Zymer U. Neziri: Përurim në Zvicër i projektit për Eposin e Kreshnikëve

Zymer U. Neziri: Përurim në Zvicër i projektit për Eposin e Kreshnikëve

Në Vindish (Windisch), jo larg Cyrihut (Zürich), më 4 qershor, u përurua projekti hulumtues shkencor i Institutit Albanologjik të Prishtinës për gjendjen e sotme të Eposit të Kreshnikëve. Ky projekt u realizua gjatë viteve 2012-2014-2016, me prof. dr. Zymer U. Nezirin, bartës i projektit. Hulumtimet janë kryer në pesë shtete të Ballkanit, ku jetojnë shqiptarët, si dhe ndër mërgimtarët tanë në Evropën Perëndimore dhe në SHBA. Në përurimin e Vindishit, pos shumë intelektualëve dhe punëtorëve tanë, nga Brezi 81, qenë veprimtarët e njohur të çështjes kombëtare: Kadri Rexhaj, Xun Çetta, Riza Demaj, Ibish Neziri, Vaxhid Sejdiu dhe Adem Osmani. Ishte i pranishëm edhe dr. Xhevat Hasani, po ashtu veprimtar i njohur. Nga zvicëranët përshëndeti z. Christian Locher (Kristian Loher), këshilltar i Kuvendit Komunal të Vindishit. Fjalë përshëndetëse mbajti edhe znj. Shukrije Ramadani, bashkëshortja e heroit Agim Ramadani, drejtoreshë e Qendrës Kulturore të Kosovës në Cyrih, që lavdëroi ekipin dhe profesor Nezirin për punën jashtëzakonisht të rëndësishme hulumtuese për Eposin e Kreshnikëve.

Fjalën e hapjes dhe udhëheqjen e përurimit e bëri Vaxhid Sejdiu, në emër të Këshillit Organizues -Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë të Kantonit të Aargaut dhe të shkollës së vallëzimit “Shota” në Zvicër, për përurimin e projektit Eposi i Kreshnikëve – monument i trashëgimisë kulturore të shqiptarëve në pesë vende të Ballkanit, i  realizuar nga Instituti Albanologjik i Prishtinës, me Zymer U. Nezirin, bartës i projektit. Ky projekt është shënuar në 15 vëllime me këngë dhe tregime, dhe është regjistruar me kamerë, gjatë viteve 2012-2014 -2016, që është pa dyshim pasuri e përmasave të mëdha etnokulturore kombëtare dhe evropiane. Fjalën përshëndëse, në emër të organizatorit, e mbajti Rizë Demaj, kryetar i LAPSH-it ”Naim Frashëri”. Për projektin foli publicisti dhe veprimtari i njohur Ibish Neziri. U lexua edhe fjala e prof. dr. Shaban Sinanit, anëtar i projektit, e dërguar nga Universiteti i Pekinit, ku përkohësisht po mban ligjërata.

 Për mua, tha Ibish Neziri, sot është një nder dhe privilegj, por para së gjithash është përgjëgjësi për të paraqitur para jush projektin  Eposi i Kreshnikëve-monument i trashëgimisë kulturore shqiptare në Ballkan: Kosovë, Shqipëri, Maqedoni, Serbi, Mal i Zi, i cili, pas një pune rreth 5-vjeçare, i udhëhequr nga prof. dr. Zymer Ujkan Neziri, arriti të realizohet në 15 vëllime, të incizohet dhe njëkohësisht të përgatitet edhe dosja për UNESCO, ku duhet ta ketë vendin edhe ky epos shqiptar, si një ndër shtyllat më të rëndësishme artistike të kulturës shpirtërore shqiptare, i krijuar, i ruajtur dhe i trashëguar brez pas brezi nga antika e hershme e deri në ditët tona.

Në projekt, sipas bartësit të tij, shtoi Ibish Neziri, kanë marrë pjesë mbi 200 subjekte terreni, këngëtarë e tregimtarë, nga viset tona, nga Kraja e Tivarit e deri në Kurbin dhe nga Malësia e Madhe deri në Kërçovë. Nga repertori i tyre janë evidencuar 754 njësi. Janë shkruar 440 këngë e motërzime, me 10 3069 vargje, si dhe janë shkruar 69 tregime me 2679 rreshta. Incizimet me videokamerë përfshijnë 5289 minuta e 44 sekonda: 201 këngë dhe 36 tregime, që kanë rreth 61349 vargje. I. Neziri përmendi edhe vlerësimet meritore për këtë projekt shumë të madh evropian, që i dhanë bashkëpunëtorët e jashtëm, profesor David Elmer nga Universiteti i Harvardit, dhe profesor Nicola Skaldaferri nga Universiteti i Milanos, si dhe foli për çmimin Mendim Special 2016 nga Europa Nostra në Hagë.   Çmimi Mendim Special 2016, që i është akorduar dosjes së përgatitur me vullnet, këmbëngulje e zotësi të rrallë të prof. dr. Zymer Nezirit, është nga Europa Nostra, Europa jonë, Europa e shqiptarëve, Europa ku shqiptarët po tregojnë se kanë pasur e kanë ç’të japin, tha prof. dr. Shaban Sinani, dhe shtoi: Tradita është ajo që paraprin, siç parapriu edhe me eposin shqiptar, i cili, duke u certifikuar si pasuri themelore europiane, fitoi njëherësh disa beteja: iu njoh autorësia primare midis epeve të tjerë të popujve të Ballkanit, iu kthye merita e origjinalitetit, iu pranua njohja ndërkombëtare, jeta e gjallë dhe vlera estetike.

Më së pari, për të gjitha këto, i takon merita prof. dr. Zymer Nezirit, që si një komandant në një betejë të gjatë me shumë vështirësi, nuk e humbi besimin edhe atëherë kur e dekurajonin; nuk u tërhoq edhe kur ndonjë prej nesh e braktisi; nuk rreshti së kërkuari edhe kur ndonjë institucion hiqej sikur nuk dinte e nuk dëgjonte. Urime e përgëzime u takojnë gjithë bashkëpunëtorëve të terrenit: mësues e studentë, rapsodë dhe familjarë të tyre, që kanë punuar thuajse krejt vullnetarisht për mbylljen e projektit. Sot mund të themi me plot gojën se dosja shkencore e propozimit të eposit heroik legjendar për t’u regjistruar në programet e trashëgimisë elitare shpirtërore të mbrojtur nga UNESCO e ka marrë certifikatën, e ka kaluar provën, përfundoi prof. Sh. Sinani.

Në fund, bartësi i projektit falënderoi Këshillin Organizues, kryetarin Riza Demaj, të pranishmit, drejtuesin Vaxhid Sejdiu, z. Christian Locher, znj. Shukrije Ramadani, recensuesit Ibish Neziri dhe prof. dr. Shaban Sinani, bashkëpunëtorët prof. dr. Zeqirja Neziri, prof. dr. Begzad Baliu, dr. sc. Bashkim Lajçi, dr. sc. Vlorë Fetaj, dr. sc. Albin Sadiku, bashkëpunëtorët e jashtëm profesor David Elmer nga Universiteti i Harvardit dhe profesor Nicola Skaldaferri nga Universiteti i Milanos, bashkëpunëtorët e terrenit, e sidomos këngëtarët dhe tregimtarët. Për bashkëpunëtorin në Zvicër, Gani Fetaj, dhe për këngëtarët e projektit, Ajshe Muriqi-Fetaj, Xhevdet N. Berisha dhe Shaban Hamzaj, ai ndau nga një mirënjohje me shkrim.

Për të pranishmit u shfaq edhe dokumentari Eposi i Kreshnikëve, autor Zymer U. Neziri, regjisor Orhan Kerkezi, si dhe një program i shkurtër nga shkolla shqiptare e vallëzimit ”Shota,” në Zvicër, anëtar nderi i së cilës është bartësi i projektit bashkë me bashkëpunëtorin në projekt, prof. Shaban Sinanin. Me interes ishte edhe debati me bartësin e projektit, për projektin, trashëgiminë tonë kulturore dhe UNESCO-n.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …