Zymer Ujkan Neziri: Romani më i ri Meriman Brahës: një vepër e rrallë në letërsinë shqipe për burgun famëkeq të Titos në Goli Otok

Zymer Ujkan Neziri: Romani më i ri Meriman Brahës, një vepër e rrallë në letërsinë shqipe për burgun famëkeq të Titos në Goli Otok

(Meriman Braha, Numrat, hijet dhe fidanët, roman, Prishtinë, 2021) 

 

Autori i romanit Numrat, hijet dhe fidanët, Meriman Braha, i takon grupit të veprimtarëve shumë të njohur të Lëvizjes Kombëtare në fazën e dytë të 100-vjetëve tona në robëri, asaj kohe që njihet si Jugosllavi e dytë, kur edhe kishte lindur ai dhe bashkë me ardhjen e tij në këtë jetë kishte përjetuar ripushtimin, madje që në bark të nënës. Edhe fëmijërinë shumë të hershme e kishte kaluar larg vendlindjes, me tërë familjen. Ata i kishte deportuar pushteti nga Prizreni, në dhe të largët prej Kosovës, në Vojvodinë, në tokë historike gjermane-hungareze, që Serbia e mori dhuratë nga Evropa, si ndëshkim të Austro-Hungarisë, pas Luftës së Parë Botërore.

Koha historike e paraqitjes në roman është koha e miturisë së autorit, së cilës i paraprin Lufta e Dytë Botërore dhe një pjesë e paraluftës. Kjo dalje e tij në skenën e krijimeve të gjata letrare, madje edhe pas romanit të parë, Vorbullat, është shfaqje shumë e befasishme, por e pritur fort mirë për temën e trajtuar, për stilin e për gjuhën, e shumë më shumë për qëllimin e synuar, ku gërshetohet arti letrar me kohën e robërisë tejet të rëndë rreth njëshekullore nën sllavët e Jugut, pra, nën serbët, po edhe nën malazeztë e maqedonasit, që edhe në Podgoricë e Shkup, me Serbinë, bënin veprimet më të rënda kundërshqiptare, kombëtare, kulturore e sociale.

Tema e romanit, jo edhe aq e prekur në letërsinë shqipe, është rast i jashtëzakonshëm që lexuesi ynë dhe kritika jonë letrare të përballen drejtpërdrejt me golgotën e Goli Otokut të Titos, që ishte njëra ndër qendrat më të mëdha të çnjerëzimit të njeriut në këtë pjesë të Evropës. 

Struktura e veprës Numrat, hijet dhe fidanët, e llojit të romanit historik, mbështet në pamjet në tri kohë: paralufta, Lufta e Dytë Botërore, paslufta. Nga personazhet, që shumica kanë edhe identitet historik, prin Ukë Martini, e shkurt dalin mësuesit Gjergj Lezha e Bujar Devolli, drejtori Ibrahim Fehmiu, Musa Shehzade e Halim Spahija, por fund e krye janë aty ata, shtatë të famshmit: Enveri, Masari, Refiku, Qemali, Ilmiu, Sahiti e Uka, më i riu i grupit, pastaj edhe Neza, Rifati, Enveri, Uka, Zhuka nga Rugova, Omeri nga Mitrovica, Fahredini nga Gjakova, Osa ekonomist, si dhe ata të tjerët: inspektori Radulloviq, partizani Vlladë, gjenerali Jovo K., drejtori Rolloviq, boshnjaku Huso Spahiq, kroati Vllado Bobinac etj. 

Meriman Braha e ka shtruar me mjeshtëri e me të dhëna shumë të hollësishme: sulmi i Gjermanisë mbi Jugosllavinë, ikja e serbëve dhe ardhja e italianëve në Kosovë, fjalimi shqip në Shatërvan dhe hapja e shkollës shqipe, marrja e dokumenteve në gjuhën shqipe, njohuri për Skënderbeun dhe për gjithësinë; lidhjet e autobusit me Tiranën, okupimi nga Italia fashiste si çlirim nga Jugosllavia, kthimi i kaçakëve në pronat e veta; tërheqja e gjermanëve, Lidhja e Dytë e Prizrenit, Karta e Atlantikut dhe fati shqiptar në kufirin e vjetër; lëvizja ilegale antifashiste / irredentiste Nacional Demokratike Shqiptare në Kosovë, Këshilli Antifashist NÇ për Kosovën e Rrafshin e Dukagjinit; reagimi i Shtabit të Përgjithshëm jugos-llav kundër vetëvendosjes së popullit shqiptar, ndarja e botës nga Çercilli, Stalini e Hartmani, ambasador amerikan, ku mungonte Shqipëria!

Autori vazhdon ndërtimin e romanit me ripushtimin dhe me Serbinë kundër vetëvendosjes, por edhe me Kosovën nën Serbi dhe me argatët shqiptarë, me mashtrimin në serbët dhe tradhtinë e tyre, me 50 mijë ushtarë dhe me gjendje e jashtëzakonshme. Ai shkruan edhe për kryengritjen, pushkatimet, dërgimet në Srem e Bosnjë, përmend Samiun (Peja): se duhet t’i kundërshtojmë! Kjo quhet tradhti nga ata që e mohojnë Bujanin. Shkruan për ndalimin e flamurit shqiptar, për fushatën e turqizimit dhe partizanin Sulejman, tash turk!

Ai shkruan dhe nuk i heq nga mendja shtatë personazhet e romanit, një shtatshe si ato të numrave mitikë të kohës ilire. Kryepersonazhi Ukë me shokë kalojnë nën hetime, por kemi edhe një  zë të fortë guximi, kur Enver D. thotë: kjo është vrasje kolektive e popullit shqiptar! Por, gjykimi i të shtatëve vazhdon: Enveri, Masari, Refiku, Qemali, Ilmiu, Sahiti e Uka, më i riu i grupit, që, sipas tyre, kishin rrezikuar bashkim-vëllazërimin.

Në radhë janë pjesët më të bukura të romanit: Goli Otoku, Jovo K., gjeneral lufte, përgjegjës kampesh, zëvendësministër, që për 200 të burgosurit e parë thotë: ‘’Këtë vend do ta bëjmë ferr për të gjithë mëkatarët’’! Duhej ndërtuar 50 baraka për 200-300 persona, e kur kampi u krye, Kapa tha: ‘’Tash do ta shohin ferrin e kësaj bote. Kush do ta kalojë këtë ferr, nuk do të ketë frikë nga ferri i botës tjetër’’. Autori shkruan edhe për pesë të vdekurit e parë të Goli Otokut, që paraqet   pamjen e ishullit, një përshkrim vërtet i rrallë. Pamje poetike tronditëse. Dhe, kthehet prapë te Kapa, e portretizon aq mirë e aq mjeshtërisht, sa ai tërheq pas vetes të gjitha karakteristikat e shtypësit mizor të kreut të pushtetit jugosllav.

Nga Baraka nr. 1 e shtatë shqiptarëve, ku Uka, si ata, tash ishte vetëm numër, nr. 01234, fillon edhe shpalosja e anës simbolike të titullit të romanit Numrat, hijet dhe fidanët. Ushqimi, një përshkrim i hollësishëm i autorit, që ishte dhe nuk ishte ushqim, apo ishte sa për të mos vdekur urie, rasti i  Omerit dhe protesta për ujë, krahas rrahjes brutale dhe kalimit në shpalir, si dhe rasti i Ukë Martinit që nuk e qiti malazezin që kërkonte ujë, e që e ndëshkuan me qëndrim në vetmi, janë po ashtu pjesë antologjike të  këtij romani. Ukën, apo nr. 01234, pas 6 mujash e kthyen në Barakën nr. 1.

 Autori e përshkruan kampin e Goli Otokut të Titos me aq hollësi, sa duket ashtu si kampet naziste të Hitlerit. Do të mjaftonte vetëm pamja e vdekjes së Alonsos me gurin në shpindë. Këtu do shtuar edhe bindjen e pathyeshme të Ukë Martinit në Goli Otok për vetëvendosjen e Kosovës, para 2oo të burgosurve dhe shefit të pavijonit, të cilin e dënon gjykata vetëqeverisëse e pavijonit: izolim, bojkotim, burgosje, por edhe tre muaj në mjekim në spitalin e kampit, ku shpëton me ndihmën e një mjeku kroat.

Pyllëzimi i ishullit, hapja e gropave, ishte propozim: t’u bëjmë hije fidanëve me trupat tanë, kur ka diell shumë! Propozues ishte Huso Spahiq, nga vetëqeverisja, sepse 500 fidanë duan hije! Tash kompletohet emërtimi i romanit të Meriman Brahës Numrat, hijet dhe fidanët. Mbyllet me një pamje të pabesueshme, por që ndodh 60 vjet më vonë, gjatë vizitës në Goli Otok, ku disa shqiptarë takojnë kroatin Vllado Bobinac.

Mjeshtëria e autorit shihet edhe te përshkrimet me elemente njohëse të identitetit, që nga fillimi i romanit: pamje poetike dhe përshkrim i rrallë prozaik i qytetit të Prizrenit, llojet e zejeve të Prizrenit, emra me shumë vlerë për leksikografët dhe për etnologët. Autori tregohet mjeshtër i pamjeve poetike, që nga  përshkrimi i hollësishëm i dyerve të oborrit e të luleve në çdo shtëpi, veti të qytetrimit në qytetin e Prizrenit, e deri te pamja e Goli Otokut. Mjeshtëri dëshmon edhe në ndërtimin e dialogëve. Dallohet ai i Sulejmanit me usta Ibrahimin: në Has nuk ka pasur turq, nga erdhe ti, po as në Përdrini, nga erdha unë. Bindëse. Përshkrim me saktësi e vërtetësi. Dialog tërheqës del edhe ai inspektorit Radulloviq me hoxhë Jakupin: ai e sulmon irredentizmin, e hoxha e mbron me guxim shqiptarizimin. 

Motivet e nxitjes së autorit Meriman Braha, i burgosur politik, nga kreu i Lëvizjes Studentore për Republikën e Kosovës, më 1968, e në vijimësi edhe më 1981 e deri në luftën ҫlirimtare të UÇK-së, për të shkruar këtë roman të rëndësishëm mund të jenë të shumta, por motivi kryesor, kujtoj, është se lexuesi ynë ka nevojë të madhe të njohë edhe më mirë të vërtetën historike të përpjekjeve për liri e bashkim, të vuajtjeve dhe të pathyeshmërisë së pjesëtarëve të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, e ata nuk ishin pak, disa qindra, që kaluan nëpër ferrin e Goli Otokut.

Kontrolloni gjithashtu

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Hapet pika shkollore në Rorschach të Zvicrës!

Shkollave shqipe në Zvicër në kuadër të Lidhjes së Arsimtarëve dhe Prindërve Shqiptarë “Naim Frashëri” …