Zyrtarë të Ambasadës së SHBA-së në Prishtinë kanë thënë se e mbështesin dialogun mes Kosovës dhe Serbisë të ndërmjetësuar nga Bashkimi Evropian. Amerika dëshiron të shohë normalizim të plotë të marrëdhënieve mes dy vendeve me njohjen e ndërsjellë dhe do të vazhdojë ta mbështesë procesin e ndërmjetësuar nga BE-ja, ku thuhet se marrëveshja e arritur mes dy palëve duhet të jetë e pranueshme për të dyja vendet. Njohësit e çështjeve politike spekulojnë se kjo kërkesë me ngulm e presidentit Hashim Thaçi, që Amerika të përfshihet në procesin e negociatave, ka të bëjë me faktin që një pjesë e Departamentit të Shtetit e mbështet idenë për shkëmbim të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë.
