Natyrale. Për Prekazin dhe Jasharët përherë do të jehojnë këngët e lavdisë, prore do të bëhen dhe dasma dhe lindje fëmijësh.

Prekazi Qëndrestar i Drenicës Shqiptare është vendi, në të cilin të gjithë  shqiptarët janë më vëllezër se në çdo vend tjetër shqiptar. Është vendi i krenarisë, i dhimbjes e i lotit, i fjalës e i betimit për Ribashkimin tonë Kombëtar.

E unë sot, Ty Prekazi heroik, dua të t’i shoh kullat, dua të t’i përqafoj varret e dëshmorëve, dua të të puth në ballë!

Edhe ty Drenicë martire, por e fortë si shkëmbi, me dashuri të zjarrtë, dua të t’i  qafoj malet, fushat, grykat, shkëmbinjtë e ashpër dhe të butë, ku u lindën dhe u rritën bijtë dhe bijat më të denja të atdheut tim!

Në këtë përvjetor, Drenicë heroike, dua të t’i përqafoj dhe lisat e gjatë, që lartësohen gjer në retë, nën atë qiell shqiptar!

Drenicë Shqipesh dykrenore, dua të  përqafoj gjithçka që më del para syve, çdo grykë, çdo gur, çdo dru, çdo kullë! Dua të të përqafoj TY, o Vend i Shqipeve!

Për Ty Prekazi Heroik, për Ty Drenica e Besës Shqiptare kam dhimbje dhe krenari.

Si mund të ndodhë ndryshe me ty, Drenicë, o djep i trimave të rrallë?!… Si mund të ndodhë ndryshe me Ty, Drenica ime që pate kaq të rënë, kaq të vrarë, kaq heronj dhe kaq krenari?!

Të lutem më thuaj, ma zbut mallin dhe m’i hap krahët të të përqafoj, në këtë ditë lavdie, në këtë përvjetor!

I gjen kudo njerëzit e Drenicës, i njeh kudo njerëzit e saj. Kudo i ke miq, shokë e shoqe. Kudo dhe kurdo ata të përgjigjen :-Jam nga Drenica. Emrat e Hasan Prishtinës, Shaban Palluzhës, Mehmet Gradicës, Azem Bajtës e Shote Galicës, Të Fehmiut e Xhevës, të Ilaz kodrës e Antigonë Fazliut, të Komandant Abedin Rexhës e të Nuhi Gecit, jo, jo nuk mund të mbeten vetëm në Drenicë. Këta emra tani janë të skalitur në ballë të Atdheut. Janë të shkruajtur me shkronja të arta në faqet e lavdishme të historisë sonë kombëtare. Këta emra janë të mitë, janë të tutë, të këtij e të atij. Janë të çdo shqiptari, kudo që jeton. Me këta trima mburret çdo shqiptar, qoftë 100 vjeç a qoftë 7 vjeç, qoftë grua a qoftë burrë. Të gjithë shqiptarët yje i kanë.

LAVDI FAMILJES JASHARI!

LAVDI KOMANDANTIT LEGJENDAR, ADEM JASHARI!

LAVDI DËSHMORËVE TË KOMBIT!

Kontrolloni gjithashtu

Egzon Kastrati

Egzon Kastrati: Qeverisja ekonomike në shifra

Një përshkrim i asaj çfarë ka  në ekonomi brenda këtyre katër viteve : Po fillojmë …