Libri “Krimet serbe në trevën e Llapit 1998-1999”, i autorit, prof. Arsim Rifat Thaçi është libër homazh për 632 martirë e dëshmorë të trevës së Llapit; libër I dhembjes. I mallit, I dashurisë, por edhe I krenarisë. Duke qenë I tillë, nuk do të gabojmë fare ta quajmë LIBRI PËRKUJTIMOR I LLAPIT.
T’ju them të drejtën, kur prof. Arsimi më kërkoi që unë ta bëja një vështrim për librin në fjalë, në një çast më kaploi njëfarë droje dhe isha në mëdyshje se a do t’ia dilja të isha në lartësinë që meritojnë këta dëshmorë e martirë, që u flijuan për lirinë e Kosovës.
Normalisht se pranova për të shkruar diçka. Me kujdes e lexova librin dhe konstatova se prof. Arsimi, si autor, vërtet si një hulumtues I denjë kishte vëzhduar e zhbiriluar thellësive të galerive të historisë së viteve 1998-99, kur Kosova dhe Llapi ishte në luftë. Autori rendi e s’u ndal nëpër male, kodrina e fusha të Llapit, fshat më fshat e lagje më lagje për të shkruar për dhembjet, dëbimet, plagët, betejat, për bijtë e bijat që sot janë dëshmorë e martirë të kombit, duke e vlerësuar qëndresën e tyre deri në flijim.
Autori Arsim Thaçi, faqe më faqe, në këtë libër përkujtimor flet shkurt e shqip për të gjitha gjërat që duhet folur, për të mos u harruar, sepse në të kundërtën, harrimi mund të lëshojë shtat e të na bëhet mal, e pastaj mund të na zërë edhe rrugën për të ecur përpara…. E ç’është më e keqja, po I harruam gjithë ato vuajtje e sakrifica që popullata jonë I përjetoi gjatë viteve 1998-99, është rrezik se mund të na përsëritet ajo histori e trishtë.
Asnjëherë nuk duhet të shterojë dashuria për atdheun; asnjëherë s’duhet reshtur së përkujtuari e nderuari dëshmorët dhe martirët që na e sollën lirinë; asnjëherë nuk është mjaft të shkruajmë libra, memoare, ditare, monografi apo përmbledhje poezish dedikuar dëshmorëve e martirëve të kësaj toke, sepse po e bëmë një gjë të tillë, ashtu siç e bëri prof. Arsimi, sigurisht se këta libra do të mbeten burim frymëzimi për brezat e rinj, ngase në faqet e tyre dëshmohet vetë historia jonë përplot sakrifica për të arritur gjer te liria.
Prandaj, të gjitha këto që u përmendën, autori Arsim Thaçi I pati parasysh dhe me vullnetin e tij arriti për ta realizuar projektin e tij dhe ia doli mbanë. Tash llapjanët e kanë në duar historinë e tyre të shkruar me gjak…. Librin “Krimet serbe në trevën e Llapit 1998-99” , që është një lapidar i përbashkët përjetësie, I ngritur për këto rreze drite, që përherë do të mbesin flakadanë të pashuar lirie.
Të hartosh një LIBËR të këtillë për një gjeneratë të artë luftëtarësh E MARTIRËSH, që u vunë në shërbim të atdheut, është nder dhe krenari, por, njëherësh edhe përgjegjësi. Këtë gjë e ka pasur parasysh edhe autori, andaj këtë punë e ka marrë me një seriozitet të veçantë, prandaj edhe ia ka dalë mbanë e me sukses, gjë që, meriton një përgëzim të veçantë! Ai ka arritur të grumbullojë një mal faktesh e dokumentesh, kujtime e rikujtime, ngjarje e personazhe, dëshmi e fotografi, të cilat flasin me gjuhën e vërtetësisë për një rrugëtim përplot peripeci të martirëve e dëshmorëve të Llapit, që me gjakun e vet e shkruan historinë tonë më të re.
Për t’i mbarështruar mirë e mbarë gjithë këto materiale: jetëshkrimet dhe veprimtaritë e 632 martirëve dhe dëshmorëve të Llapit, të rënë në Luftën e lavdishme të Kosovës (1998-1999), dhe për të bërë lëndën më të kapshme e më konkrete, autori, ka ndjekur një metodologji të lehtë të punës, duke e mbarështruar lëndën sipas kronologjisë.
Historikisht, edhe llapjanëve u ra hise barra më e rëndë e të gjitha ngjarjeve kulmore: Demonstratat e ’81-it, diferencimet ideopolitike, largimet dhe përjashtimet nga puna, dënimet, rrahjet, helmimet, plagosjet dhe vrasjet e nxënësve dhe të mësimdhënësve, puna edukativo-arsimore nëpër shtëpitë shkolla etj. etj.
Libri në fjalë, që unë do ta quaja një lloj ditari, pa dyshim është një vepër faktografike, ngase nuk i mungojnë dëshmitë, në veçanti për periudhën kohore 1998-1999.
ky libër do të hapet me kaptinën, ku autori Arsim Thaçi i ka vendosur biografitë e THEMELUESIT TË UÇK-së, komandantit legjendar Zahir PAJAZITIT, e të bashkëluftëtarëve të tij Hakif ZEJNULLAHUT dhe të EDMOND HOXHËS, që është PROLOGU i këtij libri, për të vazhduar pastaj, sipas kronologjisë edhe me zhvillimet e tjera në Llap, siç është heroizmi i ZOLL-it dhe i popullatës llapjane në përgjithësi, për zhvillimet e tjera gjatë luftës, për fatin e shumë llapjanëve, si brenda territorit të Llapit, po ashtu edhe jashtë tij. Kështu autori Thaçi faqe më faqe do të shkruajë, gjithnjë sipas kujtimeve të veta dhe sipas dëshmive të shumta, që i janë ofruar gjatë punës për këtë libër, duke përmendur me data e vende 632 zëra… *që sot janë dëshmorë e martirë të trevës së Llapit, të rënë gjatë luftës së Kosovës 1998-1999, në prizmin e një prezantimi gjithëpërfshirës, që vërtet për familjet e tyre dhe për të gjithë ne, ata rrezatojnë porsi shkëndija lirie në çdo çast, për çka, të gjithë neve sikur na përzihen ndjenjat, mes dashurisë, dhimbjes, mallit dhe krenarisë, që reflektojnë rrezatim të përhershëm në aureolën, që shkreptin flakadan lirie.
Autori Arsim Thaçi në çdo faqe të këtij libri, emër më emër te çdo martir e dëshmor, bashkë me përkushtimin për t’i paraqitur sa më mirë e më dinjitetshëm këta bij e bija të Llapit, në biografitë apo përkujtimet e tyre gjithsesi se do të lërë edhe copëza të shpirtit të tij, për të arritur kësofare gjer te EPILOGU, që është kaptina e fundit: Llapi derdhi shumë gjak për liri *f.379, të cilës i bashkangjitet edhe regjistri me të dhënat themelore për këta 632 martirë e dëshmorë të Llapit, me të cilin përmbyllet ky libër përkujtimor.
Prandaj, s’kemi se si t’u shpëtojmë emocioneve sapo ta hapim këtë libër të dhembjes, por edhe të krenarisë sonë, dhe vërtet sot e gjithmonë ne do ta admirojmë këtë punë prej intelektuali të denjë të prof. Arsimit, sa humane, po aq edhe kombëtare.
Ju lumtë, për këtë punë kolosale, miku ynë i vlerave, prof. Arsim Rifat Thaçi!
Pra, ky libër është i konceptuar në formë të një memoari, që ka gjithsej 400 faqe të formatit A4, me hyrje, parathënie, biografi e fotografi, që autori, prof. Arsim Rifat Thaçi ka arritur t’i evidentojë, gjithnjë sipas rendit kronologjik.
Prof. Arsim Thaçi, autori i kësaj vepre monumentale, me këtë projekt human, jo vetëm i bashkoi këta dëshmorë e martirë, që nuk vdesin kurrë, por ua “shëroi” njëherë e mirë dhimbjet edhe më të dashurve të tyre, që i kujtojnë gjithmonë me mall e krenari, duke ua hapur rrugët e jetëgjatësisë së tyre të përjetshme. Pra, s’do mend se kjo vërtet është, si të themi një punë promotorike e autorit Thaçi, ngase ai arriti që kësofare t’i vendos të gjithë këta heronj dhe martirë në një kupolë të përbashkët, që simbolikisht personifikon edhe qëllimin e tyre, poashtu të njëjtë, që lirisë t’i japin atë që i bën të përjetshëm në kujtimet tona. Ata ranë në luftë, për të mbetur fanarë të pashuar në Obeliskun e lirisë, që kapton majat e lartësisë qiellore, në përçuarjen e mesazhit se si duhet dhe mbrohet atdheu në çdo situatë.
Vërtet, këta bij e bija dëshmorë e martirë të trevës së Llapit janë dhe do të mbeten gjithmonë edhe për brezat e rinj, shembull i mirë, për t’u kujtuar dhe mësuar për ta edhe në libra, në këngë, në vargje; ngase tashmë janë pjesë e historisë sonë të lavdishme, gjithsesi. Ky libër, do të thosha se është një monument i ngritur, porsi një obelisk, i qëndisur me emrat e 632 martirëve e dëshmorëve llapjanë. Prandaj duke qenë i tillë, do t’i bëjë prore dritë ardhmërisë së ndritur, duke i kujtuar përgjithmonë për veprat dhe amanetin e tyre!
Diskursi shkrimor i librit, të krijon mundësi që, përveç si libër përkujtimor, ai të lexohet edhe si studim historik, edhe si publicistikë, edhe si narracion, edhe si kronikë, edhe si biografi, edhe si fatktografi, edhe si dokumentar, sepse të gjitha këto elemente gërshetohen dhe shkrihen mjaft mirë në tipin e një simbioze të bukur stilistikore e poliedrike.
Mendojmë se këtë libër duhet ta kenë bibliotekat tona (publike dhe shkollore), pse jo edhe familjare, sepse në faqet e tij është e dokumentuar një pjesë tejet e dhimbshme, por edhe krenare e qëndresës sonë për çlirim nga okupatori shekullor serb. Madje këtë libër duhet ta kenë edhe institucionet kulturore e shkencore të shtetit tonë dhe të Shqipërisë, për faktin se ky libër është një monument tejet i vlefshëm dhe i domosdoshëm për kohën dhe brezat…