leoni

Bujar Nishani

Zymer Ujkan Neziri: Kryetari Nishani u dha titullin “Mjeshtër i Madh” ansambleve: “Rugova” dhe “Shota”

Ansambli ”Rugova” merr titullin ”Mjeshtër i Madh”

Kryetari i Shqipërisë, Bujar Nishani, më 28 qershor 2017, miratoi propozimin për dekorimin e ansamblit folklorik autokton ”Rugova”, me rastin e shënimit të 70-vjetorit të veprimtarisë së tij etnokulturore. Me dekretin nr. 10543, 28.6.2017, AFA ”Rugova” ia dha titullin ”Mjeshtër i Madh”, për veprimtari etnokulturore. Propozimin e Zymer U. Nezirit, epikolog, e kanë përkrahur etnologu Bashkim Lajçi, profesori i folkloristikës Enver Mehmeti, dhe etnomuzikologu Albin Sadiku.

AFA ”Rugova” u themelua më 14 qershor, nga Këshilli Popullor i Komunës së Rugovës, Drelaj. Drejtues të tij ishin ishte Ramë K.Nikçi, jurist, kurse drejtuesi i tashëm është Vesel Nikçi, inxhenier. Gjenerata e parë kishte mbi 8o anëtarë, kurse sot ka po ashtu mbi 8o anëtarë aktivë, saktësisht 52 meshkuj dhe 32 femra. Programi i këtij ansambi përmban vlera autoktone të trashëgimisë kulturore të krahinës së Rugovës: doke, zakone, rite pune, rite dasme, rite lufte, këngë të kreshnikëve me lahutë, valle, kënga malësorçe, këngë epike historike,  këngë me gisht në fyt, këngë lirike të vajzave dhe të nuseve, këngë dhe valle me tepsi, loja e dyluftimit me jatagan, loja e dyluftimit me pisqolla, loja e luftës me pushkë, dhe lojëra të tjera popullore.

AFA ”Rugova” është paraqitur në Kosovë, në të gjitha festivalet dhe në manifestimet kulturore, në festivalet gjithëkombëtare, nga Drenasi e deri ne Gjirokastër, në shume festivale ndërkombëtare në Ballkan e Evropë. Ai është vlerësuar me vende të para nga juritë ndërkombëtare rreth dyzet herë. Ka marrë edhe 5 medalje  të  arta dhe 11  medalje të argjendta.

Me dekret të veçantë, nr. 10545, 28.6.2017, në këtë përvjetor edhe Kapllan Kapllan Nikçit iu dha titulli ”Mjeshtër i Madh”. Ai është anëtari më i vjetër i amsamblit ”Rugova”, i lindur më 1939 në fshatin Shtupeq i Madh, Rugovë, mjeshtër i kavallit, i fyellit, i gjethit, i myshnicës dhe i surlës. Kapllani, për 65 vjet në ansamblin ”Rugova”, ishte i dalluar edhe në këndim dhe në vallëzim të valleve rugovase. Ai është po ashtu lahutar i dalluar dhe rapsod. Me bashkëveprimtarët Bajram Ibishi dhe Hysen Asllani kënduan këngë malësorçe, këngë të kreshnikëve dhe ekzekutuan melodi  baritore në 1966 në Langolen të Anglisë, ku zunë vendin e parë: gjeth, çifteli, lahutë, kavall. Dha kontribut të madh edhe në aftësimin e brezave të rinj në instrumentete frymore.

AFA ”Rugova”, në këtë 70-vjetor të themelimit, kujtohet se ka kaluar një rrugëtim historik shumë të suksesshëm. Kishte edhe vështirësi të mëdha. Në punën e ansamblit ka ndikuar edhe gjendja politike nën robërinë jugosllave, sidomos në periudhat e rënda që i përjetoi populli i Rugovë: dënimi i komandantit Zhukë Haxhia, vrasjet dhe burgosjet, mbledhja e tepricave, aksioni i armëve, shpërngulja për Turqi, burgosjet politike, nga brezi i Sylë Mehmetit të NDSH-së e deri te brezi ’68 i Republikës i Isa Demajt, brezi ’81 i Ali Lajçit e brezi i luftës i Selman Lajçit në brigadën 136 ”Rugova”.

Ansambli i folklorit autokton ”Rugova” është institucion me peshë të madhe etnokulturore për etnokulturën shqiptare dhe botërore, ku janë ruajtur vlera të larta artistike edhe të shkallës së UNESCO-s, sidomos vijimësia e traditës së hershme ilire e riteve, e dokeve të lashta, e veshjes dhe e folklorit.

        

Ansambli ”Shota” merr titullin ”Mjeshtër i Madh”

Presidenti Bujar Nishani, më 28 qershor 2017, miratoi edhe propozimin për dekorimin e ansamblit ”Shota”, Prishtinë, me rastin e shënimit të 66-vjetorit të veprimtarisë së tij etnokulturore. Me dekretin nr. 10544, 28.6.2017, ansamblit ”Shota” ia dha titullin ”Mjeshtër i Madh”, për veprimtari etnokulturore. Propozimin e kompozitorit Fahri Beqiri, e kanë përkrahur Rexhep Muni-

shi, etnomuzikolog, dhe Zymer U. Neziri, epikolog. Ansambli kombëtar i këngëve dhe i valleve “Shota” është themeluar më 30 shtator 1950, në cilësinë ansambël shtetëror, me vendim të Kuvendit të ish-Krahinës Autonome të Kosovës dhe të Metohisë. Ai është njëri ndër institucionet e para artistike dhe kulturore në Kosovë, pas Luftës së Dytë Botërore. Më 18 mars 1954 ndërpritet funksionimi i këtij ansambli. Pas një pauze dhjetëvjeçare, në mars të vitit 1964, u krijuan sërish kushtet për rithemelimin e tij. Ansambli “Shota” luajti një rol të madh për ruajtjen, kultivimin dhe zhvillimin e këngëve dhe të valleve popullore të Kosovës, e në veçanti të këngëve dhe të valleve shqiptare. Nga viti 1999, vepron me emërtimin e ri: ansambli kombëtar i këngëve dhe i valleve “Shota.” Tash, “Shota” ka 57 anëtarë, të ndarë në tri grupe artistike: Grupi i Valleve, Grupi i Solistëve Vokalë dhe Orkestra.

Qëllimi kryesor i themelimit të këtij ansambli, siç thuhet edhe në aktin e themelimit të tij, është ruajtja dhe zhvillimi i folklorin burimor (këngët dhe vallet popullore), hulumtimi i formave të reja të përpunimit të artit të traditës popullore, ruajtja, përpunimi artistik dhe prezantimi i folklorit  dhe i vlerave të trashëgimisë shpirtërore dhe materiale të popullit tonë.

”Shota” vërtet ka pasur rolin udhëheqës në fushën e traditës dhe të prezantimit të folklorit burimor: këngë, valle, rituale, lojëra popullore dhe kostume të zonave të ndryshme.  “Shota” ka përgatitur koreografi nga të gjitha zonat e banuara me shqiptarë: “Vallja e Rugovës”, “Dasma e Opojës”, “Vallja e Përdrinit”, “Vallja e Drenicës”, “Vallja e Karadakut”, “Vallja e Dibrës”, “Vallja e Podgurit”, “Vallja e Shqipeve”, “Kaçakët e Jugut”, “Dasma Arbëreshe”, “Vallja e Malësisë së Madhe”, “Vallja e Tiranës”, “Vallja e Peshkopisë”, “Vallja e Librazhdit” etj.

Ky ansambël afirmoi vlerat e mirëfillta kulturore kombëtare, siç është origjinaliteti i kostumeve, meloditë autentike dhe vallet e veçanta ekzotike, me të cilat është paraqitur në më se 50 shtete të ndryshme të botës, në të gjitha kontinentet. Sipas evidencës, gjatë kësaj periudhe mbi 60-vjeçare, ansambli “Shota” ka shfaqur mbi 7 500 koncerte në Kosovë, ish-Jugosllavi, Evropë, Amerikë, Afrikë, Azi dhe Australi. Nga këto paraqitje, “Shota”, të shumtën e rasteve, është kthyer me kupa dhe diploma nderi, e ndër to edhe ”Gjerdani i Argjendtë” në festivalin ndërkombëtar të Dizhonit, në Francë. Ansambli kombëtar i këngëve dhe i valleve ”Shota”, me veprimtarinë e vet artistike bën pjesë në radhën e institucioneve me peshë të madhe për etnokulturën shqiptare.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …