Nuk është kjo hera e parë, e me siguri se nuk do të jetë as e fundit, që Zyra Ligjore e UNMIK-ut iu bën me dije autoriteteve të caktuara të vendit tonë, se kjo është zyre vendimmarrëse, e cila ka autorizimin e OKB-së për të nënshkruar vetëm ato ligje, të cilat paragjykojnë përkufizimin e statusit të ardhshëm të Kosovës, si entitet multietnik pa kurrfarë përmbajtje historike, kombëtare apo çlirimtare.
Kjo zyre, ditë më parë nxori në shesh edhe një të vërtetë tjetër të hidhur, e cila i ka befasuar iluzionistët dhe ata të cilët mendojnë se po e ndërtojnë shtetësinë e Kosovës, pa ditur as vetë se çka nënkupton ajo farë shtetësie, e cila, në rastin konkret nga Zyra Ligjore e UNMIK-ut, përkufizon të kaluarën tonë të përgjakshme vetëm me pak fjali: Nuk ka pasur luftë çlirimtare në Kosovë, nuk ka heronj, nuk ka armiq dhe tërë kjo mbase paska qenë vetëm një ëndërr e hidhur, të cilën shqiptarët për hir të serbëve dhe të bashkëjetesës me ta u dashka ta harrojnë. Ky përkufizim jo vetëm që nënkuptohet dhe interpretohet kështu, por kështu është projektuar decidivisht me rastin e censurimit të përmbajtjes së tekstit të projektligjit të miratuar në Kuvend dhe të përkrahur fuqishëm edhe nga Qeveria e Kosovës, madje edhe nga kryeministri Çeku, por edhe nga përfaqësuesit e shoqatave të UÇK-së.
Projektligji për Statusin dhe të Drejtat e Familjeve të Dëshmorëve, Invalidëve dhe Veteranëve të luftës të UÇK-së, të Viktimave të Luftës, tashmë është nënshkruar dhe nuk pritet kurrfarë ndryshimi, sepse në praktikën e deritanishme të kësaj zyre nuk ka ndodhur të bëhet qoftë edhe një korrigjim i vetëm. Ligji ka mundur të mos nënshkruhet, dhe në një rast të tillë do të kishte mbetur sërish nëpër sirtarë të administratës ndërkombëtare, ashtu sikurse kishte “mrizuar” tre vjet rresht.
Të përkujtojmë me këtë rast se kjo zyre ka injoruar edhe Rezolutën e Kuvendit të Kosovës kundër aneksimit të 2500 hektarëve tokë të vendit tonë nga ish-RJ e Maqedonisë në vitin 2001. Dhe nuk duhet të ushqehemi me iluzione se ndoshta do të ndërrojë diçka, sepse ligji megjithatë bëhet me qëllim të trajtimit material të këtyre kategorive të dëmtuara nga lufta, apo nga “konflikti”. Tekefundit, nga projektligji është fshirë vetëm UÇK-ja, është fshirë përmbajtja çlirimtare e luftës për liri, por nuk janë fshirë kategoritë e dëmtuara nga lufta si të tilla, si shqiptarët, ashtu edhe serbët dhe të gjithë të tjerët. Dhe për mjerimin tonë, shumica e pjesëtarëve të këtyre kategorive mund edhe të pranojnë të mirat materiale që sjellë ky ligj, pa qarë kokën për “frazeologjinë”, e cila sipas zëdhënëses së Qeverisë nuk qenka asgjë më shumë se një “çështje e thjeshtë teknike”. Administrata ndërkombëtare tashmë i ka hequr petën lakrorit. Kështu, dhe në mënyrë të ngjashme një ditë do të ia heq edhe të gjitha atributet asaj farë pavarësisë së premtuar, të supozuar, të paragjykuar, për të cilën po shpreson Prishtina dhe nuk po pajtohet Beogradi. Dhe pasi të jetë nënshkruar si e tillë, nënshkruesit mbase sërish do të arsyetohen se nuk e kanë lexuar atë që e kishin nënshkruar, ose do të thonë se nuk patën çare pa nënshkruar sepse nuk ishte e logjikshme të injorohej faktori vendimmarrës ndërkombëtar.
Mbetet për të parë e për të dëgjuar sesi do përfundojë edhe ky projektligj, kohë më parë i pranuar me bujë dhe përkushtim nga aranzhuesit, madje edhe nga kryesuesit e shoqatave. Por një gjë është më se e sigurt. Nëse ne invalidët dhe veteranët e luftës kësaj radhe nuk e demonstrojmë prezencën dhe fuqinë tonë nëpër rrugët e sheshet e Prishtinës, apo të mbarë qyteteve të Kosovës, sërish na përpiu e liga. Mirëpo jo rastësisht dhe mu për këtë ka kërcënuar sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jap de Hop Skefer. Dinjitarët e UÇK-së, ata që nuk bëjnë vezë nëpër foletë e qyqeve apo të partive politike, duhet ta shfaqin mospëlqimin e tyre kundër denigrimit, përbuzjes, përçmimit, mohimit dhe injorimit që u ka bërë, jo vetëm kësaj radhe, zyra ligjore e UNMIK-ut. Ahmet Qeriqi
Kontrolloni gjithashtu
Berat Rukiqi: Qeveria po e vazhdon përdorimin e parasë publikë për blerje të votave
Duke komentuar vendimin e kryeministrit, Albin Kurti për ndarjen e shumës prej 100 euro për …