Zymer Ujkan Neziri: Isa Demaj është figurë emblematike e brezit ’68 të Republikës

         Isa Demaj është figurë emblematike e brezit ’68 të Republikës. U lind më 12 janar të vitit 1946  në Shkrel të Rugovës, nga e ëma, Zojë Zekaj-Demaj, dhe i ati, Musë Tahir Demaj, familje me traditë atdhetarie brez pas brezi. Isa ishte djali i dytë nga 10 fëmijët e Musës dhe të Zojës. Fëmijërinë e kaloi në Rugovë, ku edhe ndoqi mësimet e para të fillores, ciklin e ultët në Shkrel, ndërsa ciklin e lartë e kreu në Haxhaj.

Pas përfundimit të shkollës fillore, Isa vazhdoi mësimet në Gjimnazin e Pejës, drejtimi pedagogjik. Në fillim u shoqërua me Zymer Nezirin, Kolë Ademin, Adem Miftarin, po edhe me Rexhë Kelmendin e Fasli Gjevukajn, e pastaj edhe me shumë të tjerë, nga anët e ndryshme, si Xhemajl Gashi, Ramadan Blakaj, Muhamet Shatri, Hasan Ukëhaxhaj, Zenun Gjocaj etj. Aty e filloi aktivitetin atdhetar. Nezir Gashi, nga Grupi i Adem Demaçit në Pejë, u bë idol dhe mësues i brezit të Isës, krahas idolit familjar, Rexhep Takut, axhës, dhe Sylë Mehmetit, kryetar i NDSH-së në Rugovë, që të tre të burgosur politikë. Isa, Zymeri dhe brezi i tyre në Gjimnazin e Pejës lexonin shumë. Lexonin edhe libra që në ato vite ishin të ndaluar, si Shqipëria e Sami Frashërit, Lahuta e Fishtës etj. Dëgjonin fshehrazi Radio Tiranën. Shqipëria u bë ideali i tyre kryesor. Çlirimi i Kosovës dhe bashkimi me Shqipërinë ishte synimi i këtij brezi, ashtu si vepruan edhe brezat përprara në viset shqiptare dhe në Rugovë, gjatë Rilindjes Kombëtare, gjatë Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, sidomos në betejat për mbrojtjen e Plavës e të Gucisë nga sulmet e Malit të Zi, më 1879 e 1880, ku trimat nga Shkreli, Adem Isufi e Rexhë Avdia u bënë të famshëm në Betejën e Nokshiqit.

Isa kishte respekt të madh për figurat e shquara të historisë, nga Skënderbeu e deri te princat e mbretërit ilirë, dhe nga Ali pashë Tepelena e Mahmut pashë Bushati e deri Haxhi Zeka.  Isa, më 1963, është edhe një nga shkruesit e parullës atdhetare “ Rrnoftë Shqipnia” në Gjimnaz, dhe, si rrjedhojë, gjithë personeli dhe nxënësit u vunë nën mbikëqyrje të vazdueshme. Më 1964, maturant, kur ishte vetëm 18 vjeç, Isa u takua me Azem Beqirin, atdhetar i njohur nga krahina e Llapit, dhe që atëherë u bë veprimtar i Lëvizjes Revolucionare për Bashkimin e Shqiptarëve, organizatë e drejtuar nga Adem Demaçi.

Isa, studimet i vazhdoi në Shkollën e Lartë Pedagogjike në Prizren, në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, me ç’rast kontaktoi me atdhetarë të shumtë nga të gjitha viset shqiptare, që studionin aty, nga Malësia e Madhe e deri në Tetovë. Familja Braha, familje dëshmorësh, qe me të drejtë quhet shkollë e atdhetarisë në Prizren, për Isën u bë familja e dytë. Më 27 nëntor 1967, Isa me shokët e tij, festuan Ditën e Flamurit kombëtar, i ndaluar me ligj, ku edhe arrestohet së bashku me Meriman Brahën, Zymer Nezirin, Rafet Ramën, Fazli Gjevukajn e të tjerë, nga Sigurimi Shtetëror, dënohen me burg kundravajtës dhe grupi mbetet gjashtë muaj nën hetime në Prokurorinë e Prizrenit. Por, gjatë asaj kohe Isa me shokë vazhdoi veprimtarinë. Ata, me nismën e Merimanit, i filluan përgatitjet në SHLP të Prizrenit për demonstrata në Rrafshin e Dukagjinit: Prizren, Pejë e Therandë (Suharekë), me kërkesat për flamurin e lirë, përdorimin e shqipes në administratë, universitetin, Kosovën Republikë dhe për vetëvendosje. Isa ishte edhe koordinues i grupit të Prizrenit me grupin e studentëve të Prishtinës.

Më 6 tetor 1968, Isa Demaj me shokët Meriman Braha, Zymer Neziri, Pashk Laçi, Mikel Kuzhnini, Simon Kuzhnini, Selajdin Braha, Lemane Braha, Rafet Rama, Haxhi Bajraktari, Haxhi Maloku, Gjergj Camaj, Shpresë Elshani, Shqipe Vokshi, Shaban Gjekaj, Pjetër Dreshaj, Isë Morina e shumë të tjerë dolën në demonstrata me flamurin kuq e zi, të punuar me dorë, si më 1912. Grupi i Prizrenit për herë të parë prishi rehatinë shumëvjeçare të sundimit robërues jugosllav dhe për herë të parë pas Luftës së Dytë Botërore në Kosovë kërkuan liri para ndërtesës së Lidhjes Shqiptare të Prizrenit, kërkuan siguri për popullin shqiptar, kërkuan të flitet dhe të përdoret lirshëm gjuha shqipe, të përdoren simbolet kombëtare, të hapet universiteti, dhe kërkesa kryesore, Kosova të shpallet Republikë, me të drejt vetvendosjeje deri në shkëputje. Kërkesa këto që u dëgjuan mandej në të gjitha demonstratat që u zhvilluan në vazhdimësi në Kosovë. Pashk Laçi, në emër të rinisë dhe të popullit të Prizrenit, e Gjergj Camaj, në emër të studentëve të SHLP-së, i lexuan kërkesat, të hartuara nga Zymer Neziri dhe të rishikuara nga shokët. Disa orë në qytet, gjatë parakalimit me flamur kombëtar, nga kolona e gjatë me rrreth tre mijë demonstrues, ka pasur brohoritje, kryesisht për flamurin, kushtetutën e për Kosovën Republikë, dhe janë kënduar këngë atdhtare, po ashtu të ndaluara.

Pas kësaj, vetëm dy dite më vonë, u bënë demonstratat në Therandë (Suharekë), kurse dy javë më vonë, më 19 tetor 1968, u bënë demonstratat e mëdha në Pejë, të planifikuara në Prizren dhe me Zymerin përgjegjës, si dhe të organizuara me shumë kujdes bashkë me Isën, Xhemajl Gashin e Ramadan Blakajn, si dhe dhe grupin e nxënësve të Normales, të përzgjedhur me propozimin e Xhemajlit e Ramadanit dhe me arsimtarin e tyre të muzikës, Sadri Kelmendi. Organizimi u planifkua edhe me Shkollën e Mesme Bujqësore, Shkollën e Mesme Ekonomike dhe me Gjimnazin, si dhe me studentët e Shkollës së Lartë Komerciale, sidomos me planifikimin e rreshtimit pas flamurit nga të ardhurit në ditën e tregut në Pejë, nga zejtarët dhe nga banorët e qytetit.

Në Shkollën Normale, në bërthamën e organizimit në Pejë, ku Xhemajli ishte përgjegjës në organizim, në Arbnesh (Vitomiricë), u shpalos flamuri kombëtar dhe normalistët në krye me Demë Mulliqin, bartës i parë i flamurit, u nisën në drejtim të Gjimnazit, në mesditë, në ditë tregu, e shtunë. Edhe në Pejë u lexuan kërkesat për të drejtat e shqiptarëve, ashtu si edhe në Prizren. Në emër të popullit dhe të rinisë së Pejës me rrethinë, para rreth gjashtë-shtatë mijë të pranishëmve, nxënës, studentë, arsimtarë, fshatarë, zejtarë, etj., afër hyrjes në Komunë, në anën e majtë, mbi kioskun e gazetave, normalisti Sylë Kuçi i lexoi kërkesat, të hartuara nga Zymeri, të miratuara më parë nga grupi organizues, si kërkesat e lexuara në Prizren, më 6 tetor. Me Pejën e vitit 1968, më 19 tetor, ku kontributi i Isa Demajt ishte shumë i rëndësishëm, krahas normalistëve të guximshëm e atdhetarë, përfundimisht u hap dera e demonstratave në mbarë Kosovën, deri në Tetovë e Ulqin.

Kjo valë e demonstratave shumë shpejt përfshiu gjithë Kosovën gjatë muajit nëntor dhe u kurorëzua më 27 nëntor 1968, me demonstratat e mëdha të rinisë studentore, të intelektualëve, të punëtorëve dhe të zejtarëve në Prishtinë. Në demonstratën e madhe në Prishtinë, Isa ishte në ballë, ku edhe u plagos në kokë, pasi policia reagoi ashpër në demonstruesit, duke përdorur dhunë, gaz lotsjellës dhe plumba. Me ndihmën e Qeram Telqiut, arsimtar, Isa u strehua dhe u mjekua në fshehtësi të plotë në Kastriot (Obiliq).

Isa Demaj, studimet i vazhdoi në Universitetin e Prishtinës, në Degën e Gjuhës dhe të Letërsisë Shqipe, gjatë viteve 1968-1972. Ishte dhe student i shkallës së tretë të studimeve pasuniversitare, Dega e Letërsisë, 1972-1974. Gjatë kësaj periudhe vazhdoi aktivitetin atdhetar me Merimanin e Zymerin. Mbanin lidhje me atdhetarët e njohur të brezit 68, Selajdin Braha, Rafet Rama, Binak Ulaj, Pashk Laçi, Haxhi Bajraktari, Jusuf Gërvalla, Idriz Gërvalla, Ramadan Blakaj, Xhemajl Gashi, Fasli Gjevukaj, Isë Shatri, Muhamet Shatri, Xhafer Shatri, Hasan Ukëhaxhaj, Zenun Gjocaj, me brezin 64 të Adem Demaçit dhe me breza të tjerë të Lëvizjes Kombëtare: Sylë Mehmeti, Bajram Haxhia, Rashit Gorani, Rexhep Taku, Ali Aliu, Metush Krasniqi, Azem Beqiri, Hyda Dobruna, Bedrush Çollaku, Nezir Gashi, Ramadan Shala, Selajdin Daci etj., me intelektualët rugovas, përkrahës të kërkesave për Republikën e Kosovës, Bajram Kelmendi, Ymer Neziri, Shegë Kelmendi, Hysnije Kelmendi, Rexhë Kelmendi etj.

Pas Demostratave më 1968 u realizuan disa kërkesa, por kryesorja, kërkesa për republikë e vetëvendosje nuk u miratuan, për shkak se pushteti jugosllav nuk lejoi dhe për shkak se udhëheqja e Kosovës u rreshtua me Beogradin, prandaj Isa me Merimanin e Zymerin formuan në Prishtinë grupin ilegal, si treshet ilegale të kohës, me Merimanin përgjegjës i grupit, në pranverë 1972, në ndërtesën përballë Radio Prishtinës, ku edhe banonin. Aty përcaktuan pikat kryesore të veprimtarisë atdhetare të grupit, detyrat individulale dhe miratuan statutin e grupit, të cilin Isa e strehoi në Rugovë, në dhe, në Shkrel, Rugovë.

Krahas studimeve, Isa punoi në disa shkolla të mesme në Kosovë, si në Klinë, Kastriot (Obiliq), Lipjan e Prishtinë, por disa herë e larguan nga puna, për shkak të veprimtarisë së tij atdhetare. Nxënësit e donin shumë. Ai ishte arsimtar, personifikim i mësimit dhe i atdhedashurisë. Është i njohur rasti i paraleles N41 i Shkollës së Mesme Teknike në Prishtinë, maturantë, të cilët, me greva dhe të përkrahur nga qindra nxënës grevistë, e ndaluan për disa javë zbatimin e Letrës së Titos (1972) në atë shkollë, pra nuk e lejuan zbatimin e vendimit për përjashtimin e atdhetarit të shquar Metush Krasniqi, referent, të Isës dhe të profesorëve Nuhi Veselaj dhe Mehmet Rukiqi. Madje, kjo ishte rezistenca më gjatë në Kosovë kundër Letrës së Titos (1972) deri në mars 1973, prej së cilës pësuan Isa dhe mbi 200 arsimtarë në Kosovë, pjesëtarë të Lëvizjes Kombëtare, që kishin kryer dënimet me burg, dhe pjesëtarë të Lëvizjes Studentore më 1968.

Së fundi, Isa ishte i angazhuar në Shkollën e Mesme të Mjekësisë në Prishtinë, ku edhe u arrestuan më 27 dhjetor të vitit 1979, pikërisht gjatë mbajtjes së orëve të mësimit, me ditar në dorë. E dënuan me 4 vjet burgim të rëndë. Fillimisht, deri në vitin 1981 u mbajt në Burgun e Prishtinës, mandej në Gjilan, për t’u dërguar më pas në Zajeçar, ku edhe vuajti dënimin e rëndë në qelitë e këtij burgu deri me 27 dhjetor 1983.

Jeta iu shua më 27 gusht 1985, në një aksident komunikacioni. Pas vetes la bashkëshorten, Zizën, dhe 4 fëmijët, Artanin, Artën, Ardianën dhe Kreshnikun. Për kontributin e veçantë, që dha për lirinë dhe pavarësinë e Kosovës, dy rrugë në Kosovë mbajnë  emrin e tij, një në Pejë e një në Lipjan, kurse presidenti i Republikës së Kosovës, Fatmir Sejdiu, më 27 gusht të vitit 2010, në 25-vjetorin e vdekjes, prof. Isa Demajn e dekoroi me Medaljen e Artë të Pavarësisë.

 

 

(Dërguar Presidentit të Republikës së Shqipërisë, Sh.T.Z. Bujar Nishani, Tiranë, më 5.10.2015, propozim për dekorimin e atdhetarit Isa Demaj (1946-1985), Shkrel, Rugovë, Kosovë, për veprimtari atdhetare, në bazë të Ligjit për dekoratat, titujt e nderit, medaljet dhe titujt vendorë të nderit në Republikën e Shqipërisë, në emër të Këshillit Organizues për shënimin e 70-vjetorit të lindjes dhe të 30-vjetorit të vdekjes së atdhetarit Isa Demaj, në akademinë përkujtimore në Pejë, më 12 janar 2016)

Kontrolloni gjithashtu

Dilaver Goxhaj: RKL dhe Kosovapress ishin dhe mbeten Ylli Polar për Luftën Çlirimtare në Kosovë

Dilaver Goxhaj: PËRFUNDIME TË DALA PREJ ANALIZAVE KRITIKE NDAJ LIBRIT “Dosja Amerikane për Shqipërinë Koministe”, me autorë  Bejtullah Destani dhe Visar Zhiti

Bazuar në faktet dhe analizën e luftës 10-vjeçare,  Dhjetor 1944- Dhjetor 1953, midis Forcave të …